Flet kreu i Institutit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Lavdrim Sahitaj
Gjatë 2019-s u përfol jo pak për evidenca të ndryshme në mungesën e sigurisë në produkte për fëmijë si lodra etj. Gjithashtu, ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit solli një nevojë në rritje për vëzhgimin e mëtejshëm të ashensorëve të banesave. Apo edhe një vëzhgim mbi aktivitetin elektronik të bizneseve të ndryshme. Kreu i Institutit të Mbikëqyrjes së Tregut thekson sektorët ku vëzhgimet do të intensifikohen më tepër gjatë 2020-s…
Nga Deada Hyka
Një kornizë efektive për kryerjen e mbikëqyrjes së biznesit do të luante një rol kryesor në mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat e padrejta m.ldhe abuzive të bizneseve të ndryshme. Njëkohësisht, do të ishte një “sy” mbi tregun, që do të përmirësonte dhe dëgjonte ‘ankesat’. Si nevojë në rritje, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, në kushtet e procesit të integrimit të Shqipërisë, nevoja për identifikimin e rreziqeve të prekshme në një fazë të hershme nga sektorë të ndryshëm në treg, erdhi në rritje me kalimin e viteve.
Kështu, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut lindi si nevojë për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve dhe për të mbajtur balancat në një treg shqiptar ‘të vështirë’, në kushtet e historikut pas viteve ‘90.
Në një intervistë për “Monitor”, kreu i Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Lavdrim Sahitaj, bën me dije një përmbledhje të sektorëve të mbikëqyrur gjatë këtij viti, sipas evidencave të dala apo problematikave, si dhe thekson synimet e vitit të ardhshëm.
“Ngritja e këtij inspektorati ishte nevojë e diktuar jo vetëm nga vetë zhvillimi ekonomik i vendit, i parë në aspektin e rritjes së besimit të konsumatorit në treg e të konkurrencës së lirë, por edhe nga procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe përafrimin e legjislacionit të saj me acquis. Në dy progres-raportet e Komisionit Europian të vitit 2015 dhe 2016, ngritja e ISHMT-së ka qenë një nga rekomandimet më të rëndësishme për Kapitullin 1 të lëvizjes së lirë të mallrave dhe një nga prioritetet për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve në kapitullin “Zhvillimi Ekonomik i Programit të Qeverisë Shqiptare 2013-2017”, thotë kreu i saj, z. Lavdrim Sahitaj.
Z. Sahitaj, duke bërë një përmbledhje të situatës pas tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, thekson se ka kryer kontrolle të vazhdueshme pas goditjeve sizmike në Tiranë, Durrës, Lezhë, Laç, Vlorë, në ashensorët e ndërtesave të banimit, si nevojë në rritje për të garantuar siguri.
Flet kreu i Institutit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, z. Lavdrim Sahitaj
“Fokus në 2020-n: siguria e ashensorëve, produktet për fëmijë dhe detergjentët”
Si ka qenë aktiviteti i ISHMT-së këto vitet e fundit? Ku ka qenë i përqendruar fokusi?
ISHMT-ja është krijuar me VKM Nr.36/20106 “Për krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut” pas kërkesave të vazhdueshme nga ana e Komisionit Europian, të paraqitura këto të fundit në progres-raportet për Shqipërinë që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
ISHMT-ja është krijuar fillimisht me një strukturë, e cila përmbante 4 drejtori kryesore, nga të cilat 3 drejtori me funksione inspektuese dhe Drejtoria Teknike e angazhuar kryesisht me aspekte teknike të mbikëqyrjes së tregut të produkteve joushqimore.
Në këtë kontekst dua të theksoj se fusha e mbikëqyrjes së tregut të produkteve joushqimore, në tërësinë e kërkesave dhe standardeve ligjore që vijnë si detyrim i Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian, ka qenë një fushë tërësisht jashtë kontrolleve të specializuara të institucioneve shtetërore përpara ngritjes së këtij institucioni. ISHMT duke pasur një fushë mbulimi të gjerë, e cila nis me produktet joushqimore dhe vijon me garantimin e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale, ka kryer një aktivitet, i cili ka pasur në fokus të tij produktet me risk të lartë për shëndetin dhe jetën e përdoruesve të tyre, siç janë p.sh., lodrat, ashensorët, produktet kimike, elektrike etj.
Edhe në fushën e pronësisë industriale dhe intelektuale, ISHMT-ja ka qenë e pranishme në treg duke operuar në koherencë edhe me ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga Parlamenti, në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to.
Si vijon mbikëqyrja e tregut të produkteve për fëmijë, qoftë lodra apo produkte ushqimore e më gjerë? Çfarë rastesh keni evidentuar si problematike?
ISHMT-ja që në nisje të aktiviteteve të mbikëqyrjes së tregut, ka pasur në fokus të vazhdueshëm produktet për fëmijë. Këto produkte vlerësohen me një risk të lartë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në vendet e Bashkimit Europian, Britaninë e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke aplikuar metodologjitë më të mira europiane, por edhe në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar dhe VKM Nr 262/2013 ‘Për sigurinë e lodrave”, të cilat janë transpozuar plotësisht nga direktivat përkatëse të BE-së, ISHMT-ja është duke kërkuar aplikimin e standardeve europiane në treg për produktet lodra, por edhe për kategori të tjera produktesh për fëmijë.
Nga kontrollet e realizuara në importues dhe tregtarët me shumicë të produkteve lodra, gjatë tre viteve të fundit janë marrë masa administrative të ndryshme si p.sh., paralajmërim, gjobë etj., por edhe janë bllokuar mbi 10 mijë produkte lodra, të cilat janë shkatërruar. Duhet ta theksojmë se ISHMT-ja si një model i strukturave të mbikëqyrjes së BE-së, ka si qëllim kryesor garantimin e sigurisë së konsumatorëve, duke tërhequr, bllokuar dhe shkatërruar, produktet e rrezikshme, të cilat prodhohen apo importohen në tregun shqiptar.
Në kategorinë e produkteve për fëmijë, problematikat kryesore kanë qenë të lidhura me lodrat, por edhe produkte të cilat janë të lidhura me ushqimin si pjatat, gotat etj. ISHMT-ja në zbatim edhe të praktikave më të mira europiane, mbikëqyrjen e tregut e realizon nëpërmjet kontrolleve fillimisht dokumentare dhe fizike të produktit dhe në rastet ku dyshimet janë prezente në zbatim të metodologjisë së riskut, shkohet drejt analizave laboratorike, të cilat kryhen në laboratorë të akredituar. Rastet që janë evidentuar me mungesë dokumentacioni apo rezultate të testimeve jashtë tolerancave të lejuara të substancave të dëmshme kanë shkuar drejt bllokimit dhe shkatërrimit të produktit.
Si ka qenë mbikëqyrja e veprimtarisë elektronike të operatorëve të ndryshëm?
Në zbatim të Ligjit 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, ISHMT-ja si institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut të kësaj kategorie inspektimi, ka kryer kontrolle në subjektet tregtare mbi përdorimin e programeve kompjuterike për të cilat nevojitet një autorizim apo licencë për përdorim. Kategoritë e programeve kompjuterike janë të shumta dhe gama e tyre ka një shtrirje të gjerë në shumë fusha aplikimi, duke kërkuar burime të shtuara njerëzore.
Pavarësisht burimeve të kufizuara njerëzore, ISHMT-ja edhe në këtë fushë aplikimi ka operuar në zbatim të parashikimeve të Ligjit 10433/2011 “Për inspektimin në RSH”, duke kryer inspektime të planifikuara me bazë risku dhe ankese. Kategoritë kryesore të inspektuara gjatë vitit 2019 kanë qenë universitetet, arsimi parauniversitar, subjektet që operojnë në biznesin e shërbimeve telefonike, subjekte që operojnë në biznesin financiar, farmaceutik etj.
Ku keni pasur më tepër sinjalizime për gjendje problematike? Në çfarë sektori/biznesesh?
Problematikat kryesore që ISHMT-ja ka hasur në treg lidhen kryesisht me disa produkte siç janë ashensorët në përdorim, lodrat, instrumentet matës ligjërisht të kontrolluar, detergjentët etj. Vlerësimet për risqe të shtuara në këto kategori produktesh apo instalimesh në disa raste janë problematika që prevalojnë në tregun shqiptar, ndërsa për disa kategori, si lodrat, apo produktet e tjera kimike, kemi një situatë, e cila ka ngjashmëri edhe me tregjet e vendeve të BE-së, ku këto produkte sërish rezultojnë me përmbajtje kimike jashtë tolerancave të lejuara.
Për këto kategori produktesh, siç janë ashensorët dhe komponentët e sigurisë për ashensorë, lodrat dhe produktet e tjera për fëmijë, instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluar, ISHMT-ja është duke kryer kontrolle të përbashkëta edhe me autoritetet doganore, duke siguruar standardin e këtyre kategorive të mallrave që në doganë.
Gjatë vitit 2019 janë kryer disa qindra inspektime në importues të ashensorëve dhe komponentëve të sigurisë për ashensorë, si edhe të ashensorëve në përdorim. ISHMT-ja është duke ngritur regjistrin e ashensorëve në përdorim, si edhe po inspekton mbi procedurat e vlerësimit të konformitetit, instalime ashensorë, duke kërkuar nga ana e personave përgjegjës zbatimin e kushteve teknike dhe legjislacionit në fuqi për këtë kategori instalimesh.
Për sa i përket kategorisë të ashensorëve në instalim, ISHMT ka kryer kontrolle të vazhdueshme pas goditjeve sizmike në Tiranë, Durrës, Lezhë, Laç, Vlorë etj.
Inspektimet kanë qenë në kuadër të garantimit të sigurisë së ashensorëve në përdorim, vlerësimit të konformitetit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore dhe sensibilizimit të administratorëve dhe banorëve për reagimin apo rregullat e përdorimit të ashensorit pas një goditjeje sizmike. ISHMT-ja është duke ndjekur në vazhdimësi situatën pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për evidentimin dhe shmangien e risqeve në instalimet ashensor, të cilat duhet të kalojnë në një vlerësim teknik nga ana e organeve kompetente, përpara se të përdoren nga banorët.
Për sa u përket ashensorëve në përdorim, ISHMT-ja është duke vijuar me zbatimin e një plani kombëtar masash për vlerësimin e konformitetit të kësaj kategorie instalimesh nga organet e miratuara dhe të akredituara që operojnë në tregun shqiptar dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga instaluesit, administratorët apo personat e tjerë përgjegjës për këto instalime.
Bashkëpunimi me bashkitë në vend për kryerjen me sukses të këtij procesi si edhe propozimet për ndryshimet e nevojshme në Ligjin 10112/2009 ”Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit dhe aktet e tjera nënligjore, të cilat sanksionojnë marrjen e lejeve të ndërtimit dhe shfrytëzimit, do të rrisin standardet e aplikuara të instalimeve ashensor.
Produktet e rrezikshme
Problematikat kryesore që ISHMT-ja ka hasur në treg lidhen kryesisht me disa produkte siç janë ashensorët në përdorim, lodrat, instrumentet matës ligjërisht të kontrolluar, detergjentët etj. Vlerësimet për risqe të shtuara në këto kategori produktesh apo instalimesh në disa raste janë problematika që prevalojnë në tregun shqiptar, ndërsa për disa kategori, si lodrat, apo produktet e tjera kimike, kemi një situatë, e cila ka ngjashmëri edhe me tregjet e vendeve të BE-së, ku këto produkte sërish rezultojnë me përmbajtje kimike jashtë tolerancave të lejuara.
Një nga fushat e tjera, ku ISHMT-ja kryen një aktivitet të rëndësishëm është inspektimi metrologjik që përfshin kontrollin metrologjik të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, që përdoren në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm, si edhe në fushën e parapaketimeve.
Në këtë sektor, ku fokusi është mbrojtja e konsumatorëve nga matjet e parregullta në fushën e furnizimit me karburant të qytetarëve për sa i përket sasisë së dhënë, apo subjekteve që paketojnë produkte ushqimore të kategorive të ndryshme, ISHMT-ja kryen inspektime të vazhdueshme në të gjithë territorin e vendit. Inspektimet kryhen me bazë risku, informacione të ardhura nga organet e tjera ligjzbatuese apo ankesat e konsumatorëve dhe subjekteve të biznesit.
Në të gjitha rastet kur subjektet e furnizimit me karburant, apo subjekte të tjera që kryejnë aktivitet prodhues/paketues apo importues, kanë rezultuar me gabime në sasinë e ofruar për shitje te konsumatorët, ISHMT-ja ka ndërmarrë masa me bllokim të instrumentit matës apo të produktit përkatës, si edhe masa administrative që parashikohen në Ligjin 9875/2008 ‘Për metrologjinë”, i ndryshuar.
Me cilat institucione keni bashkëpunime?
ISHMT-ja është institucion varësie i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe bashkëpunimin kryesor e ka me këtë ministri. Në këtë kuadër, tri drejtoritë e MFE: Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Drejtoria e Markave dhe Patentave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbeten aktorët kryesorë me të cilët ISHMT-ja shkëmben informacione në kohë reale si edhe merr indicie për çështje të instalimeve apo produkteve jashtë konformitetit.
Në të gjithë vendet e BE-së, bashkëpunimi i mbikëqyrjes së tregut me organet të cilat kryejnë shërbime në treg, si trupat e autorizuara, apo institucionet përgjegjëse për mbajtjen e standardeve është thelbësor për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimit të sigurisë. Një institucion tjetër i rëndësishëm me të cilin ISHMT-ja ka bashkëpunim të vazhdueshëm është Inspektorati Qendror. Për të pasur një efektivitet të lartë në treg dhe për të krijuar lehtësira për biznesin, IQ ka krijuar dhe mirëmban portalin e-inspection, nëpërmjet të cili inspektoratet e ndryshme kryejnë aktivitetin online të inspektimit.
Që prej vitit 2017, ISHMT-ja kryen të gjitha procedurat e inspektimit nëpërmjet portalit e-inspection online, ndërsa IQ koordinon dhe mbikëqyr punën e ISHMT. Bashkëpunimi me bashkitë në vend për sa i përket vlerësimit të ashensorëve në instalim dhe zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ku ISHMT-ja shkëmben informacion me agjencitë vendore për mbrojtjen e konsumatorëve, mbetet një proces i rëndësishëm.
Cili do të jetë fokusi juaj për vitin 2020?
Gjatë vitit 2020, ISHMT-ja do të vijojë të ketë në fokusin e vet kryesor produktet, të cilat kanë një risk të lartë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, siç janë ashensorët në përdorim, lodrat dhe produktet e tjera për fëmijë, produktet mekanike, detergjentët etj.
Gjithashtu, ISHMT-ja do të vijojë që të jetë prezente në fushën e mbrojtjes konsumatore, duke garantuar sigurinë e matjeve në fushën e metrologjisë, ku në fokus do të jenë instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara që përdoren në furnizimin me karburant të konsumatorëve, parapaketimet dhe kategoritë e tjera të shërbimeve ku përfshihen matjet e rregullta metrologjike.
ISHMT-ja do të vijojë të jetë prezente edhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, duke garantuar pronësinë intelektuale dhe industriale për autorët dhe mbajtësit e tjerë të të drejtave intelektuale dhe industriale.
Në vitin e ardhshëm, me mbështetjen e vazhdueshme edhe të projekteve të BE-së, të cilat kanë shoqëruar ngritjen e ISHMT-së që prej krijimit, objektivat lidhen ngushtësisht me garantimin e sigurisë së produkteve/instalimeve në treg, por edhe të mbrojtjes së konsumatorit, duke i garantuar konsumatorit shqiptar produkte me standarde të larta, kërkesa të vazhdueshme edhe të Komisionit Europian.
Tregtimi i lojërave për fëmijë
Sipas Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, kishte një vëmendje më të lartë këtë vit në kontrollet e bizneseve që operojnë në fushën e tregtimit të lojërave për fëmijët. ISHMT-ja thekson se do të kontrollohen të gjithë tregtarët që produktet e ofruara në treg të garantojnë kriteret e mëposhtme:
1. Të mbajë Markimin CE të konformitetit. Markimi CE duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e shtruara në Nenin 9 të ligjit nr. 10489, datë 15.12.2011;
2. Të shoqërohet nga Deklarata e Konformitetit (EC Declaration of Conformity). Deklarata e Konformitetit duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e bëra në Nenin 8, Ligji nr. 10489, datë 15.12.2011;
3. Të shoqërohet nga dokumentacioni teknik. Dokumentacioni teknik duhet të mundësojë vlerësimin e konformitetit të produktit me kërkesat ligjore në lidhje me të dhe duhet të përfshijë një analizë dhe vlerësim të përshtatshëm të risqeve;
4. Të shoqërohet nga paralajmërimet. Udhëzimet në (gjuhën shqipe) për përdorimin, si: mosha, kufizimet etj., dhe për mirëmbajtjen;
5. Mban një numër tipi, grupi apo serie, ose elemente të tjera, që lejojnë identifikimin e tij; si dhe mban emrin prodhuesit, emrin tregtar ose markën tregtare të regjistruar dhe adresën ku mund të kontaktohet.
Në kuadrin e Projektit EuropeAid/137616 /IH/SER/AL “Technical Assistance to carry out effective market surveillance in line with acquis”, ISHMT-ja thekson se edhe inspektorët u janë nënshtruar trajnimeve në këtë fushë, që të jenë më të përgatitur për të mbikëqyrur sigurinë e lodrave duke përdorur pajisje/instrumente kontrolluese.
“Operatorët ekonomikë që tregtojnë artikuj të klasifikuar si ‘lodër’ në kuptim të Rregullit teknik (Prodhues/ Përfaqësues i Autorizuar, Importues, Shpërndarës), do t’u nënshtrohen kontrollove gjatë këtij viti, të vazhdueshme me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga lodra të pasigurta dhe që nuk përputhen me kërkesat ligjore që parashikohen në legjislacionin aktual”, thekson ISHMT-ja.
Veprimtaria elektronike
Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimi ndërmjet Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) dhe AKEP, e cila pritet të sjellë kryerjen e analizave dhe vlerësimeve të përbashkëta mbi operatorë ekonomikë të ndryshëm në treg.
Qëllimi i nënshkrimit të memorandumit është rritja e eficiencës së funksionimit të mbikëqyrjes së veprimtarisë tregtare elektronike të operatorëve ekonomikë bazuar në parimet e sigurisë së produktit dhe pronësisë intelektuale, për të garantuar të drejtën e shtetasve shqiptarë për të ushtruar veprimtari të lirë tregtare dhe mbrojtjen e konsumatorit vendas.
ISHMT-ja dhe AKEP-i angazhohen të bashkëpunojnë për të shkëmbyer me njëri-tjetrin informacion sistematik apo dinamik mbi veprimtaritë respektive institucionale. Informacioni i formës së të dhënave deri i problematikave, parashikohet të përcillet nëpërmjet personave të kontaktit dhe takimeve kalendarike.
Me nënshkrimin e memorandumit, palët marrin përsipër të kryejnë bashkërisht:
– zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta për informimin e operatorëve ekonomikë që zhvillojnë veprimtari në hapësirën elektronike, mbi të drejtat dhe detyrimet sipas kuadrit ligjor,
– zhvillimin e fushatave mediatike mbi informimin e operatorëve ekonomikë dhe mbajtësve të të drejtave të autorit mbi të drejtat dhe detyrimet sipas kuadrit ligjor;
-kryerjen e analizave dhe vlerësimeve të përbashkëta,
– verifikimin e përbashkët të ankesave të depozituara mbi veprimtarinë dhe shërbimet e operatorëve ekonomikë etj.
Ashensorët në fokus deri në dhjetor 2020
Siguria jo ushqimore, e lidhur me zbatimin e rregullave teknike për produkte të caktuara, po merr së fundmi vëmendje nga institucionet. Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut, një strukturë në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është duke zbatuar një plan të detajuar masash.
Në një inspektim të zhvilluar nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, dhe kryeinspektori i ISHMT-së, Lavdrim Sahitaj, në një prej qendrave tregtare në kryeqytet, u theksua rëndësia e mbikëqyrjes së tregut për këtë kategori produktesh, veçanërisht për ashensorët.
“Rregullat teknike lidhen kryesisht me sigurinë e konsumatorëve dhe cilësinë e standardeve që ne synojmë të arrijmë. Pas ndryshimeve të fundit ligjore, mbi ashensorët e rinj dhe ata që janë në përdorim, të miratuar këtë muaj, ISHMT po ushtron kontrolle për zbatimin e kushteve teknike nga ana e instaluesve, mirëmbajtësve dhe ndërtuesve, të cilët kanë nën përgjegjësinë e tyre këto pajisje”, tha zëvendësministrja Ikonomi.
Ndërsa Sahitaj theksoi se rregullat teknike, mënyra e certifikimit, shërbimet e mirëmbajtjes, si dhe inspektimet periodike, kanë për qëllim regjistrimin e çdo ashensori, deklaratën e konformitetit sipas standardeve, si dhe funksionimin sipas kushteve teknike.
ISHMT-ja aktualisht është duke kryer inspektime në të gjithë vendin dhe u bën thirrje personave përgjegjës dhe importuesve të marrin masa për plotësimin e kritereve teknike dhe inxhinierike të instalimeve. Ekzaminimi i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim, pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2020.
Sektorët që ‘mbikëqyr’ ISHMT:
a) mbrojtjes së konsumatorëve, sipas përcaktimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve;
b) mbrojtjes së pronësisë industriale, sipas përcaktimit të legjislacionit për pronësinë industriale;
c) garantimit të mbrojtjes dhe të respektimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to,
sipas përcaktimit të legjislacionit respektiv;d) inspektimit metrologjik, sipas legjislacionit për metrologjinë;
e) etiketimit për konsumimin e energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji, sipas përcaktimit të legjislacionit për informacionin e konsumit të energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji;
f) kontrollit të detergjentëve të vendosur në treg sipas dispozitave të ligjit për detergjentët;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.