Sigurimi i pronës apo banesës ndaj fatkeqësive mbetet në nivele të ulëta në vend ku deri në korrik, primet e shkruara bruto në kategorinë zjarri dhe dëmtime të tjera ishin rreth 1 miliardë lekë.
Kjo shifër përfaqëson rënie 10 për qind në raport me një vit më parë. Por teksa sigurimi vullnetar i pronës mbetet në minimum vëmendja rikthehet në kohë të vështira sikurse ishte fundjava e shkuar përkufizuar nga disa tërmete. Nisur nga kjo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka bërë thirrje qytetarëve se të gjithë ata që duan të dinë më shumë rreth përfitimeve që sjell një kontratë sigurimi e pronës mund të drejtohen pranë këtij institucioni për asistencë.
“Nisur nga situata e ditëve të fundit, shkaktuar nga tërmeti i datës 21 shtator 2019, çdo qytetar mund të marrë asistencë pranë AMF-së për t’u informuar për përfitimet nga kontratat e sigurimit të pronës dhe banesave nga katastrofat natyrore si tërmetet, zjarri, përmbytjet, etj.
Për të gjithë ata që disponojnë një kontratë të tillë dhe kanë nevojë për informacione në lidhje me përfitimet nga kontrata, të drejtohen pranë shoqërive të sigurimit ku janë siguruar.
AMF për çdo asistencë, problematikë apo ankesë, vendos në dispozicion linjat e komunikimit si më poshtë:
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Rruga “Dora D’Istria” Nr. 10, Kutia Postare 8363, Tiranë, Shqipëri
Numri i gjelbër: 0 800 69 69
Tel: + 355 – (0) – 4 – 2257560
Email: [email protected]
Regjistri online i ankesave: https://crm.amf.gov.al/
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, informon të gjithë qytetarët se çdo shoqëri sigurimi ofron produkte për sigurimin vullnetar të pronës dhe banesave nga katastrofat natyrore si një mundësi e mirë për tu mbrojtur nga katastrofat natyrore”thuhet në njoftim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.