Autoriteti i Aviacionit Civil ka bërë të ditura shifrat për numrin e pasagjerëve gjatë muajit tetor dhe ndarjet e tregut sipas kompanive.
Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shifrat tregojnë një numër prej 271,589 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Tetor për/nga TIA, nga të cilët 6,724 janë pasagjerë të fluturimeve Charter. Grafiku i mëposhtëm pasqyron më qartë fluksin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë muajit Tetor 2019, të ndarë sipas kompanive ajrore në përqindje.
Bazuar në të dhënat e mësipërme, në muajin Tetor 2019 kompania Italiane “Blue Panorama” zotëron tregun me 17% te totalit dhe një numër prej 47,104 pasagjerë, pasuar ky numër nga Ernest Airlines me 16% të tregut dhe 49,504 pasagjerë. Air Albania zotëron tregun me 10% të totalit të pasagjerëve dhe një numër total prej 26,221 pasagjerë si dhe Albawings dhe Wizz Air secila kompania me 9%. Sikurse mund të shihet edhe në grafik, kompanitë që fluturojnë drejt Italisë, si Air Albania, Albawings, Blue Panorama, Ernest S.p.A, Alitalia, zotërojnë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Tetor 2019, duke zënë përafërsisht 60% të totalit. Krahasimisht me muajin Tetor të një viti më parë ku numrat konsistonin në 51%, shifrat janë rritur pasi kompania shqiptare “Air Albania” ka hyrë në treg me tre destinacione të reja drejt Italisë.
Përsa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Tetor 2017-2018-2019, kompania Wizz Air, ka një trend në rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i pasagjerëve është rritur me 171%. Duke u pasuar nga Lufthansa e cila shënon rritje prej 103% të numrit të pasagjerëve krahasimisht me një vit më parë. Disa prej kompanive sikurse duket në tabelë kanë ngritje më të vogla, e disa prej kompanive kane ulje të numrit të pasagjerëve krahasimisht me të njëjtin muaji një vit më parë. Bie në sy, se përveçse kompanisë Wizz Air, shifrat e të cilës nga viti në vit ka ardhur duke u rritur edhe kompania Ernest S.p.A gjithashtu ka pasur rritje të dukshme nga viti në vit. Kompania Blue Panorama ka një trend në rënie nga viti 2017 në vitin 2019.
Hyn Easy Jet
Një tjetër kompani Evropiane, vjen me linja të tjera fluturimesh duke ofruar çmime më konkurruese në treg. Bëhet fjalë për prestigjiozen botërore “easyJet”, e cila disa ditë më parë preku tokën shqiptare, duke çelur kështu linjën e re të operimeve të kësaj kompanie në destinacionet Milano dhe Gjenevë.
“easyJet” është kompania e dytë më e madhe e fluturimeve low-cost në Europë, me qendër në Londër, e cila në flotën e saj përbëhet nga mbi 200 avionë, që operojnë drejt mbi 600 destinacioneve në 133 aeroporte të botës dhe transporton mbi 59 milion pasagjerë në vit.
Vonesat
Në bazë të të dhënave të regjistruara nga Sektori i të Drejtave të Pasagjerëve në Autoritetin e Aviacionit Civil, për periudhën Nëntor 2019 rezulton se performanca e disa kompanive ajrore për sa i përket vonesave, anullimeve ka qenë si më poshtë:
Krahasuar me muajin paraardhës (Tetor 2019) ka rënie të numrit të vonesave nga kompania Fly Ernest, vonesa të shkaktuara për shkak të “birdstrike” të avionit të ndodhur në VRN aeroport, ose arsye operacionale (vonesa në ardhje nga fluturimet e tjera).
Vlen të përmendet fakti se kryesisht vonesat dhe anullimet e fluturimeve gjatë muajit Nëntor, janë shkaktuar edhe për arsye të grevës së Transportit Ajror në Itali, kohës së keqe në Stamboll, AOG të avionit të Air Serbia, dhe rënies së tërmetit në Shqipëri (datë 26/11/2019) ku kompania ajrore gjermane Lufthansa u detyrua të anullojë fluturimet e mëngjesit nga TIA-FRA, për shkak të kësaj situate.
ERNEST SPA gjatë muajit Nëntor 2019 ka pësuar 4 vonesa në mbi 2 orë dhe 1 anulim. Vlen për tu theksuar fakti, se kompania Ernest Airlines rezulton se këto vonesa për muajin Nëntor 2019, i ka për shkak të defekteve teknike të ndodhura (AOG) të avionit dhe për arsye operacionale (vonesa në ardhje nga fluturimet e tjera). Gjithashtu anullimet e fluturimeve gjatë muajit Nëntor, janë shkaktuar edhe për arsye të grevës së Transportit Ajror në Itali.
BLUE PANORAMA për muajin Nëntor 2019 ka 4 vonesa në mbi 2 orë kryesisht për arsye operacionale.
AIR SERBIA gjatë muajit Nëntor 2019 rezulton me 2 vonesa në mbi 2 orë.
LUFTHANSA gjatë muajit Nëntor 2019 rezulton me 3 anullime, të ardhura si shkak i situatës së krijuar nga rënia e tërmetit në Shqipëri.
ALITALIA përgjatë muajit Nëntor 2019 rezulton me 1 anullim për arsye të grevës së Transportit Ajror në Itali.
Numri i kompensimeve deri në muajin Nëntor 2019 rezulton në total si më poshtë:
Çështje të hapura 1384
Çështje të mbyllura 2064
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.