Gjatë periudhës janar – prill 2014 primet e shkruara bruto të sigurimeve të “Jetës” arritën mbi 343 milionë lekë, ose rreth 6.63% më shumë se e njëjta periudhë e të vitit të kaluar. Tendenca pozitive e primeve nuk u arrit dot të ruhej nga ana e shoqërive për sa i përket pagesës së dëmeve që u llogaritën 827 milionë lekë dëme ose 1.30% më pak se në janar – prill 2013.
Sipas të dhënave të raportit të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare edhe pse në total ky segment i tregut shënoi rritje, klasat kryesore e mbyllën 4-mujorin me rënie të primeve të shkruara bruto, kur ndër to edhe “Jetë Debitori” që realizoi rreth 3% më pak prime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Dy klasat që njohën rritje të sigurimeve ishin “ Jetë studenti” ( 30.4%), dhe “Jetë me kursim” ( 71.7%).
Sa i përket ecurisë së primeve të realizuara nga tri kompanitë rritjen më të lartë e shënoi Sigal Life Uniqa Group Austria me rreth 17%, ndërsa kompani me aksione shtetërore INSIG vazhdon të performojë negativisht, rënie primeve u llogarit në 17%.
Falë rritjes së primeve Sigal Life Uniqa Group Austria rriti kuotat në treg duke zënë në 4-mujorin e 2014 60% të tregut nga 54% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa INSIG zotëroi në të njëjtën periudhë rreth 17% të tregut, nga rreth 21% që kishte në janar-prill 2014.
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jetës
Burimi : AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.