Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, prezantoi këtë të enjte, në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë, raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2020.
Mete bëri një pasqyrim të ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, si dhe masat e marra nga Autoriteti në funksion të garantimit të stabilitetit financiar gjatë një viti të vështirë, nën efektet e pandemisë COVID-19 dhe pasojave të tërmeteve të fundvitit 2019.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se treguesit e 3-mujorit të parë të vitit 2021 sugjerojnë se tregjet nën mbikëqyrje po i kthehen normalitetit. “Tregu i sigurimeve e mbylli 3-mujorin e parë të këtij viti me një rritje prej 12.5% të të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe asetet neto të tregut të investimeve dhe tregut të pensioneve private shënuan rritje për 3-mujorin e parë, perkatësisht me 2.4% dhe 5%,” – tha Mete.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se miratimi së fundmi nga Kuvendi i Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është një zhvillim i rëndësishëm. Miratimi i ligjit përmbush gjithashtu një nga kërkesat e Komisionit Europian në progres-raportet e viteve të fundit. Me hyrjen në fuqi më 1 korrik, ligji pritet të përmirësojë disa aspekte të funksionimit të tregut të sigurimeve, si dhe të sjellë lehtësime për qytetarët.
Drejtori Mete informoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për rolin e Autoritetit si institucioni drejtues i kapitullit 9 në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe për drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit gjatë vitit 2021 dhe në vazhdim.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se Autoriteti do të përqendrohet te ruajtja e qëndrueshmërisë dhe mbikëqyrja efektive e tregjeve, plotësimi i të gjithë kuadrit nënligjor për të bërë plotësisht të zbatueshme ligjet e reja, rritjen e kapiciteteve mbikëqyrëse, avancimin me proceset e digjitalizimit dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, si edhe ndërmarrjen e nismave për edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe investitorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.