Banka qendrore e Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se bankat janë “të sigurta”, pasi rregullatorët ranë dakord për një marrëveshje shpëtimi për Credit Suisse, që synon të parandalojë frikën mbi përhapjen e bankave.
Banka u ble nga rivali UBS (Union Bank of Switzerland), në një marrëveshje të mbështetur nga qeveria zvicerane ditën e dielë, pasi rregullatorët punuan furishëm gjatë gjithë kohës, për të siguruar një marrëveshje.
Ky veprim erdhi mes frikës mbi gjendjen e sistemit financiar global, pasi dy banka më të vogla amerikane falimentuan në javët e fundit.
Pavarësisht veprimit të shpejtë nga rregullatorët, tregjet e aksioneve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Azi pësuan rënie.
Indeksi FTSE 100 i Londrës, ra me 1.6% në fillim të tregtimit, ndërsa Nikkei 225 i Japonisë humbi 1.4%. Indeksi Hang Seng në Hong Kong ra me 2.6%.
Aksionet në bankat britanike u goditën gjithashtu në Londër, duke rritur humbjet nga java e kaluar, e cila shënoi performancën më të keqe javore në më shumë se një vit. Aksionet e UBS ranë 12% pas blerjes së Credit Suisse.
Megjithatë, ekspertët nuk po parashikojnë një përsëritje të krizës financiare të vitit 2008, ku dështimi i një numri bankash të mëdha shkaktoi një recesion global.
Banka Kombëtare e Zvicrës tha se marrëveshja e shpëtimit për Credit Suisse ishte mënyra më e mirë për të rivendosur besimin e tregjeve financiare dhe për të menaxhuar rreziqet për ekonominë.
Marrëveshja e minutës së fundit, e vlerësoi Credit Suisse pak mbi 3.15 miliardë dollarë, një fraksion i çmimit prej 8 miliardë dollarësh, i vlerësuar ditën e premte.
Por, shitja ka arritur atë që rregullatorët kanë synuar – të sigurojë një rezultat përpara hapjes së tregjeve financiare ditën e hënë.
Mendohet se ky transaksion do të stabilizojë patjetër bankën, si dhe do të sjellë një shkallë të mirë besimi në tregun bankar në përgjithësi.
Mark Yallop, ish-shefi ekzekutiv i UBS në Mbretërinë e Bashkuar, sugjeroi se shitja e Credit Suisse duhet të shihet si një ngjarje e veçuar nga dështimi i dy bankave në SHBA, të cilat ishin goditur nga ndikimi i rritjes së normave të interesit.
Në një përpjekje për të mbajtur para në dispozicion, përmes sistemit financiar global, gjashtë banka qendrore, duke përfshirë Bankën e Anglisë, njoftuan se do të nxisin rrjedhën e dollarëve amerikanë, përmes sistemit financiar global.
Banka e Anglisë, së bashku me Bankën e Japonisë, Bankën e Kanadasë, Bankën Qendrore Europiane, Rezervën Federale të SHBA-së dhe Bankën Kombëtare të Zvicrës, thanë se masa shërbeu si një “hap prapa i rëndësishëm, për të lehtësuar tensionet në tregjet globale financiare” dhe për të larguar presionin jashtë bankave.
Në një deklaratë, pas marrjes së Credit Suisse nga UBS, banka qendrore e Zvicrës tha se marrëveshja mbron ekonominë zvicerane “në këtë situatë të jashtëzakonshme”.
Banka 167-vjeçare është me humbje dhe është përballur me një sërë problemesh vitet e fundit, përfshirë akuzat për pastrim parash.
Pas financimit prej 54 miliardë dollarësh të dhënë nga Banka Kombëtare Zvicerane ditën e mërkurë, në një përpjekje për të qetësuar tregjet, aksionet e Credit Suisse ranë gjithsesi me 24%, që do të thotë se duhej një marrëveshje shpëtimi.
Duke folur në kryeqytetin zviceran, Bernë, pas njoftimit të së dielës mbrëma, kryetari i UBS, Colm Kelleher tha se marrja në dorëzim kishte qenë “tërheqëse” për aksionarët e UBS, por e përshkroi atë si “një shpëtim urgjent”.
- Kelleher tha se UBS do të mbyllte pjesën bankare të investimeve të Credit Suisse.
Kryetari i UBS tha se ishte “shumë herët” për të thënë se çfarë do të ndodhte me vendet e punës. Banka zvicerane ka rreth 74,000 staf, rreth 5,000 prej tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Institucione të tjera financiare botërore e vlerësuan marrëveshjen.
Banka e Anglisë tha se mirëpret veprimet që do të ndërmerren nga autoritetet zvicerane.
“Ne kemi qenë të angazhuar ngushtë me homologët ndërkombëtarë gjatë përgatitjeve për njoftimet e sotme dhe do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e tyre.”
Banka e Anglisë shtoi se sistemi bankar i Mbretërisë së Bashkuar ishte “i mirëfinancuar, dhe mbetet i sigurt dhe i shëndoshë”.
Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Europiane, tha se ajo e mirëpret “veprimin e shpejtë” të autoriteteve zvicerane.
“Sektori bankar i Eurozonës është elastik, me pozita të forta kapitali dhe likuiditeti,” shtoi zonja Lagarde.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen dhe kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, thanë se sistemi bankar i SHBA mbetet “rezistent”.
Credit Suisse, është bërë viktima më e fundit dhe më e rëndësishme e një krize besimi, që ka shkaktuar tashmë dështimin e dy bankave të mesme amerikane, si dhe një ndërmarrjen e veprimeve të jashtëzakonshme në industrinë bankare për një bankë tjetër.
Por, këto situata nuk janë të njëjta. Huadhënësi i dytë më i madh i Zvicrës, Credit Suisse, konsiderohej si një nga 30 bankat më të rëndësishme në botë, kjo është arsyeja pse kjo blerje u përshpejtua nga autoritetet zvicerane.
Megjithëse arsyet për çdo dështim ndryshojnë, faktori kryesor ka qenë një rritje e mprehtë e normave globale të interesit, e cila ka goditur edhe vlerën të investimeve të sigurta, në të cilat bankat mbajnë një pjesë të parave të tyre. Kjo i ka trembur investitorët dhe është shoqëruar me një rënie të çmimeve të aksioneve të të gjitha bankave, ku bankat e konsideruara më të dobëta, janë goditur më rëndë.
Autoritetet financiare në BE, SHBA dhe Britani e Madhe, thonë se e mbështesin këtë marrëveshje, duke theksuar se bankat janë të forta dhe kursimet dhe depozitat e njerëzve janë të sigurta.
Testi acid, nëse ky shpëtim zviceran ka qetësuar nervat në botën financiare, do të jetë kur tregjet financiare të hapen ditën e sotme, kjo është arsyeja pse ishte kaq e rëndësishme, që ky veprim të bëhej të dielën mbrëma./ BBC