Sindikata e Telekomit sot proteston para Qeverisë së Kosovës

23/07/2020 11:21 AM 0 komente

Sindikata e Telekomit ka njoftuar se do të protestojnë sot. Në profilin zyrtar nga sindikata kanë bërë të ditur se do të protestojnë para qeverisë me datë 23 korrik nga ora 13:00. Sipas tyre, disa grupe të errëta dëshirojnë t’i lënë fëmijët e tyre pa bukë.

“Ju njoftojmë se të enjten me dt.23.07.2020 prej orës 13:00, mbahet protestë 24h tek Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Protesta organizohet nga FSP-PTK në mbrojtje të Kompanisë. Do të protestojmë dhe rezistojmë, sepse grupet e errëta dëshirojnë t’i lënë fëmijët tanë pa bukë. Do të protestojmë për t’i treguar këtij shteti se edhe punëtorët e Telekomit janë të Kosovës. Prandaj, bashkohu edhe ti! FSP-PTK “, thuhet në njoftim.

Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare.

Bllokimi është bërë pasi ditë më parë Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin (realizimin) e borxhit milionësh, duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Përmbaruesi privat që përfaqëson “DARDAFON.NET” ka urdhëruar gjatë ditës së djeshme Raiffeisen Bank që nga llogaria e Telekomit të Kosovës brenda 60 minutave të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore, shpenzimet kontestimore dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore.

Lexo edhe këtë: Krizë në Telekomin e Kosovës: Bordi jep dorëheqje, bllokohen llogaritë 

Në tërësi ky borxh kap shumën prej 26,789,532,62 euro.

“Shumën prej 24,684,003,15 Euro në emër të borxhit kryesor. Shumën prej 2,150,00 euro në emër të shpenzimeve konstestimore. Shumën prej 871,40 euro në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore. Shumën prej 374,001,14 euro në emër të efikasitetit për zbatim të përmbarimit dhe. Shumën prej 1,728,506,93 euro në emër të kamatës ligjore. Me propozimin e kreditorit për lejimin e përmbarimit në Zyrën e Përmbaruesit Privat, i është propozuar Përmbaruesit Privat që përmbarimi të realizohet përmes mjeteve të debitorit në llogaritë bankare”.

Kurse, kryeshefja ekzekutive e Telekomit, Burbuqe Hana, ka thënë se janë duke përgatitur një kundërpadi në Arbitrazh ndaj “Dardafone”-it për bllokimin e llogarive bankare.

Sipas saj, asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë për ta mbështetur kompaninë, pasi që me gjithë argumentet e mjaftueshme në favor të Telekomit nuk është pasuar me kundërpadi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of