Siguria ushqimore, ende peng e kontrolleve bazike, të ndryshojë edhe Kodi Penal

11/09/2018 3:51 PM 0 komente

Alban Zusi, Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve

 

Aksionet e fundit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tregojnë se ligji i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit dhe rritjes së sigurisë ushqimore, por gjithçka varet nga mënyra sesi zbatohet ky kuadër. Për kreun e Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, duhet pasur kujdes për mënyrën sesi trajtohen rastet e operatorëve dhe publikimi i emrave, ndërkohë që ka nevojë që të përcaktohet qartë se deri në çfarë mase informacioni i punës rutinë i transmetohet publikut.

Ai nënvizon se opinioni publik dominohet nga dy qëndrime, ku i pari është publikimi i emrave për operatorët që kapen në shkelje dhe i dyti është për një menaxhim më të moderuar të informacionit, për të mos cenuar tregun dhe konkurrencën.

Për të ndërgjegjësuar dhe për të rritur përgjegjshmërinë e operatorëve mbi sigurinë, ai thekson se është e nevojshme që të bëhen ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, kurse lidhur me kontrollet e autoriteteve, vlerëson se ato mbeten ende bazike, duke u ndalur te pjesa e higjienës kur, në fakt, tashmë duhet të ishim në fazë më analitike.

Ku ndodhet sot vendi ynë në aspektin e sigurisë ushqimore e lidhur kjo me kuadrin ligjor por edhe zhvillimet që shohim sot, pasi aksioni i fundit i AKU duket se ka nxjerrë në pah një problematikë serioze?

Për sa i përket pjesës ligjore, baza dhe aktet rregullative për të vendosur sigurinë ushqimore ekziston dhe këtë e tregon edhe zhvillimi i fundit ku Ministria e Bujqësisë, por edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pa bërë asnjë rregullim të ri, por thjesht me një qasje të re të zbatimit të atyre që ekzistojnë, kanë sjellë shumë ndryshime. Dhe sot mund të themi se kemi një situatë më të përmirësuar të sigurisë ushqimore në vend, veçanërisht në zinxhirët kryesorë ushqimorë, siç është zinxhiri i prodhimit të mishit, që është edhe më i rrezikshmi apo zinxhiri i prodhimit të qumështit e në fund, edhe ai i drithërave dhe miellit.

Dua të them se edhe me këtë bazë ligjore që kemi, nëse ekziston vullneti dhe profesionalizimi i nevojshëm, ne mund të kemi një situatë shumë më të mirë për sigurinë ushqimore. Por përsëri nuk mund të themi se gjithçka shkon mirë në kuadrin ligjor, sepse ka shumë problematika, duke nisur nga ndarja e kompetencave mes institucioneve brenda të njëjtit sistem. Këtu mund të përmend paradoksin që çuditërisht nuk po zgjidhet me segmentarizimin e inspektimit veterinar në tre institucione të ndryshme, që është një situatë krejtësisht e papranueshme, për të vazhduar më tej me mungesën e akteve të qarta të përgjegjësive të palëve dhe faktorëve që kanë për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, po kështu mungesën e certifikatave fitosanitare dhe veterinare në të dy zinxhirët dhe duke përfunduar pastaj me përcaktimet e Kodit Penal për krimet që ndodhin nga operatorët e biznesit ushqimor, të cilat parashikojnë penalitet për një operator, vetëm nëse ndodh që një konsumator të vdesë apo sëmuret rëndë.

Në çdo rast tjetër të përcaktimit apo identifikimit të papërgjegjshmërisë apo ndoshta dhe fajësisë në prodhimin e një produkti të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorit, askush nuk mund ta dërgojë para gjykatës për ta ndëshkuar një operator, për sa kohë dikush nuk është lënduar apo më keq akoma, nuk ka vdekur për shkak të produktit.

Nëse bëjmë një klasifikim të sektorëve me risk të lartë, lidhur me rrezikun ushqimor si mund t’i ndajmë ato dhe si paraqiten këta sektorë në fakt në Shqipëri sipas këndvështrimit tuaj?

Në të gjithë Europën, sektori që ndiqet në mënyrë të drejtpërdrejtë është sektori i therjes së kafshëve. Në çdo vend të unionit, çdo kafshë inspektohet individualisht nga një veteriner zyrtar, pikërisht aty ku është edhe rrezikshmëria më e lartë për konsumatorin. Pastaj vijnë me radhë sektori i bulmetrave, ushqimet e tjera me origjinë shtazore, të cilat kanë në përbërje të tyre adizivë, frutat dhe perimet e kështu me radhë. Fatkeqësisht, AKU sot është e detyruar të përballet me kontrolle bazike, siç janë ato të kushteve të higjienës në mjedisin e punës.

Në fakt do të duhej që situata e kushteve të higjienës të ishte tashmë e tejkaluar, si prioritet dhe trupat inspektuese do të duhej të ishin në terren për investigime dhe inspektime më të thelluara dhe më të sofistikuara të tipit analitik të përbërjes së produkteve, të kartave teknologjike, të garancive ndaj konsumatorit, për të mos pasur në qarkullim produkte të falsifikuara apo mashtruese çka në fakt duket disi e largët si detyrë dhe si prioritet për dy faktorë.

Së pari, ende ne kemi probleme shumë të mëdha me higjienën në vendin e punës, veçanërisht kur flasim për biznese të vogla dhe të mesme dhe së dyti, kemi personel në përbërje të trupës inspektuese të AKU, me kufizime të mëdha profesionale, të cilët janë ende larg për t’i kuptuar problemet e sofistikuara të rrezikut ushqimor e jo më për t’i menaxhuar dhe për t’i parandaluar ato.

Ka një reagim të vazhdueshëm të publikut sa herë dalin rastet kur është cenuar siguria ushqimore ku kërkohen emra të kompanive. Kërkohen emra për ata që ngarkesa është bllokuar në magazinë, në doganë në dyqan. Si e parashikon ligji këtë aspekt?

Është një temë shumë debatuar dhe fatkeqësisht edhe njerëz, të cilët kanë një kulturë profesionale apo kanë mbajtur edhe poste drejtuese në sistem, ose nuk arrijnë ta kuptojnë ose me keqdashje e keqinterpretojnë problemin e publikimit të emrave, në rastet e problematikave me produkte të operatorëve të ndryshëm të biznesit.

Ajo që së pari unë kam për të thënë për këtë çështje është që, kur produkti konsiderohet i rrezikshëm për konsumatorin, ai duhet informuar menjëherë vetëm në një rast: kur produkti është në treg të lirë, kur është në raftet e supermarketeve dhe tregtuesi i mallit të rrezikshëm për shëndetin nuk është në gjendje ta tërheqë në mënyrë të menjëhershme atë produkt. Në këtë rast, pa diskutim të duhet të bësh njoftime publike, të cilat kalojnë përtej një publikimi të emrit të thjeshtë të subjektit.

Në këtë rast duhet të ketë informacion publik në të gjitha mediat dhe në të gjitha kanalet e tjera të informimit dhe mundësisht edhe njoftime kryesore tregtare për llojin e produktit, lotin e tij dhe çdo info tjetër që ndihmon konsumatorin që të mos e blejë një produkt, i cili nga analizat apo inspektimet e AKU ka rezultuar i dëmshëm për shëndetin e konsumatorit. Në çdo rast tjetër, kur produkti ndodhet në kontejner, në tragete apo në pika kufitare apo magazina të biznesit, ose në proces prodhimi, është abuzive dhe e rrezikshme nga pikëpamja e së drejtës tregtare dhe konkurrencës së lirë në treg, që të publikosh emra kompanish për produkte jo konforme.

A ka vend për panik për sigurinë ushqimore?

Pyetja juaj është e drejtë por është shumë e vështirë ta ndash, nëse njoftimet që bën AKU, për bllokime kontejnerësh jo konform ligjit me mish apo zbulime produktesh të tjera, bëjnë mirë apo keq. Ka dy qëndrime. Qëndrimi i parë është ai i operatorëve të biznesit të cilët, në mënyrë absolute, janë kundër njoftimeve të kësaj natyre, pasi në fakt, ato nga njëra anë duket sikur ndikojnë në një lloj trembje të konsumatorit dhe jo rrallëherë, njoftime për kapje produktesh të pasigurta apo identifikime subjektesh që prodhojnë në kushte të papërshtatshme, kanë ndikuar ndjeshëm në nivelin e shitjeve.

Por, nga ana tjetër, ka dhe një qëndrim tjetër që mbështet faktin se duke demonstruar që AKU tashmë ka filluar të këtë nën kontroll situatën, konsumatorit mund të fillojë t’i rritet besimi te sistemi publik i kontrollit, veçanërisht te prodhimet vendase dhe në këtë mënyrë, të kemi një ndërgjegjësim të opinionit publik që tashmë situata me sigurinë ushqimore është më e përmirësuar dhe ka më shumë besueshmëri për të konsumuar veçanërisht produktet vendase. Unë personalisht i has të dyja opinionet dhe nuk jam në gjendje të vlerësoj se cili prevalon në momentin aktual.

Paniku apo qetësia e konsumatorit? Di të them që pa diskutim që ka përmirësim të opinionit publik dhe një qetësi më të madhe të konsumatorit për shkak të vendosmërisë së kohëve të fundit nga ana e lidershipit të Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU, por ndoshta është e nevojshme që të bëhet një studim i opinionit publik për të përcaktuar qartësisht nivelin dhe masën se deri ku duhet të informohet opinioni publik për atë që në fakt, është një punë rutinë e AKU, siç është zbulimi dhe kthimi pas i mallrave të problematikës së importit apo zbulimi, gjobitja dhe mbyllja e operatorëve që nuk plotësojnë standardet apo nuk respektojnë kërkesat e ligjit për ushqimin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of