Tregu i sigurimeve të Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2014, arritën në rreth 604 milionë lekë ose rreth 10.3% më shumë se në vitin e kaluar. Pavarësisht kësaj rritjeje pozitive, ky segment ka humbur “terren”, pasi pjesa e tij ndaj totalit ka arritur në 9.4% nga rreth 12% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tregon se tregu i sigurimeve do të vazhdojë ende të orientohet (rreth 90%) nga sigurimet e Jo – Jetës.
Pagesa e dëmeve gjithashtu ka pasur ecuri pozitive, pasi rritja u llogarit në rreth 53% ose në rreth 53 milionë lekë.
Sa i përket ecurisë së primeve të kompanive që operojnë në këtë treg, të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes tregojnë se INSIG shënoi rënie me rreth 26% me bazë vjetore, duke arkëtuar vetëm 76 milionë lekë. Sigal Life Uniqa Group Austra për periudhën
janar – korrik 2014 rriti primet me rreth 21.5%, ndërsa shoqëria tjetër që operon në këtë treg, Sicred pati rritje me rreth 11%.
Gjatë 7-mujorit të vitit 2014 Sigal Life Uniqa Group Austra vazhdoi të forconte pozitat në treg, duke zotëruar 65.3% të tij nga rreth 59% që zinte në të njëjtën periudhë të vitit 2013. Ndërsa, shoqëria me kapital shtetëror, INSIG për periudhën janar – korrik 2014 zuri rreth 13% nga rreth 19% që zinte një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.