Intervistë me Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank
Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank, thotë se pas përfundimit të moratoriumit të pagesave të kredive, për bankat është e rëndësishme ta shohin situatën me realizëm, të provigjonojnë mbi baza risku dhe të japin zgjidhje afatgjata, nëpërmjet ristrukturimit, pa u rezervuar dhe në kredidhënie.
Në një intervistë për revistën “Monitor, ajo shprehet se sistemi bankar i ka plotësisht burimet dhe kapacitetet për t’u përballur me këto pasoja. Përcaktuese në kohëzgjatjen e efekteve të krizës, sipas saj, do të jenë shkalla e goditjes në ekonominë reale dhe politikat për të nxitur një rimëkëmbje sa më të shpejtë.
Faza e parë krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19 duket të ketë kaluar pa pasoja shumë serioze për sektorin bankar. Cilat kanë qenë sfidat kryesore për bankat pasi Shqipëria u prek nga epidemia?
Sfida kryesore në fakt nuk ishte menaxhimi i portofolit të kredisë. Sigurisht, ne e dinim që portofoli do të prekej dhe në momentin e duhur do të duhej të përballeshim me këtë gjë. Për bankat kjo situatë nuk ishte krejt e re; një situatë e ngjashme, në përmasa më të kufizuara, pati ndodhur edhe pas tërmetit.
Sfida më e madhe ishte ajo operacionale, e lidhur me ndryshimin e shpejtë dhe të papritur të mjedisit ku vepronim. Kishte kufizime të lëvizjes, orare të shkurtra gjatë të cilave mund të operonim, ishte i gjithë kuadri i masave që duhet të zbatonim për të siguruar sigurinë maksimale për stafin tonë dhe për klientët. Pra, vijueshmëria e operacioneve në kushtet e emergjencës ishte çështja kryesore.
Më tej, sigurisht që do të shtrohej problem i menaxhimit të portofolit të kredisë. Nëse shtyrjet dhe ristrukturimet do t’i kishim vendosur vetë, do të kishim proceduar ndoshta më me qetësi nga prilli e në vijim, pasi të kishim stabilizuar operacionet. Por, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për një qasje në nivel sistemi sigurisht na shtyu që proceset e lidhura me shtyrjen e kredive t’i ekzekutonim me shpejtësi më të madhe. Duke pasur parasysh numrin e madh të kërkesave dhe përqendrimin e tyre në një periudhë të shkurtër, edhe kjo sigurisht që u përkthye në një ngarkesë të konsiderueshme nga pikëpamja operacionale.
Gjatë fazës së parë, na u desh edhe të qartësonim klientët, sepse tek një pjesë u krijua ideja e gabuar se interesat do të faleshin. Megjithatë, gjendja u menaxhua mirë dhe në fazën e dytë pati më shumë qartësi, procesi eci më shpejt dhe kërkesat ishin më racionale. Kjo i shërbeu edhe edukimit të klientëve për parimet që ndiqen në raste të ngjashme.
Aktivet e sektorit bankar, përfshi kredinë, janë rritur edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Në cilat segmente të tregut dhe sektorë është mbështetur kryesisht rritja e huasë?
Duhet thënë se rritja është më e ulët se parashikimet që kishim në planet vjetore të biznesit, por kjo ishte e natyrshme në rrethanat e reja që u krijuan. Në fund të muajit gusht, ne kishim rritje vjetore të portofolit të kredisë me rreth 7%. Një pjesë sigurisht që është ndikuar nga mospagesa e kësteve të shtyra dhe në momentin që pagesat do rifillojnë normalisht, do të ketë edhe një ndikim në amortizimin e portofolit ekzistues.
Edhe pse shtyrja e parë përfundoi në fund të majit, pati dhe një të dytë, fillim të procesve të ristrukturimit, dhe mund të themi se Shtatori është muaji i parë që do të japë një pamje më të plotë të ndikimit real të kësaj situate të jashtëzakonshme, edhe pse nuk mbaron këtu. Ne kemi një peshë të konsiderueshme të portofolit në turizëm dhe në shërbime dhe tani duhet të shohim sesa janë prekur realisht nga kriza, por edhe sa mund të preken nga një valë e dytë e pandemisë gjatë muajve të vjeshtës.
Pra, nuk është ende një situatë e mbyllur, kur mund të ulemi dhe të bëjmë një bilanc të dëmeve. Është një situatë në zhvillim, që kërkon vëmendje dhe që do të vazhdojë të na prekë këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Por, rritja e kredisë i ka të dy elementët brenda. Veç ndikimit të shtyrjeve, paralelisht edhe kredidhënia e re ka vazhduar. Ka pasur disbursime të reja, kryesisht mes klientëve ekzistues, por edhe tek klientë të rinj. Ne kemi pasur gjithnjë një qasje individuale ndaj klientëve, jemi gjithmonë të gatshëm t’i analizojmë me objektivitet kërkesat dhe të mbështesim ato projekte që, në gjykimin tonë, kanë shanse të mëdha për të qenë të suksesshme.
Por, duhet të themi që në këtë situatë të krijuar, patjetër që i kemi riparë edhe kushtet e kreditimit, duke krijuar elementë kujdesi shtesë, qoftë në ndryshimin e autoritetit vendimmarrës, qoftë në shtrëngimin e kritereve të aplikuara. Besoj se një rrugë të tillë e kanë ndjekur të gjitha bankat dhe kjo mund të sjellë një rritje më të ngadaltë të portofolit për periudhën në vazhdim.
Cilat do të jenë efektet kryesore të krizës ekonomike në bilancet e sektorit bankar në pjesën e dytë të vitit?
Nëse nuk do të ketë vendime të tjera nga Banka e Shqipërisë, lidhur me klasifikimin e portofolit të prekur nga Covid-19, ne efektin real do ta shohim më të plotë në vitin 2021, për hir të shtrirjes së ndikimit në kosto të provigjonimit në një kohë lidhur me ditë vonesat; por, edhe sepse procesi i ristrukturimeve të kredisë ka adresuar problematikën aktuale, por do të duhet që ekonomia të rimëkëmbet shpejt, që këto kredi të kthehen në normalitet. Por, këtu është edhe çështja e standardit raportues.
Në cilët sektorë konstatoni pasoja më të rënda nga kjo krizë dhe cila do të jetë qasja juaj në trajtimin e ekspozimeve kundrejt këtyre?
Mendoj se situata ka prekur sipërmarrjet, por edhe individët, ku rënia e punësimit dhe e të ardhurave do të ndikojë në aftësinë e tyre paguese dhe në portofolin tonë retail. Por, tek individët, ekspozimet mesatare janë më të vogla dhe volume më të ulëta.
Tek bizneset patjetër që do të kemi volume më të mëdha. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi aktivë në sektorin e turizmit, sepse për ekonominë tonë ai ka potenciale të mëdha. Gjithashtu, mendoj se do të ndiejmë efekte edhe te transportet, te fasoneritë, si edhe tek sektoret e shërbimit, të bar-restoranteve.
Qasja jonë ka qenë mbështetja përmes shtyrjes dhe ristrukturimit, duke ofruar këste të përshtatura sipas ciklit të biznesit, situatës aktuale dhe shtyrje të pagesave të plota dhe deri vitin që vjen në shumë raste ristrukturimi. Sidomos në turizëm kemi shkuar drejtpërsëdrejt me shtyrje të paktën deri në qershor 2021 aty ku aktiviteti është prekur këtë vit dhe do të duhet të jemi në sezonin turistik 2021 për të kuptuar ecurinë.
Por, në një këndvështrim të gjerë, duhet të kemi parasysh se nëse ekonomia pëson rënie të fortë, efektet do të ndihen pothuajse kudo, në të gjithë sektorët.
Ka sektorë të veçantë për të cilët kriza mund të shtrojë mundësi të reja?
Për momentin, tregtia e mallrave të domosdoshme të konsumit nuk është prekur shumë, ndoshta sepse mund të jetë kompensuar edhe me rritje çmimesh. Një fenomen të tillë e konstatojmë edhe në turizëm, ku ndikimi në të ardhura ka qenë më i vogël nga sa prisnim. Mendoj se kjo ka ardhur nga rritja e çmimeve. Pra, bizneset kanë ndërmarrë edhe rregullimet e veta për të kufizuar efektin nga kriza. Farmacitë kanë ecur mirë dhe kjo është e kuptueshme për situatën. Edhe në ndërtim nuk shohim përkeqësim, përkundrazi në zona të caktuara rritje. Disa gjëra mund të ndryshojnë edhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Mbase çmimet e qirave të zyrave mund të ulen në të ardhmen, për shkak të rritjes së punës në distancë. Ka fenomene që i monitorojmë për të reaguar në kohë.
Sa prisni të zgjasin efektet e krizës në sektorin bankar, nëse nuk do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm negativ të situatës së pandemisë dhe masa të reja kufizuese?
Sistemi bankar tregoi që është i shëndetshëm, ka mundësi në kapital, në likuiditet, në strukturë për ta përballuar një situatë të tillë. Sigurisht që edhe bankat do të kenë kostot e tyre, në terma të përfitueshmërisë, por unë nuk e vë në dyshim aftësinë e sektorit bankar për të dalë me sukses nga kjo situatë.
Besoj se shtrirja e efekteve do të varet më shumë nga pasojat në ekonominë reale. Për Covid-19 një ditë do të gjendet zgjidhja, qoftë me vaksinë apo mënyra të tjera. Është e rëndësishme që të kemi politika ekonomike për të mbështetur një rimëkëmbje të shpejtë.
Nëse këtë vit do të kemi rënie të ekonomisë me 7-8%, vëmendja shkon tek faktorët ndërveprues dhe me ndikim në rritjen ekonomike, ku sipërmarrja e lirë është faktor i rëndësishëm, por dhe qeveria dhe cilësia e politikave ekonomike, të cilët bashkarisht duhet të sjellin përmirësim të dukshëm në 2021. Nëse edhe vitin e ardhshëm do të kishim rënie të ekonomisë, apo dhe një rritje minimale, kjo do të ishte vërtet shqetësuese.
Rezistenca
Sistemi bankar tregoi që është i shëndetshëm, ka mundësi në kapital, në likuiditet, në strukturë për ta përballuar një situatë të tillë. Sigurisht që edhe bankat do të kenë kostot e tyre, në terma të përfitueshmërisë, por unë nuk e vë në dyshim aftësinë e sektorit bankar për të dalë me sukses nga kjo situatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.