Mënyrat befasuese të punës nga liderët e bizneseve franceze vijnë për shkak të shqetësimeve lidhur me një ngadalësim të mundshëm ekonomik dhe hezitimit për të punuar në distancë, zbuloi një sondazh i ri.
Amerikanët janë ata që kanë bërë të njohur kulturën e të punuarit me orare të zgjatura, por janë drejtuesit francezë ata që punojnë më shumë, sipas një sondazhi të ri.
Gati katër në dhjetë drejtues biznesesh në Francë pranojnë se punojnë intensivisht, me orare të zgjatura e pa pushime të rregullta, shumë më tepër se mesatarja globale prej 25% dhe normat e larta të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës, zbuloi sondazhi nga agjencia e sigurimit shëndetësor Bupa Global.
Drejtuesit francezë gjithashtu ishin ata me nivelin më të lartë të ankthit lidhur me performancën e tyre individuale në punë, krahasuar me çdo vend tjetër të marrë në studim.
Shqetësimet në lidhje me mundësitë e organizatave të tyre për të përballuar paqëndrueshmërinë aktuale ekonomike, së bashku me hezitimin për të punuar nga distanca krahasuar me kolegët e tyre në vendet e tjera të botës, janë dy faktorët që kanë kontribuar në tendencat e tyre të punës, sipas autorëve të sondazhit.
“Ky kombinim i presioneve të jashtme ekonomike dhe tendencës për të marrë përgjegjësitë mbi shpatullat e tyre, mund të shpjegojë faktin që drejtuesit francezë janë ata që punojnë më shumë,” tha Anthony Cabrelli, drejtor i Bupa Global, një kompani e cila ofron shërbime për punonjësit në distancë, drejtuesit dhe personat me vlerë të lartë neto.
Këto gjetje mund të befasojnë shumë njerëz, duke marrë parasysh politikat e punës dhe stilin e jetesës në Francë. Shumica e punonjësve në Francë kanë një javë pune me vetëm 35 orë punë, ndërsa pushimet verore mund të zënë pjesën më të madhe të muajit gusht.
Në vitin 2017, Franca u bë vendi i parë europian që zbatoi një ligj në lidhje me “të drejtën për t’u shkëputur nga puna”, i cili detyron organizatat që të ndalojnë email-et, thirrjet ose njoftimet e tjera nga vendi i punës pas orareve të caktuara.
Tranzicioni drejt punës në distancë gjatë pandemisë ka nxitur shtete të tjera që të propozojnë legjislacione të ngjashme. Prej shumë vitesh, sipas kodit francez të punës, është e ndaluar që dikush të konsumojë drekën në tavolinën e punës, megjithëse ligji u pezullua gjatë pikut të pandemisë.
Puna e tepërt ishte më e zakonshme te drejtuesit që shkonin në zyrë me kohë të plotë, krahasuar me ata që punonin në distancë, sipas sondazhit të Bupa, i cili anketoi 2,439 individë në tetë rajone të ndryshme midis periudhës gusht-shtator. / Bloomberg