Sekuestrimi deri në konfiskimin e pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme në Shqipëri ka qenë prej vitesh “thembra e Akilit” e përpjekjes së institucioneve për të zbatuar ligjin dhe për t’i shërbyer komunitetit të prekur nga aktiviteti kriminal. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, prej 10 vitesh nga krijimi i saj, pohon se në 2018 ka ndryshime themelore në këtë drejtim, një pjesë e të cilave vijnë nga Reforma në Drejtësi.
Në portofolin e kësaj Agjencie, tashmë janë 12 projekte, njëri prej të cilëve ka nisur të zbatohet. Projekti C.A.U.S.E synon të përdorë pronat e konfiskuara për Sipërmarrje Sociale. Javën e shkuar u hap biznesi i tillë i parë, në Fier, si sipar i zbatimit të një modeli italian…
Nga Deada Hyka
Çdo pronë e vendosur në mënyrë të paligjshme, mbi bazën e një aktiviteti kriminal, sipas ligjit shqiptar vihet nën sekuestro. Në gamën e tyre mund të jenë edhe prona të paluajtshme, mbi të cilat pas sekuestrimit, autoritetet vendosin konfiskimin, proces i cili është nën përgjegjësinë e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe që zgjat dy deri në tre vite. Sipas një raporti të vitit 2017 të kësaj Agjencie, numri i pronave të sekuestruara në Shqipëri ishte rreth 100, prej të cilave gjysma janë të konfiskuara, që kanë mbyllur ciklin e proceseve gjyqësore. Në vitin 2017 si vlerë, pronat e sekuestruara janë më pak se 3 milionë euro.
Ndërsa, sot, sipas kreut të AAPSK, z. Artur Kala, agjencia ka nën administrim 263 pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara në total, me një vlerë prej 30 milionë eurosh të të gjithë aseteve, pronë e paluajtshme apo pasuri si mjete, llogari bankare etj. Numri i pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara ka ardhur në rritje me kalimin e viteve, kjo edhe falë zbatimit më rigoroz të ligjit. Z. Kala thotë se Ligji Antimafia, i rishikuar në vitin 2017, si dhe nisma e Reformës në Drejtësi ka dhënë frytet e para, sidomos duke marrë në konsideratë se numri i pronave të konfiskuara në vitin 2014 ishte 25. Z. Kala pohon se hapat pozitivë kanë qenë adoptimi i modelit italian, si në përpilimin e Ligjit Antimafia, ashtu edhe në zbatimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë, siç është krijimi i sipërmarrjeve sociale dhe krijimi i Fondit të Posaçëm për viktimat e trafikimit, apo që preken nga aktivitetet kriminale.
Ky projekt i ri vjen nën emrin C.A.U.S.E (Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale) dhe mbështetet me grante nga Bashkimi Europian në Shqipëri, në kuadër të Mbështetjes për Shoqërinë Civile – Nisma Qytetare dhe Ngritja e Kapaciteteve.
Partnerët Shqipëri, që është edhe autoriteti kontraktues i nën-grantimit, projektit dhe mbështetësit financiar, zhvillon takime informues me organizatat joqeveritare dhe aktorë të tjerë në Tiranë, lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë ky projekt. Juliana Hoxha, drejtuese e Partnerët Shqipëri, u shpreh se qëllimi i skemës së grantit është ngritja e një modeli të ripërdorimit efektiv të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke inkurajuar organizatat të prezantojnë modele të sipërmarrjeve sociale.
Juliana Hoxha thotë se Agjencia nuk e ka pasur shumë të lehtë t’i rishesë, për shkak të nivelit të lartë të amortizimit të aseteve, por edhe të një lloj “frike” të publikut për të blerë pronat që më parë kanë qenë nën pronësinë e personave të inkriminuar.
“Si pjesë e marrëveshjes që kemi bërë, si element i këtij modeli që duam të sjellim në Shqipëri, është kjo: Agjencia e ofron këtë pronë 5 vjet, me të drejtë përdorimi pa qira, Partnerët Shqipëri ofrojnë 100-150 mijë euro me financim nga BE, mbështetje e cila përdoret për rikonstruksion dhe të tjera të nevojshme për pronën, financim i cili do të jetë për gati 1 vit.
Ky model realizohet që të ketë ndikim në komunitet, në të qenët një biznes i mirëfilltë, të punësojë njerëz etj., sipas ligjit, grupet margjinale dhe ato që preken ose kanë rrezik të preken nga aktiviteti kriminal, të cilëve duhet t’i jepet përparësi për t’u punësuar”, – thotë znj. Hoxha. Ajo shton se nga pronat e listuara në Agjenci, u kërkuan tre si më të përshtatshme për t’i vënë në përdorim nga projekti për sipërmarrjet sociale: në Fier, Sarandë dhe Lushnjë.
“Ka shumë aspekte pozitive në këtë projekt, e para i kthen publikut një pronë të vendosur në mënyrë të padrejtë, nga një aktivitet kriminal që mund të ketë prekur edhe një zonë të caktuar. Aktiviteti në zona të tilla synon të nxisë edhe mbështetjen dhe solidaritetin komunitar”, – tha znj. Hoxha.
“Më kanë pyetur se si kanë arritur që të marrin këtë nismë OJF, bazuar në çfarë kuraje, por interesi ka qenë më i lartë se sa pritshmëritë. Javën e dytë të korrikut nisi aktivitetin sipërmarrja e parë sociale në kuadër të këtij projekti, në Fier, e cila ka qenë një loto sport, e u bë pastiçeri, e menaxhuar nga një OJF italiane”, – tha znj. Hoxha, e cila shtoi se vetëm për këtë pronë ka pasur 9 aplikime. Në pastiçeri janë punësuar gra të cilat janë identifikuar të prekura nga dhuna në familje, në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit. Si pjesë e modelit, stafi do të trajnohet, si në këtë mjedis biznesi, ashtu edhe në ata pasues.
“Prona tjetër që kemi hapur tenderimin është një apartament në Sarandë, si ambient është relativisht i vogël dhe presim që të përfundojë brenda vitit”, – tha ajo. Projekti “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”, – synon të ngrejë një model të ripërdorimit efektiv të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke krijuar një grup organizatash të shoqërisë civile (OJF), të afta për të menaxhuar pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar.
Ky projekt zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në partneritet me dy organizata italiane: Project Ahead dhe Comitato Don Peppe Diana dhe financohet nga Bashkimi Europian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Objektivi specifik i kësaj Thirrje për Projekt Propozime është: Ripërdorimi i Qëndrueshëm i pronës së konfiskuar nga krimi i organizuar që ndodhet në qytetin e Sarandës, nëpërmjet krijimit të një sipërmarrjeje sociale nga OJF-të.
Organizatat jofitimprurëse që do të aplikojnë për të ngritur një sipërmarrje sociale kanë të drejtë të aplikojnë për një fond minimal prej 100 mijë eurosh dhe maksimumi 150 mijë euro. Në çdo rast, pavarësisht kërkesës, organizata duhet të financojë 5% të fondit që ka kërkuar.
Në buxhetet e tyre, ato duhet të parashikojnë edhe fonde për rikonstruksionin e godinave, pasi gjendja e tyre ka nevojë për ndërhyrje. Kjo, pasi Agjencia, gjatë kohës që i ka mbajtur nën administrim, edhe në rast se prona në rastin konkret ka vijuar aktivitetin e mëparshëm, është mirëmbajtur vetëm në kushtet minimale, ndërsa me të ardhurat që kanë dalë nga përdorimi, janë shlyer shpenzimet si: ujë, drita dhe pagat e punonjësve.
AASSK: Projekt në dobi të komunitetit
Artur Kala, kreu i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, u shpreh se institucioni që ai drejton është i përfshirë në 12 projekte të tjera, por ky me sipërmarrjet sociale “C.A.U.S.E” është më i fundit dhe më i rëndësishmi. Sipas tij, ka ende hapësira për zgjerim të bashkëpunimit, por si fazë e parë janë vënë në dispozicion tre prona të konfiskuara.
Z. Kala thotë për “Monitor” se edhe një pronë e katërt mendohet t’i vendoset në dispozicion projektit, i cili është njësi tregtare (Lokal) në Durrës, që për nga afërsia, mund të ketë më tepër shprehje interesi.
“Ky është ndër projektet më të rëndësishme, është i pari dhe në Ballkan me fonde të BE-së dhe ne si Agjenci jemi përkrah Partners Albania që ta çojmë atë deri në fund. Janë tre pasuri që nga njësitë tregtare: ndërtesë në Lushnjë, njësi tregtare në Fier dhe një objekt banimi në Sarandë që janë vënë në dispozicion të këtij projekti. Pritet që të merret miratimi edhe për një tjetër aset në Durrës”,- tha z. Kala.
Ai thekson se, meqë këto pasuri vijnë nga krimi i organizuar, edhe interesi është i ulët për t’i blerë këto prona. Por, modele të tilla sociale si ky projekt, do të vijojnë, duke adaptuar modelin italian në këtë fushë dhe duke bërë përpjekje maksimale për të ngritur biznese dhe sipërmarrje sociale në zbatim të ligjit. Sipas tij, raporti i pronë e konfiskuar me atë të sekuestruar është ende shumë i ulët. “Në rastin konkret, nga supozohet 100 prona të sekuestruara, vetëm rreth 35 të tilla arrihen të konfiskohen. Pra raporti është 30-35%. Kjo vjen si pasojë e vendimeve të Gjykatave. Ndaj mendoj dhe kam bindjen që gjërat po ndryshojnë dhe Reforma në Drejtësi do të sjellë edhe përmirësime të mëdha në këtë fushë”, – tha ai.
Z. Kala shtoi se ripërdorimi i këtyre pronave, duke u vënë në dispozicion të OJF-ve, duke ngritur qendra në zbatim dhe të Ligjit Antimafia, qendra për trajtimin dhe integrimin e viktimave të trafikimit dhe krijimi i Fondit të Posaçëm për viktimat e trafikimit, janë vetëm disa nga projektet që Agjencia parashikon të zbatojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit.
Asetet në dispozicion
-Prona e parë është një njësi tregtare me sipërfaqe 138.6 m² në lagjen “Apolonia” në Fier
-Prona e dytë është truall me sipërfaqe 470 m² plus garazh 24 m². bashkë me një magazinë 48 m² mbi këtë truall në lagjen “Çlirimi” në Lushnjë
-Prona e tretë është një garazh me sipërfaqe 48.1 m² në Sarandë.
Të gjithë OJF-të kanë afat për të aplikuar për këtë projekt deri më 3 nëntor. Ndërkohë pritet të shtohen të tjera asete në kuadër të këtij projekti
Përvoja e Ballkanit Perëndimor
Në vitet e fundit, në Ballkan, ka pasur një angazhim më të madh nga qeveritë në luftën kundër krimit të organizuar. Shumica e vendeve kanë ratifikuar Konventa Ndërkombëtare për shtypjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit, si Konventat e Palermos dhe Merida të OKB-së – respektivisht kundër krimit të organizuar transnacional dhe kundër korrupsionit; Konventa e Këshillit të Europës për Parandalimin e Terrorizmit; Konventa për Ndalimin e Financimit të Terrorizmit dhe Konventa për Pastrimin, Kërkimin, Kapjen dhe Konfiskimin e Produktit nga Krimi.
Për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shumica e vendeve zhvilluan bashkëpunimin policor dhe reformuan sistemin gjyqësor, duke futur metoda të reja hetimi, ose njësi të re speciale dhe rregulla zbatuese, si çështje konfiskimi. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia në kohët e fundit kanë reformuar ligjin mbi konfiskimin, me qëllim që ta bëjnë atë më efikas. Reforma e dispozitave ligjore kundër krimit të organizuar dhe në veçanti zbatimi i instrumentit ligjor të sekuestrimit dhe konfiskimit, mund të vendoset në dinamika të ndryshme.
Së pari, prioritetet e BE-së në vitet e fundit janë fokusuar gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, me theks në financimin e aktiviteteve terroriste ose kriminale. Qasja e integruar që udhëheq veprimin e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar shtrihet nga parandalimi deri në zbatimin e ligjit. Kjo bazohet kryesisht në një bashkëpunim efektiv midis autoriteteve të Shteteve Anëtare dhe veçanërisht agjencive të zbatimit të ligjit, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe ndihmën e ndërsjellë në sekuestrime dhe konfiskime. Disa vende në rajon kanë zbatuar procedurat për aplikim si anëtare të BE-së dhe për këtë arsye, harmonizimi me standardet europiane për këto çështje është një faktor kyç për aprovimin.
Së dyti, për vite me radhë, bashkëpunimi policor dhe gjyqësor – siç është zbatimi i instrumenteve të Interpolit – ishte në qendër të politikave për luftën kundër krimit të organizuar transnacional. Në këtë drejtim, ka pasur një tendencë për të preferuar politikat e përqendruara në persekutimin dhe dënimin e krimit. Në vitet e fundit, fokusi ka zhvendosur burimet dhe si t’i godasë ata në mënyrë efektive, që të dobësojnë organizatat kriminale; në këtë kontekst të ri, parimi i konfiskimit është bërë veçanërisht i rëndësishëm. Nga njëra anë, ajo ndikon në burimet ekonomike të organizatës, nga ana tjetër, duke u kthyer shoqërisë mallin e konfiskuar, bëhet e mundur të ndryshohet situata sociale lokale, që çon në një dobësim të mëtejshëm të grupit kriminal.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.