Në tre muajt e parë të vitit të ardhurat e tregut të sigurimeve të Jo-Jetës u rritën me rreth 18%, duke arritur në rreth 3.2 miliardë lekë. Ndërsa numri i kontratave u rrit me ritëm më të ngadaltë (10.3%), çka tregon se janë blerë polica më të shtrenjta sigurimi. Sigurimet motorike kanë pasur rritje prej rreth 14%, duke bërë që pesha ndaj totalit të arrijë në rreth 65%. Kjo tregon edhe varësinë e madhe që ka tregu ndaj këtij segmenti. Dëmet e paguara u rritën me rreth 73.5% duke arritur në rreth 1.3 miliardë lekë.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se shoqëritë e sigurimit që patën rritje të madhe të primeve të shkruara bruto ishin Insig me rreth 45.5% dhe Ansig me rreth 42%. Rritje pati edhe Albsig me rreth 29%.
Tregu vazhdoi të dominohet nga Sigal Uniqa Group Austria e cila në fund të marsit 2017 zuri 28.7%, shifër kjo e njëjtë me atë të periudhës janar – mars 2016 me 28.8%.
Ndërsa Eurosig humbi terren në tremujorin e parë të vitit 2017, duke qenë se kjo përkon edhe me kohën kur INSIG realizoi shkëputjen si kompani më vete. Në periudhën janar – mars 2017, Eurosig zuri 15.8% nga rreth 17% që zinte një vit më parë.
Me humbje të kuotave rezultoi edhe Sigma Interalbanian Vienna Insurance, 14.8% nga rreth 15.2% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.