Më 14 nëntor, në 21 komuna të Kosovës u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, pas raundit të parë më 17 tetor kur u zgjodh udhëheqësia lokale në 17 komuna. Nga këto zgjedhje, fitues dolën PDK e LDK, kurse humbës rezulton Vetëvendosja e Albin Kurtit, i cili aktualisht është Kryeministër i Kosovës
Nga Fatos Shala
Qytetarët e Kosovës, në muajin tetor dhe nëntor të këtij viti, votuan për të zgjedhur kryetarët për 38 komunat në Kosovë. Qytetarët, me votat e tyre, vendosën se kush do të udhëheqë komunën e tyre edhe për katër vite.
Nga këto zgjedhje, fitues dolën Partia Demokratike me 8 komuna, Lidhja Demokratike po ashtu me 8 komuna, kurse humbës rezulton Vetëvendosja e Albin Kurtit, i cili aktualisht është kryeministër i Kosovës, e që ka fituar vetëm 4 komuna.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 3 komuna në garën e balotazhit. Nga një komunë, në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, Partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50% të votave, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të fitojë asnjë komunë. Në raundin e balotazhit, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi në 4 nga 12 komunat ku ishte në balotazh. Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.
“Lufta” për Prishtinën, Prizrenin e Podujevën
Më 14 nëntor, ditën kur mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, “lufta” më e madhe mes Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes ka qenë për Prishtinën, Prizrenin e Podujevën.
Përparim Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka fituar garën më të madhe në Kosovë në zgjedhjet lokale – atë për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Këtë komunë, për dy mandate radhazi e udhëhoqi Shpend Ahmeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti nga e cila u largua më 2018.
Në bazë të rezultateve me 1,700 vota më shumë, Rama ka mposhtur kandidatin kundërshtar nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, Vitia kishte fituar 42% të votave, kurse Rama 29%. Lëvizja Vetëvendosje, përveç Prishtinës, e ka humbur edhe Prizrenin, ku qeverisi në katër vitet e fundit. Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mposhti ish-kryetarin Mytaher Haskuka, me 1,075 vota më shumë. Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi arriti të ruajë vendin e të parit të komunës, pasi mundi në balotazh kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni.
Çfarë deklaruan Kurti, Krasniqi dhe Abdixhiku pas rezultateve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në deklaratën e parë pas rezultateve të zgjedhjeve, ka uruar fituesit e balotazhit të 14 nëntorit, duke deklaruar se me kryetarët e zgjedhur të komunave do të bashkëpunojë. I pari i Lëvizjes Vetëvendosjes ka thënë se rezultati ishte jo i kënaqshëm për VV-në, dhe kjo vjen si rezultat disa defekteve.
“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ-ja ishte shumë i mirë. I uroj të gjithë kryetarët e komunave, të cilët u zgjodhën dje. Ata do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin e korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër, ku paratë tona po shpërlahen, duke shkaktuar ndërtim të egër. Unë do të bashkëpunoj me ta. Rezultati vjen si rezultat i defekteve të brendshme, si dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër VV-së”.
Kurti është zotuar se do të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e rinj të komunave. “Do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin dhe korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër”, ka thënë Kurti, partia e të cilit ka fituar udhëheqjen në 4 nga 38 komunat e Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët ia kthyen shpinën Kryeministrit Kurti. “Nuk ka më një forcë politike dominuese, siç ishte tetë muaj më parë. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit të një njeriu”, ka theksuar Krasniqi.
Ai falënderoi qytetarët për votimin e PDK-së. Fati dhe e ardhmja e qytetarëve do të jenë në duar të sigurta. Nuk ka më një forcë politike dominuese. Populli ia ka kthyer shpinën Kurtit. Prizreni është qytet i kulturës dhe ka kritere të vlerësojë atë çfarë do. Sot i themi jo degradimit, korrupsionit.
Sot i themi po një Prizreni qytetar me një të ardhme të ndritur. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë që e përkrahën ndryshimin”. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se fitorja në 8 komuna me kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe.
“LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë-Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
I pari i LDK-së uroi më tej të gjithë kryetarët e zgjedhur dhe i falënderoi për kontributin edhe kandidatët apo kandidatet që nuk ia dolën të ishin fitues. Abdixhiku shprehu falënderim për angazhimin e të gjithë aktivistëve të LDK-së në këto zgjedhje.
Kultura e lartë demokratike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj të parë të bërë pas balotazhit të 14 nëntorit, ka vlerësuar “kulturën e lartë demokratike” të treguar nga qytetarët.
Nëpërmjet një komunikate thuhet se u dëshmua që Kosova ka demokraci të konsoliduar, është e aftë të organizojë zgjedhje, si dhe është shembull për rajonin.
“Presidentja falënderon qytetarët e Kosovës për kulturën e lartë, të dëshmuar në proceset zgjedhore, si dhe u uron fitoren kandidatëve fitues, duke uruar po ashtu që të realizojnë premtimet e dhëna para qytetarëve të Kosovës. Presidentja falënderon institucionet e vendit për angazhimin në këtë proces, para së gjithash KQZ-në për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, policinë e Kosovës, mediat, institucionet e drejtësisë, si dhe të gjithë aktorët e tjerë të angazhuar”, thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidencës.
Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se fitorja në zgjedhjet e fundit lokale e partive opozitare përballë Lëvizjes Vetëvendosje, ka shumë arsye.
Ylli Hoxha ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje pati shumë probleme. “Një problem i madh për LVV-në në këto zgjedhje ishte nënvleftësimi i zgjedhjeve lokale, duke shpallur kandidatët një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Arben Vitia ka menaxhuar pandeminë dhe ka pasur zëra që ai duhet të shkojë në zgjedhje vetëm si ministër.
Problem tjetër është se LVV ka hyrë në zgjedhje, sikurse në garë të ishin edhe Kadri Veseli e Isa Mustafa. LVV harroi se në krye të LDK-së ishte Lumir Abdixhiku, i cili ishte ministër i vyer i qeverisë së tij. Edhe Memli Krasniqi ishte ndryshe… Një prej problemeve më të mëdha për LVV-në ishte kandidimi i Agim Bahtirit. Nëse LVV do ta kishte larguar Agim Bahtirin, do të fitonte edhe Prishtinën e Prizrenit”.
Visar Ymeri është shprehur se problemet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje janë shumë më të mëdha se ato që duken. “Problemi është përplasja mes aktivistëve të vjetër të LVV-së me teknokratët e ri që janë futur në Lëvizje. Vetëvendosje më shumë ka qenë e përqendruar tek ideali se te synimet personale.
E dyta, Kurti sa herë që shkon në mbështetje të një kandidati e lë atë nën hije. Kurti e ka të pamundur të qëndrojë i dyti. Problem tjetër është përzgjedhja e kandidatëve në komuna. Një tjetër problem te LVV ka qenë arroganca e madhe në raport me komunikimin me qytetarët”, deklaroi Ymeri.
Raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë raund, nga 38 komuna në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj. Kurse më 14 nëntor, në 21 komuna të Kosovës u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.