Sektori i sigurimeve e mbylli vitin 2019 me rezultat negativ financiar prej 2.8 milionë eurosh, me rritje 75% me bazë vjetore. Shoqëritë më të mëdha të sigurimeve nga Shqipëria kryesojnë tregun edhe në Kosovë
Asetet e sektorit të sigurimeve, në vitin 2019, arritën në rreth 194 milionë euro, ose rreth 2.7% të aseteve të sistemit financiar. Për vitin 2019, aktivet e tregut të sigurimeve u rritën me 10.3%.
Sigurimet “jo-jetë”, që njëherësh kanë edhe pjesëmarrjen më të lartë në gjithsej asetet e sektorit, me rreth 91%, shënuan rritje vjetore prej 10.5% në vitin 2019. Ndërsa sigurimet e jetës, që përbëjnë pjesën e mbetur të aseteve, shënuan rritje vjetore prej 8.5%. Primet e sigurimit përbëjnë rreth 1.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës.
Vlera e primeve të shkruara bruto nga siguruesit në vitin 2019 arriti në 99.2 milionë euro, një rritje vjetore prej 7.7% Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit “jo-jetë”, të cilat përfaqësojnë 96.5% të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e tyre gjatë kësaj periudhe, prej 95.7 milionë eurosh, është 7.4% më e lartë se në vitin 2018. Nga gjithsej 11 siguruesit “jo-jetë” gjatë këtij viti, 10 prej tyre shënuan rritje në nivelin e primeve të shkruara bruto, ndërsa vetëm një sigurues u karakterizua me rënie vjetore të primeve të shkruara.
Primet e shkruara për frymë arritën në 55.2 euro në vitin 2019, nga 51.3 euro një vit më parë. Njëlloj si në Shqipëri, tregu vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme, që përbëjnë rreth 60% të primeve të shkruara bruto.
Sektori i sigurimeve e mbylli vitin 2019 me rezultat negativ financiar prej 2.8 milionë eurosh, në dallim nga viti i kaluar kur shënoi rezultat pozitiv financiar prej 1.6 milionë eurosh. Siguruesit e jetës vazhdojnë të gjenerojnë rezultate pozitive, prej 460 mijë eurosh, por edhe ata në rënie krahasuar me fitimin prej 584 mijë eurosh në vitin 2018.
Ndërsa, siguruesit e jo-jetës shënuan humbje prej 3.3 milionë eurosh, krahasuar me fitimet prej 1 milion eurosh në vitin 2018. Ky rezultat financiar erdhi falë rritjes më të lartë të dëmeve të ndodhura prej 11.5%, kundrejt rritjes së të ardhurave neto nga primet, prej 3.3% dhe njëkohësisht rritjes vjetore të shpenzimeve operative të sektorit prej 5.4%.
Tregu i sigurimeve në Kosovë ka një shkallë të ulët përqendrimi dhe diferencat mes kompanive në ndarjen e primeve janë ndjeshëm më të ulëta se në Shqipëri. Indeksi HHI (Herfindahl-Hirschmann) për primet e shkruara bruto për vitin 2019 ishte 930 pikë, shifër që tregon nivel të ulët përqendrimi.
Kompania më e madhe zotëronte rreth 12.3% të primeve të shkruara bruto, ndërsa gjashtë kompani të tjera zotëronin më shumë se 10% të tyre. Edhe për shkak të përqendrimit të ulët, asnjë prej kompanive të sigurimit nuk përfshihet ndër 50 më të mëdhatë për nga xhiroja në vitin 2019.
Sigal
Sigal Uniqa Group Austria ishte kompania më e madhe në Kosovë për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Sigal raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e 12 milionë eurove, në rritje vjetore me 14.3%. Për vitin e kaluar, Sigal mbante rreth 12.3% të tregut sipas primeve të shkruara bruto. Struktura e primeve dominohet nga sigurimet e detyrueshme me rreth 55% të totalit.
Sigal, vitin e kaluar, pagoi 5.1 milionë euro dëme, duke u renditur e treta në tregun e Kosovës për nga vlera e dëmeve të paguara. Sigal Uniqa Group Austria Kosovë është pjesë e kompanisë me të njëjtin emër në Shqipëri dhe ka si kontrollues fundor grupin austriak, Uniqa Group Austria.
Sigma
Sigma Vienna Insurance Group u rendit e dyta për nga vlera e primeve të shkruara bruto për vitin 2019, me 10.9 milionë euro, në rritje vjetore me 7%. Me këtë shifër, Sigma mbante 11.1% të tregut të sigurimeve të jo-jetës për vitin e kaluar. Sigma është një nga tre kompanitë me një strukturë primesh të dominuar nga sigurimet vullnetare, me pak më shumë se 51% të totalit.
Vitin e kaluar, Sigma pagoi 5.8 milionë euro dëme, 69% më shumë krahasuar me vitin 2018. Vitin e kaluar, Sigma u rendit e dyta për nga vlera e dëmeve të paguara, me 11.5% të totalit. Sigma Kosovë është pjesë e grupit austriak të sigurimeve, Vienna Insurance Group.
Illyria
Kompania e tretë për nga vlera e dëmeve të shkruara bruto është Illyria. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, vlera e primeve të shkruara bruto të kompanisë për vitin e kaluar ishte 10.32 milionë euro, në rritje vjetore me 10%. Illyria mbante 10.52% të tregut të sigurimeve sipas primeve të shkruara bruto vitin e kaluar.
Illyria ishte kompania që pagoi më shumë dëme në Kosovë vitin e kaluar, për një shifër totale prej më shumë se 6.9 milionë eurosh, ose 13.7% të totalit. Vlera e dëmeve të paguara u rrit me 30% krahasuar me një vit më parë. Illyria është kompani me kapital slloven, e zotëruar në masën 100% nga kompania “Pozavarovalnica Sava Re”.
Scardian
Kompania e katërt më e madhe nga vlera e primeve të shkruara bruto vitin e kaluar ishte Scardian, me 10.05 milionë euro, ose rreth 10.5% të tregut. Për vitin 2019, regjistroi një rritje të primeve me pothuajse 16%. Më shumë se 60% e primeve erdhën nga sigurimet e detyrueshme. Scardian pagoi rreth 3.1 milionë euro dëme gjatë vitit 2019, në rritje vjetore me 30%. Scardian renditej e shtata për nga vlera e dëmeve të paguara, me 6.15%. Scardian është kompani me kapital vendas, e zotëruar nga “Fundway llc” dhe me kontrollues fundorë dy biznesmenët, Akan Ismaili dhe Bujar Musa, secili me 50% të aksioneve.
Elsig
Kompania Elsig u rendit e pesta për vitin 2019, në vlera të primeve të shkruara bruto të përafërta me Scardian. Edhe Elsig mbante rreth 10.05% të tregut, sipas primeve të shkruara bruto. Elsig ishte një nga kompanitë me rritje më të lartë të primeve për vitin në fjalë, me më shumë se 27%.
Ajo ishte një ndër kompanitë ku struktura e primeve dominohej dukshëm nga sigurimet e detyrueshme, me rreth 65% të totalit. Elsig pagoi 3.35 milionë euro dëme, ose 6.62% të totalit të dëmeve të paguara nga siguruesit në Kosovë. Elsig është kompani me kapital 100% vendas, në pronësi të biznesmenit Agim Elshani.
Eurosig
Kompania e gjashtë për nga vlera e primeve të shkruara bruto ishte Eurosig. Për vitin 2019, Eurosig raportoi prime në vlerën e 9.97 milionë eurove, ose 10.17% të tregut. Eurosig ishte e vetmja kompani sigurimesh që pësoi rënie të primeve të shkruara bruto, me 8% më pak krahasuar me vitin 2018. Ajo ishte një nga tre kompanitë ku primet nga sigurimet vullnetare ishin më të shumta krahasuar me sigurimet e detyrueshme.
Për vitin 2019, Eurosig pagoi 4.5 milionë euro dëme, ose afërsisht 9% të dëmeve totale të paguara nga industria e sigurimeve. Dëmet pësuan rënie me 18% krahasuar me një vit më parë. Eurosig është kompani me kapital shqiptar dhe me aksioner kontrollues biznesmenin Kadri Morinaj.
Prisig
Kompania e shtatë më e madhe për nga primet e shkruara bruto ishte Prisig, me një vlerë prej 9.86 milionë eurosh, ose rreth 10.1% të tregut. Prisig ishte gjithashtu një kompani me rritje të lartë vjetore të primeve, me gati 29% më shumë krahasuar me vitin 2018. Edhe Prisig ka një peshë mjaft të lartë të sigurimeve të detyrueshme, me pothuajse 70% të primeve të shkruara bruto.
Prisig, vitin e kaluar, pagoi 3.6 milionë euro dëme, 108% më shumë krahasuar me një vit më parë. Prisig ishte kompania e pestë në renditjen e dëmeve, me rreth 7.2% të totalit. Prisig është kompani me kapital vendas, në pronësi të biznesmenëve Lulzim Tafa, Bujar Tafa dhe Ilir Tafa.
Dukagjini
Kompania e sigurimeve Dukagjini, vitin e kaluar, raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e 8.13 milionë eurove, ose rreth 8.3% të tregut. Primet e Dukagjinit u rritën me më shumë se 22% krahasuar me një vit më parë. Dukagjini është njëkohësisht kompania me peshën më të lartë të sigurimeve të detyrueshme ndaj totalit, me pothuajse 88% të primeve të shkruara bruto.
Dukagjini pagoi dëme në vlerën e 2 milionë eurove, ose 4% të dëmeve totale të tregut të sigurimeve. Në periudhën 2018-2019, Dukagjini tentoi të hynte edhe në tregun shqiptar të sigurimeve, por aplikimi për licencë u rrëzua nga Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Siguria
Kompania Siguria, për vitin 2019, mbante rreth 2.9% të tregut sipas primeve të shkruara bruto. Sipas BQK-së, kompania raportoi 5.8 milionë euro prime, në rritje me 7% krahasuar me një vit më parë. Afërsisht 60% e primeve erdhën nga sigurimet e detyrueshme. Siguria pagoi vitin e kaluar rreth 3.4 milionë euro dëme, ose afërsisht 6.8% të dëmeve totale të paguara nga siguruesit në Kosovë. Siguria është kompani me kapital vendas, në pronësi 100% të biznesmenit Behgjet Pacolli.
Sigkos
Sigkos ishte kompania me rritjen më të shpejtë në vitin 2019. Primet e shkruara bruto të kompanisë u rritën me 54% dhe arritën vlerën e 2.8 milionë eurove. Me këtë shifër, Sigkos arriti të zotëronte rreth 2.9% të tregut të sigurimeve. Më shumë se 60% e primeve të Sigkos erdhën nga sigurimet e detyrueshme. Kompania pagoi rreth 761 mijë euro dëme, ose 1.5% të dëmeve totale të tregut në vend. Sigkos është kompani me kapital vendas, në pronësi të biznesmenëve Hashim Deshishku dhe Milazim Zeqiraj.
INSIG
Kompania e fundit në tregun e sigurimeve për vitin 2019 ishte INSIG. Ajo raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e 1.7 milionë eurove, ose 1.7% të tregut. INSIG Kosovë e ndërpreu aktivitetin në prill të vitit 2019, pasi autoriteti mbikëqyrës, BQK, i hoqi licencën për shkak të mosplotësimit të parametrave të kërkuara rregullatore. Që nga privatizimi, në vitin 2016, INSIG Kosovë ishte pjesë e kompanisë shqiptare të sigurimeve Eurosig.
Tregu i jetës dominohet nga Illyria Life
Tregu i sigurimit të jetës në Kosovë, për vitin 2019, kishte përmasa mjaft të vogla, me vetëm 3.45 milionë euro prime të shkruara bruto. Në këtë treg operojnë vetëm dy kompani, Illyria Life dhe Sigal Kosova Life. Vitin e kaluar, tregu u dominua nga Illyria Life, me pothuajse 68% të primeve, ndërsa Sigal Kosova Life mbante pjesën e mbetur prej 32%.
Dëmet totale të paguara në këtë treg, për vitin 2019, ishin rreth 700 mijë euro, nga të cilat mbi 73% u paguan nga Illyria Life dhe pjesa e mbetur, nga Sigal Kosova Life.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.