Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Lidhja Demokartike e Kosovës, që drejtohet nga Isa Mustafa, kanë dhënë sinjale të reja për krijimin e qeverisë së Kosovës. Në fakt, partia e Kurtit i ka bërë një ofertë të re partisë së Mustafës. Në këtë ofertë është propozuar rritja e ministrive, nga 12 sa ishin paraparë të shkohet në 14. Me këtë veprim Albin Kurti i ka shkelur edhe parimet që i kishtë thënë vetë javë më parë. Në LDK kanë thënë se do ta shqyrtojnë më seriozitet ofertën e VV-së.
Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka publikuar propozimin e Vetëvendosjes për arritjen e koalicionit me LDK-në e Isa Mustafës.
Bislimi ka shkruar në Facebook se në takimin e fundit me ekipin e LDK-së iu është thënë se propozimi i tyre do të dërgohet në Këshill të Përgjithshëm, e për këtë arsye thotë se është e pakuptimtë se në partinë e Isa Mustafës po deklarojnë se ende janë duke pritur për propozime të reja.
“Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do e ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media”.
Ai thotë se ka disa persona në LDK që po vazhdojnë të deklarojnë duke e lënë të nënkuptohet se nuk preferojnë koalicion me Vetëvendosjen.
“Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta përcaktojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi”, thotë ai.
Bislimi ka publikuar edhe ofertën që Albin Kurti i ka dorëzuar Isa Mustafës ku konfirmohet se LV ka propozuar 14 ministri.
“Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:
E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 , ku Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”, ka bërë të ditur ai.
Tutje, Bislimi ka konfirmuar se do të bëjnë një formulim të përbashkët edhe për çështjen e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin.
“Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in. Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës”, shkruhet në postimin e Bislimit.
Parimet e shkelura të Kurtit
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tani një prej njerëzve më të afërt të Albin Kurtit, Besnik Bislimi, e ka bërë publik propozimin e fundit që partia e tij e ka dërguar tek LDK-ja.
Në letrën që ai përcjell, e që është shkruar nga Kurti, konfirmohet se është propozuar rritja e numrit të Ministrive në 14. Madje, edhe vetë Albin Kurti e pranon se kjo është një shkelje fjale, meqë premtim i saj ishte se Qeveria Kurti do t’i ketë vetëm 12 ministri.
“Në përpilimin e këtij propozimi, Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12)”, thotë letra e Albin Kurtit.
Ndërkohë, në këtë letër që i është dërguar Mustafës, propozon që rritja e numrit të ministrive t’i konvenojnë vetëm LDK-së e cila do të kishte 6 ministri, ndërkohë pakicat do t’i kishin 3.
Tutje, sipas letrës, propozimi i fundit përfshin edhe lëvizje nga qëndrimi për presidentin, pasi ata kërkojnë që të bëhet një qëndrim i përbashkët.
LDK po e shqyrton ofertën e VV-së
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se çfarëdo lëvizje që kë për qëllim afrimin e qëndrimeve duhet të vlerësohet si përpjekje serioze.
“Nuk mund ta komentoj ofertën dhe detajet e saj sepse ashtu jemi dakorduar në takimet tona të fundit. Por, në parim, çdo përpjekje që qon drejt përafrimit të qëndrimeve, duhet të vlerësohet si përpjekje serioze. Të gjitha propozimet, idetë e vlerësimet që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjes e jo dështimin e saj, duhet të trajtohen me kujdes. Këshilli i përgjithshëm i LDK’së dhe deputetët e LDK’së të cilët kanë mandatin qytetar, janë ata që vendosin përfundimisht”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu ka kritikuar ata të cilët po bëjnë përpjekje për të mos u arritur një marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së.
“Të gjithë zërat, andej e këndej kufirit, që po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për ta parandaluar ndryshimit e për të rrënuar shpresën le ta dinë qartë se ne që bartim peshën e ndryshimit në Kosovë, i kemi edhe gati gjysmë milion qytetar prapa. Qytetarët e bënë ndryshimin me votën e tyre dhe nuk duhet të lejojmë që askush ta ndalë atë”.
Një koalicion mes dy partive tashmë po e kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtar. Vetëm gjatë ditës së djeshme në zyrat e LDK-së ka qëndruar ambasadori amerikan, Philip Kosnett, dhe gjithashtu ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker.
Ëalker ka takuar sot edhe kreun e VV’së, Albin Kurtin, të cilit ia ka dhënë një mesazh shumë të qartë, që të nguten dhe ta krijojnë qeverinë sa më shpejtë./ Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.