Asetet dhe huatë e huadhënësit të falimentuar Silicon Valley Bank (SVB) në SHBA, po blihen nga rivalja First Citizens BancShares.
Dështimi i SVB në fillim të këtij muaji, shkaktoi frikë për stabilitetin e huadhënësve të tjerë, duke shkaktuar rënie të mprehta të aksioneve të bankave në mbarë botën.
Në Europë, shqetësimet për fuqinë e gjigantit bankar zviceran Credit Suisse, çuan në një blerje të nxituar nga rivali UBS.
Tregjet janë ende të shqetësuara, megjithëse aksionet e bankave u hapën më lart të hënën.
Aksionet e Deutsche Bank të Gjermanisë, ranë me 14% në një moment të premten, përpara se të rikuperoheshin pak. Ndërsa tregtimi filloi të hënën, ato u rritën me rreth 3%.
SVB u kap nga rregullatorët amerikanë në fillim të këtij muaji, pas një sulmi në bankë dhe kolapsi i saj u pasua me shpejtësi nga dështimi i një banke tjetër amerikane, Signature Bank.
Shkatërrimi i të dyve ishte dështimi më i madh i bankave në SHBA, që nga kriza financiare e vitit 2008.
Sipas marrëveshjes së blerjes së SVB, të shpallur nga Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (US Federal Deposit Insurance Corporation, FDIC), të 17 ish-degët e SVB do të hapen nën markën First Citizens të hënën.
Klientët e SVB këshillohen të vazhdojnë të përdorin degën e tyre aktuale, derisa të marrin njoftim nga First Citizens Bank, se llogaria e tyre është zhvendosur plotësisht.
First Citizens është i vendosur në Raleigh, Karolina e Veriut, dhe e quan veten banka më e madhe e Amerikës e kontrolluar nga një familje. Ajo ka qenë një nga blerësit më të mëdhenj të bankave me probleme vitet e fundit.
Ajo ka blerë rreth 72 miliardë dollarë asete dhe kredi të SVB, me një zbritje prej 16.5 miliardë dollarësh. FDIC do të mbajë ende rreth 90 miliardë dollarë të aseteve të SVB.
FDIC tha se kostoja e dështimit të SVB për fondin e saj të sigurimit të depozitave, do të ishte rreth 20 miliardë dollarë.
Dega e SVB në Mbretërinë e Bashkuar, u ble nga HSBC në fillim të këtij muaji për 1 £.
Kërcënimi i rritjes së normave
Normat e interesit u ulën ndjeshëm gjatë krizës financiare globale të vitit 2008 dhe përsëri gjatë pandemisë Covid-19, ndërsa bankat qendrore në mbarë botën kërkuan të inkurajonin rritjen ekonomike.
Por, normat janë rritur gjatë vitit të kaluar teksa bankat qendrore përpiqen të frenojnë çmimet në rritje.
Këto rritje të normave, kanë goditur vlerën e investimeve në të cilat bankat mbajnë një pjesë të parave të tyre dhe kanë kontribuar në dështimet e bankave në SHBA.
Shqetësimi që ka nervozuar tregjet financiare, është se mund të ketë probleme të tjera në sektorin bankar, të cilat ende nuk janë shfaqur.
Bankat qendrore në mbarë botën, kanë theksuar se sistemi bankar është i sigurt dhe huadhënësit janë të mirëkapitalizuar.
Sarah Hewin, drejtuesja e kërkimit në Europë dhe Amerikë në bankën Standard Chartered, tha se ekziston një “mjedis shumë delikat” midis investitorëve.
Të dielën, kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se kishte “nevojë për vigjilencë”, duke pasur parasysh turbulencat në sektorin bankar, si dhe paralajmëroi se ishte “e qartë se rreziqet për stabilitetin financiar janë rritur”.
“Në një kohë me nivele më të larta të borxhit, kalimi i shpejtë nga një periudhë e zgjatur e normave të ulëta të interesit në norma shumë më të larta, në mënyrë të pashmangshme gjeneron stres dhe dobësi.” / BBC