Sinjalet e krizës, tregjet përballë rënies globale

30/08/2019 10:04 PM 0 komente

Sinjalet nga bonot e thesarit, monedhat dhe mallrat po bëhen gjithnjë e më alarmante

 

Të kërkosh për të gjetur përgjigjen e shumë pyetjeve te tregjet financiare është njësoj sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë, shkruan The Economist. Informacioni që merret është produkt i blerjes dhe shitjes nga njerëzit, me të gjitha kontradiktat e tyre.

Çmimet pasqyrojnë një ndërthurje të emocioneve, paragjykimeve dhe llogaritjeve objektive. Megjithatë, të marra së bashku, tregjet shprehin diçka si për natyrën e investitorëve, ashtu edhe për natyrën e kohës në të cilën po jetojnë.

Sinjali që i është atribuuar më shpesh tregjeve financiare është vetëkënaqësia. Rreziqet shpeshherë shpërfillen, deri në momentin që është shumë vonë pastaj për të reaguar. Sidoqoftë, gjendja që mbizotëron sot në tregjet financiare, ashtu siç ka qenë edhe në pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, nuk është vetëkënaqësia, por ankthi. Dhe kjo gjendje po thellohet gjithnjë e më shumë, nga dita në ditë. Ajo del në pah kur bëhet fjalë kryesisht për obligacionet qeveritare.

Në Gjermani, ku të dhënat e fundit treguan se ekonomia po tkurrej, u shoqëruan gjithashtu edhe me norma negative interesi, duke filluar që nga depozitat njëditore e deri tek obligacionet 30-vjeçare. Investitorët që blejnë dhe mbajnë obligacione deri në maturimin e tyre, është e sigurt se do të pësojnë humbje të garantuar të parave të tyre. Në Zvicër, interesat negative shtrihen deri në obligacionet 50-vjeçare. Edhe në Italinë e mbytur nga borxhet dhe në prag të krizës, interesi i obligacioneve 10-vjeçare është 1.5%. Ndërsa në Amerikë, kurba është e përmbysur, me normat e interesit për obligacionet 10-vjeçare më të ulëta se ato për bonot tremujore, një situatë kjo që konsiderohet si shumë e veçantë dhe mbi të gjitha, si pararojë e një recesioni të mundshëm.

Kjo situatë, aspak e qetë dhe ku ankthi shihet lehtësisht, është e pranishme edhe në shtete të tjera. Sa i takon monedhave, dollari amerikan ka qenë në pozita të mira kundrejt pjesës më të madhe të monedhave të tjera. Çmimi i arit është në nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit, ndërsa çmimi i bakrit ka rënë ndjeshëm. Pavarësisht kapjes së cisternave të naftës nga ana e Iranit në Gjirin Persik, çmimet e naftës nuk kanë shënuar rritje, përkundrazi, kanë rënë poshtë 60 dollarëve amerikanë për fuçi.

Shumë njerëz kanë frikë se të gjitha këto sinjale të çuditshme janë paralajmërim i një recesioni të mundshëm global. Retë e zeza të kësaj stuhie po afrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, duke ia shtuar asaj zymtësinë. Këtë javë, Kina deklaroi se prodhimi i saj industrial po rritet me ritmin e tij më të ngadaltë që nga viti 2002. Zgjerimi ekonomik 10-vjeçar i Amerikës, një prej më të gjatëve në histori, është tregues i faktit se çfarëdo që të thonë ekonomistët, rënies për të cilën po flasin shumë ndoshta i ka skaduar koha. Por nëse ajo ndodh, me normat e interesit shumë të ulëta, do të jetë e vështirë për ta kaluar.

Investitorët i druhen faktit se bota po bëhet gjithnjë e më shumë si Japonia, me një ekonomi të plogësht dhe duke u përballur me vështirësi për të mposhtur deflacionin. Megjithatë, deri më tani recesioni është thjesht një frikë dhe jo diçka reale. Ekonomia botërore është në rritje, edhe pse me një ritëm më të ngadaltë se ai në vitin 2018. Mbështetja dhe forca e saj më e madhe janë konsumatorët. Hapja e vendeve të reja të punës është rritur, po ashtu edhe niveli i pagave. Janë lehtësuar procedurat për marrjen e kredive dhe nafta është më e lirë. Të gjithë këta tregues do të thonë se ka më shumë para për të shpenzuar. Për më tepër nuk ka pasur sinjale të forta (ose edhe nëse ka pasur, ato kanë qenë shumë të vogla), të cilat normalisht i paraprijnë një rënie të mundshme.

Bordet e kompanive publike dhe aksionerët, të cilëve ata u shërbejnë, janë munduar që të tregohen të kujdesshëm, duke shmangur rreziqet e mundshme. Investitorët kanë favorizuar firmat që gjenerojnë para pa pasur nevojë të shpenzojnë asetet fikse. Kjo reflektohet edhe në fatin jashtëzakonisht të kundërt të tregjeve të aksioneve amerikane me ato europiane, ku të parat mbizotërohen zakonisht nga firmat efikase të internetit dhe ato të shërbimeve që tërheqin fitimet dhe Europa, e cila ankohet se bankat dhe prodhuesit e makinave po ia marrin të gjithë kapitalin.

Por nëse nuk ka pasur ndonjëherë një bum ekonomik dhe nëse ekonomia botërore nuk është përfshirë ende nga kriza, pyetja që lind natyrshëm është se përse janë kaq shumë të shqetësuara tregjet e aksioneve? Ndoshta përgjigjja më e saktë për këtë pyetje është se firmat dhe tregjet po përpiqen që të kuptojnë dhe të përballen me të gjitha pasiguritë e mundshme. Pikërisht, kjo dhe jo tarifat, janë edhe dëmi më i madh që u është bërë atyre nga lufta tregtare midis Amerikës dhe Kinës.

Kufijtë e mosmarrëveshjes përfshijnë një segment të gjerë që fillon që nga taksat e vendosura mbi disa metale e deri te kategoritë e mallrave të gatshme. Kufizimet e reja përfshijnë edhe zinxhirët e furnizimit të teknologjisë. Nëse Japonia dhe Koreja e Jugut do të lejojnë që mosmarrëveshjet e tyre të së kaluarës të ndikojnë edhe në marrëdhëniet e tyre tregtare, atëherë ky po që do të ishte një problem i rëndë dhe që nuk dihet se çfarë fundi mund të kishte.

Duke qenë se është e vështirë që të tërhiqesh nga investimet e mëdha, atëherë firma të ndryshme kanë tendencë që të vazhdojnë zhvillimin e tyre, edhe pse ai nuk po shkon ashtu siç ato prisnin. Sipas një analize të fundit nga JPMorgan Chase, shpenzimet globale të kapitalit po shënojnë rënie. Dëshmitë se investimet po zvogëlohen reflektohen në sondazhet e ndryshme që tregojnë për rënien e ndjenjës së besimit nga bizneset, për ngadalësimin e prodhimit në të gjithë botën dhe për ecurinë e dobët të ekonomive industriale. Duke qenë se bankat qendrore janë në ankth, ato kanë nxjerrë politika lehtësuese.

Në korrik, Rezerva Federale uli normat e interesit për herë të parë në një dekadë, si një masë parandaluese e një rënieje të mundshme. Edhe bankat qendrore në shtete të tjera si në Brazil, Indi, Zelandë të Re, Peru, Filipine dhe Tajlandë kanë ulur të gjitha normat e tyre të interesit që në momentin kur Rezerva Federale veproi në të njëjtën mënyrë. Banka Qendrore Europiane ka shumë mundësi që të rifillojë programin e saj për blerjen e obligacioneve. Përpos këtyre përpjekjeve, ankthi mund të kthehet në alarm dhe rritja e ngadaltë në recesion.

Tre janë sinjalet paralajmëruese më të rëndësishme, të cilat ia vlen të shikohen me vëmendje: I pari është dollari, i cili shihet si një barometër për të matur nivelin e riskut. Sa më shumë që investitorët të përpiqen që të ruajnë sigurinë e monedhës së gjelbër, aq më të larta do të jenë rreziqet me të cilat ata mund të përballen. Në vend të dytë, renditen negociatat tregtare midis Amerikës dhe Kinës.

Papritur gjatë kësaj jave, Presidenti Donald
Trump vonoi tarifat e shpallura në 1 gusht ndaj disa importeve kineze, duke rritur kështu shpresat për arritjen e një marrëveshje. Sinjali i tretë ndaj të cilit duhet të tregohemi të kujdesshëm janë interesat e obligacioneve të korporatave në Amerikë. Nëse njerëzit do të vendosin t’i referohen së kaluarës, ata me siguri që do të gjejnë shumë mospërputhje në konfigurimin e çmimeve të aseteve të sotme.

Ankthi më i madh në tregjet e bonove mund të duket si një formë pamaturie: Si mundet që tregjet të arrijnë të sheshojnë rritjen e populizimit, kur ato janë të frikësuara nga deflacioni? Edhe pse një mendim i tillë mund të tingëllojë i çuditshëm, ndoshta një lehtësim i papritur i ankthit të sotëm mund të çojë në ndryshime drastike të çmimeve, në një rritje të lartë të interesave të obligacioneve. Ndoshta ky mund të rezultojë vërtet të jetë një mendim i çuditshëm dhe i ekzagjeruar por tani për tani, kush po shqetësohet për situatën në të cilën ndodhemi?

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of