Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe trupa të tjera certifikuese që sigurojnë rregullat e konkurrencës te fermerët dhe informacionin e nevojshëm te konsumatori, për cilësinë e produkteve bujqësore do të miratohen edhe kontrollohen nga Komisioni për Miratimin dhe Auditimin e Trupave Certifikuese (KMATC).
Komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, që do të kryesohet nga zëvendësministri i Bujqësisë. Në fletoren zyrtare është botuar vendimi për përbërjen, funksionin dhe detyrat e trupës audituese bazuar në ligjin “Për skemat e cilësisë të produkteve bujqësore dhe ushqimore” i miratuar në 2019. Vendimi përcakton se në përbërje të komisionit do të jetë edhe drejtori i drejtorisë përgjegjëse për skemat e cilësisë, në ministrinë e Bujqësisë; një përfaqësues nga institucioni për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, me eksperiencë mbi 5-vjeçare, pjesë e strukturës së kontrollit të skemave të cilësisë, sipas ndarjes së funksioneve, bazuar në analizën e riskut; një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, me eksperiencë në fushën e produkteve bujqësore dhe ushqimore; një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor, nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Detyra e komisionit do të jetë të vlerësojë për miratim kërkesën e trupave certifikuese për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara me STG, EOM dhe TGJM me specifikimet përkatëse, para tregtimit. Autoritetet kompetente për kryerjen e verifikimit të përputhshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, të regjistruara si STG, EOM dhe TGJM, me specifikimet përkatëse, para vendosjes së tyre në treg, janë: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe trupat certifikuese, të miratuara.
Komisioni miraton trupat certifikuese, nëse plotësohen kushtet e akreditimit, në përputhje me Standardin Europian EN 45011 ose ISO/IEC17065, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e akreditimit. Trupa certifikuese e miratuar do të pajiset me një numër identifikimi.
Vendimi përcakton se edhe plani i kontrollit të trupave certifikuese për kryerjen e verifikimit të përpunueshmërisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore do të miratohet nga Komisioni i Auditimit. Puna e kontrollorëve do të shqyrtohet do të vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni, duke shmangur mbivendosjen me auditin e kryer nga organizmi akreditues.
Anëtarët e komisionit propozohen nga institucionet përkatëse dhe emërohen e shkarkohen me urdhër të ministrit. Emërimi i anëtarëve të komisionit bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Ministri i Bujqësisë cakton, me urdhër, kryetar të komisionit zëvendësministrin përgjegjës për skemat e cilësisë. Në vendim përcaktohet se shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarit të komisionit përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit nëse nuk paraqitet në 3 mbledhje të njëpasnjëshme të komisionit dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa apo me kërkesën e tij për dorëheqje. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion publik i cili i raporton Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, është përgjegjës për kontrollin e zbatimit te legjislacionit që ka të bëjë me sigurinë e ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. AKU konsiston në tre drejtori në nivelin qendror dhe 12 drejtori rajonale. AKU menaxhon 11 laboratorë rajonalë të cilët kryejnë analiza të sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.