Grevë njëorëshe do të mbajnë të gjithë punëtorët e sektorit publik më 12 maj në Kosovë, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga. Ndërkaq më 20 maj do të ketë protestë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) ka treguar se kanë vendosur që më datën 12 maj të mbahet grevë një orëshe për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Pagat.
Pas takimit me sindikatat, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.
“BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.
Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se dera për dialog me Qeverinë s’është e mbyllur.
Pos 100 eurove shtesë çdo muaj deri në miratimin e ligjit për paga, Jasharaj ka thënë se sindikatat po kërkojnë që të shohin propozimin për koeficientet në këtë ligj, para se të miratohet në Kuvend.
“Pritja jonë është deri më datën 12 dhe do të ketë një grevë në tërë Kosovën. Pastaj pas kësaj greve do të kemi një protestë besoj madhështore ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’. Dhe nëse edhe nuk reflektojnë sa duhet dhe nuk arrijmë marrëveshje atëherë pas protestës, sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor por edhe tërë sektoret tjera”.
Jasharaj ka thënë se kërkesave nuk iu është thënë jo, por sipas tij, ata po kërkojnë saktësi.
“Pra po i japim hapësirë dialogut, por edhe do të veprojmë e ky veprim do të shihet me 12 maj dhe 20 maj. Kërkesave tona nuk iu është thënë jo, por ne po kërkojmë saktësi. Dy janë kërkesa kyçe të të gjitha sindikatave, pra 100 euro shtesë në paga deri në aprovimin e ligjit të pagave dhe po kërkojmë që ligji i pagave pasi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha që është kryer dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, të ulemi dhe ta shohim a janë respektuar kërkesat e secilës sindikatë. Nëse jo, do të ulemi dhe do të marrim veprime edhe më radikale se këto që i kemi paralajmëruar”.
Kujtojmë se rritja e pagave, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat tjera të sindikatave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.