Sigurimi i shëndetit, më pak se dy euro për frymë, por rritet me 13% për 8 mujorin

13/10/2020 12:00 PM 0 komente

Për tetë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar 536 milionë lekë ose rreth 4.3 milionë euro për sigurimin privat të shëndetit.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një rritje të primeve në këtë klasë sigurimi me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është një ndër produktet e pakta të sigurimit që paraqitet në rritje këtë vit, por vlerat ngelen tejet modeste, ashtu si gjithë tregu i sigurimeve vullnetare në përgjithësi. Vitin e kaluar, shqiptarët shpenzuan më pak se dy euro për frymë në sigurime private të shëndetit.

Nëse tërmetet e vitit të kaluar nuk sollën ndonjë rritje masive të sigurimit të pronës, as fatkeqësia e madhe shëndetësore e këtij viti, Covid-19, nuk ka sjellë përmbysje të mëdha tek sigurimet e shëndetit. Skemat e sigurimit privat të shëndetit janë pak të përdorura dhe në një pjesë të madhe ofrohen në formën e përfitimeve nga kompani të veçanta për punonjësit e tyre.

Shërbimi shëndetësor falas për të gjithë është ende larg. Sistemi i sigurimeve të detyrueshme shëndetësore në Shqipëri ofron falas shumicën e shërbimeve, nëse pacienti ndjek një sistem të caktuar reference. Por, për shkak të cilësisë e dobët e shërbimit, mungesës së stafi të specializuar jashtë qendrave të mëdha urbane, korrupsionit dhe kapaciteteve të pamjaftueshme për shërbime të veçanta, shpeshherë pacientët detyrohet t’i marrin pranë qendrave shëndetësore private. Në shërbimin spitalor ka shpesh mungesë të barnave të domosdoshme, që jo rrallë të sëmurët detyrohen t’i sigurojnë dhe t’i paguajnë vetë.

Shembulli më i fundit është pandemia e Covid-19, ku pacientët që trajtohen në kushte shtëpie janë të detyruar të paguajnë vetë të gjithë koston e barnave dhe kurave të tjera.

Në ekonomitë më të zhvilluara, një pjesë e mirë e nevojave për kujdes shëndetësor mbulohen nga skemat private të sigurimeve. Në Shqipëri, shpenzimet e paguara nga kompanitë e sigurimeve janë modeste, me rreth 270 milionë lekë në tetëmujorin e këtij viti dhe rreth 436 milionë lekë për të gjithë vititn 2019.

Një sistem që as nuk ofron shërbim të mjaftueshëm shëndetësor publik dhe as nuk nxit sigurimin privat deri tani ka prodhuar një barrë të rëndë financiare për shqiptarët. Të dhënat e Bankës Botërore e rendisin Shqipërinë si një ndër vendet me pagesat më të larta nga xhepi i qytetarëve për shërbimet shëndetësore, me rreth 50% të shpenzimeve totale./E.SH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of