Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prej të paktën tre vitesh është në proces rishikimi të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe së fundmi ka depozituar pranë Financave draftin përfundimtar. Por cilat janë disa nga risitë që sheh draft ligji lidhur me sigurimet në sektorin e transportit dhe që synon që të rregullojë aktivitetin në tregun më problematik që ka sot AMF nën mbikëqyrje.
Bonus-Malus
AMF ashtu sikurse pritej ka përfshire edhe një herë sistemin bonus-malus në draftin e ri. (Më herët pasi një tjetër draft që qarkulloi në vitin 2016 sanksiononte pikërisht këtë sistem).
“Sistemi bonus-malus është sistemi i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të siguruarve Certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti” thuhet në draft.
Sot me ligjin ende në fuqi ky sistem nuk ekziston edhe pse sipas të dhënave historiku mbi aksidentet ka filluar të mblidhet qysh nga marsi i vitit 2015 duke krijuar kështu një bazë të parë të dhënash për aplikimin e sistemit.
Tarifat e primit
Kompanitë e sigurimit sot mund të vendosin primet e sigurimit në mënyrë të lirë sipas përllogaritjeve që disponojnë ndërkohë që çdo ndryshim duhet të lajmërojnë paraprakisht AMF të paktën 10 ditë më parë.
Me draftin e ri ky afat tashmë shkon në 30 ditë ndërkohe që kompanitë kufizohen që të mos ndryshojnë çmimin më shumë se dy herë në vit.
“Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet, bazat teknike dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë. Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik” thuhet në draft.
Fondi i Kompensimit, krijohet Ent më vete
Byroja Shqiptare e Sigurimit është sot institucioni që menaxhon Fondin e Kompensimit si dhe atë të garancisë të kartonit jeshil. Me draftin e ri kemi dy organe ku e para është Byroja e Sigurimit dhe së dyti shtohet një Ent që do të menaxhojë Fondin e Kompensimit. Për herë të parë kemi edhe një vlerë minimale të Fondit të Kompensimit i cili nuk mund të jetë më pak se 150 milionë lekë.
“Fondi i kompensimit administrohet nga Enti dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve ndaj pronës dhe ndaj personit të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, për:
- a) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të pasiguruara; b) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të paidentifikuara; c) pagesën e dëmshpërblimit ndaj pasagjerit në rastet kur pronari i një mjeti motorik në transportin publik nuk ka lidhur kontratë për sigurimin e pasagjerë
Vlera minimale e Fondit të Kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve nuk mund të jetë më e vogël se 150 000 000 lekë. Kjo vlerë mbahet nga Enti, si fond garancie në një llogari bankare qëllimore në njërën nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe investohet vetëm në bono thesari dhe/ose depozita bankare, me afat maturimi jo më të vogël se 1 vit”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.