Sinjali i interesave

04/02/2012 9:14 AM 0 komente

Banka e Shqipërisë po lehtëson me shpejtësi politikën monetare, duke ulur koston e lekut, por sa pritet të ndikojë realisht në nxitjen e kreditimit. Pikëpyetje mbetet nëse do të jenë në të njëjtën linjë edhe financat. A do ketë harmonizim mes politikës monetare e asaj fiskale?!
Nga Ornela Liperi
Në një lëvizje të papritur, guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi për uljen e normës bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar në nivelin e 4.5%, më i ulëti historik (shiko grafikun). Dy ishin sinjalet e forta që u dhanë nga guvernatori Fullani, (i cili në mandatin e tij të dytë po tregohet mjaft agresiv me politikën monetare, kjo ishte ulja e tretë që nga shtatori 2011), mesazhe, që pritet të kenë ndikim më të madh sesa vetë reduktimi i normës bazë.
Së pari, banka është e bindur që inflacioni në një afat të mesëm do të vijojë të mbetet i ulët, në nivelet 1-3%. Një nga faktorët kryesorë, që po mban inflacionin të ulët, vlerësohet “rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare ka vijuar të mbajë kapacitete të lira në faktorët e prodhimit të punës dhe kapitalit, duke u materializuar në presione të kahut rënës në paga, në kostot e prodhimit dhe në inflacion”. Kjo tendencë pritet të vazhdojë, çka e bën Bankën Qendrore të sigurt se dhe në të ardhmen, prirjet inflacioniste do të jenë të ulëta.
Mesazhi i dytë, edhe më i fortë, ishte qëndrimi se Banka Qendrore mund të vijojë dhe më tej me politikën e saj lehtësuese, që ka të ngjarë ta çojnë normën bazë në nivele të papara ndonjëherë (një politikë e ngjashme me FED, që njoftoi javën e fundit se për tre vjet rresht do të ndiqte një politikë monetare lehtësuese).
Teksa stimujt fiskalë në vend janë ezauruar me kohë (borxhi publik ka arritur në nivelin e 60% të PBB-së dhe vështirë se mund të ulet në afatin e mesëm), pritshmëritë ishin te Banka Qendrore për të vepruar me shpejtësi, në një ekonomi që duket se do të vijojë përkeqësimin. “Lehtësimi i kushteve monetare i shërben nxitjes së kërkesës së brendshme të ekonomisë, e cila mbetet ende e brishtë në prani të pasigurisë së rritur në ekonomi”, pohoi guvernatori Fullani.

Sa do ta ndiejë tregu
Dy janë kanalet kryesore ku pritet të transmetohen sinjalet e lehtësimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, reduktimi i interesave të huave në lekë dhe ulja e kostos së borxhit të qeverisë (yield-i i bonove të thesarit). Është një rrugë ku semafori jeshil jo gjithmonë është i hapur, por ndërsa kredia mund të kalojë dhe me portokalli, për bonot e thesarit të qeverisë mund të ndizet dhe e kuqja.

Kreditë, nis orientimi drejt lekut
Historikisht, efekti i uljes së normës bazë në lekë te nxitja e kreditimit ka qenë relativisht i kufizuar, për shkak të peshës së ulët të huasë në monedhën vendase, rreth 33%. Megjithatë, dy vitet e fundit, Banka Qendrore i ka dhënë prioritet lekut. Më se një vit më parë, Banka Qendrore hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, veprim që synonte të favorizonte përdorimin e monedhës kombëtare, kundrejt përdorimit të valutës në sistemin financiar shqiptar. Së fundmi, në nëntor 2011, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë, “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit” që detyron të gjitha bankat në vend të rrisin sasinë e likuiditeteve që duhet ta ruajnë “të paprekur”. Sipas saj, bankat duhet të përllogarisin dhe të sigurojnë në çdo kohë respektimin e treguesit të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra: në nivelin 20% për çdo monedhë, lek dhe monedha të huaja dhe në total në nivelin minimal 25%. Ndikimi më i madh pritet të jetë te huaja në euro, me bankat që po detyrohen të rrisin likuiditetet në këtë monedhë, duke pasur më pak fonde të disponueshme për huadhënie. Ndonëse kjo rregullore ka hasur në kundërshtimin e disa bankierëve, ajo gjithsesi pritet që të orientojë bankat drejt lekut, të ndihmuara dhe nga ulja e kostos së normës bazë. Ky trend duket se ka filluar tashmë. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për nëntorin 2011, tregojnë për një rënie të stokut të huasë në valutë me bazë mujore, ndërsa kredia në lekë, është rritur 2%, po me bazë mujore.

Gjithsesi, ritmet e rritjes së kredisë nuk pritet të jenë shumë të larta këtë vit. Bankat po shtrëngojnë ndjeshëm kushtet e kredidhënies, teksa dhe situata në Eurozonë nuk po ndihmon aspak. Ethet për plotësimin e raportit të kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% për bankat e Eurozonës deri në qershor 2012, pritet të shoqërohen me ulje të aktiveve në degët e tyre lindore, një shqetësim që ka filluar të ndihet tashmë (shiko shkrimin në vijim: Bankat europiane po reduktojnë huadhënien në EQL). Edhe në Shqipëri (siç është trajtuar gjerësisht nga “Monitor” në numrat e fundit), bankat e mëdha me origjinë nga Eurozona pritet të jenë më pasive si në kreditim, ashtu dhe në pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit.
Ndërsa lehtësimi i politikës monetare pritet që të nxisë huadhënien në lekë, ajo që mbetet për t´u parë është se sa harmonizim do të ketë mes politikës monetare e fiskale. Guvernatori i BSH-së la të nënkuptohej se veprimet e BSH-së do të ishin të efektshme, nëse do të shoqëroheshin me “një politikë fiskale të kujdesshme gjatë vitit 2012 dhe reduktimin e pritur të kontributit të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike”.
Financat kohët e fundit po gjenden nën presion për financimin e borxhit (rrjedhojë e tërheqjes së bankave në reagim të tendencës në Eurozonë të përmendur më lart), çka është konstatuar në rritjen e yield-it të bonove të thesarit në ankandet e para të këtij viti, që nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka Qendrore. Shpresa për kredi të butë nga Banka Botërore kushtëzohet nga një kusht i fortë për uljen e deficitit buxhetor në 2.5% të PBB-së këtë vit, që për financat konsiderohet tepër i vështire.
Bankat, në caktimin e interesave të kredive në lekë, përgjithësisht marrin për bazë yield-in e bonove të thesarit, ndaj mbetet domosdoshmëri që dhe interesi i bonove të ecë në të njëjtën gjatësi vale me atë të normës bazë. Grafiku i mëposhtëm tregon se në përgjithësi, si bonot ashtu dhe REPO kanë ecur në të njëjtën linjë (me një apo dy muaj vonesë), por tregu i bonove nuk ka qenë i sforcuar si aktualisht.

…Në një rezultante, lehtësimi i ndjeshëm i politikës monetare të BSH-së pritet t´i japë gjallëri kreditimit të ekonomisë në monedhën vendase, por efektet gjithsesi pritet të jenë të kufizuara, si për shkak të faktorëve të brendshëm (politika fiskale, shtrëngimi i rregullave të kredidhënies, stepja e biznesit për të investuar) ashtu dhe atyre të jashtëm (tendenca e bankave për të ulur aktivet që konsiderohen me rrezik).
BSH: Do të ruajmë natyrën stimuluese
Këshilli Mbikëqyrës, sipas deklaratës zyrtare, vlerësoi se presionet inflacioniste janë në rënie dhe mbeten të kontrolluara përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Po ashtu, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin mbeten të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 4.50%. Ky vendim i shërben përmbushjes së objektivit afatmesëm për inflacionin dhe njëkohësisht ofron kushtet e nevojshme monetare për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Duke monitoruar gjithnjë përshtatshmërinë e kushteve monetare me objektivin e saj të inflacionit, në këtë skenar zhvillimi, politika monetare e Bankës së Shqipërisë pritet të ruajë natyrën e saj stimuluese gjatë vitit 2012.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of