Sistemi fiskal duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe të garantojë uljen e evazionit

29/05/2017 4:03 PM 0 komente

Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë

 

Niveli aktual i taksave nuk solli asnjë risi në përmirësimin e performancës së sistemit fiskal, nuk e uli evazionin dhe nuk ishte ndihmues për sipërmarrjen. Ulje-ngritjet e paketave fiskale në vite pa pasur një qëndrueshmëri për disa vite me radhë kanë sjelle një çoroditje të planeve të investimeve

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga programet ekonomike të Partive kryesore?

Përtej deklaratave retorike, shpesh pa një argumentim të detajuar, Partitë politike duhet të fillojnë menjëherë takimet me organizatat që përfaqësojnë sipërmarrjen, me qëllim diskutimin e çështjeve të lidhura me ekonominë. Ne presim të kemi dokumente të shkruara mbi të cilat të fillojë debati konstruktiv dhe që të merren në konsideratë rekomandimet tona për çështje që kanë të bëjnë me tregun, konkurrueshmërinë, prodhimin, politikat tregtare, taksat dhe tarifat, reformat në ekonomi, etj.

Çfarë duhet të kenë parasysh partitë kur hartojnë programet e tyre?

Së pari, duhet të kuptojnë që programet ekonomike nuk hartohen nga zyrat e mbyllura dhe as duket marrë opinionin e individëve të vetëm, por në bashkëpunim me organizatat e sipërmarrjes.
Së dyti, duhet të marrin në konsideratë tregun rajonal, situatën gjeopolitike në rajon, për të kombinuar një paketë sa më konkurruese për prodhimin vendas.
Së treti duhet të mendojnë që së shpejti do të fillojnë negociatat me BE dhe kjo do të jetë një sfidë tepër e rëndësishme për një mandat qeverisës dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen është i domosdoshëm. Nuk duhet të gabojmë sërish në negociata, ashtu siç kemi vepruar me marrëveshjet e tjera tashmë të negociuara.

Lidhur me nivelin e taksave, si e vlerësoni nivelin aktual të tyre, si ka ndikuar rritja e tatimfitimit dhe dividendit në mandatin e kaluar në ecurinë e bizneseve që ju përfaqësoni dhe planeve të tyre për investime?

Niveli aktual i taksave nuk solli asnjë risi në përmirësimin e performancës së sistemit fiskal, nuk e uli evazionin dhe nuk ishte ndihmues për sipërmarrjen. Ulje-ngritjet e paketave fiskale në vite, pa pasur një qëndrueshmëri për disa vite me radhë, kanë sjelle një çoroditje të planeve të investimeve. Këto luhatje të vazhdueshme kanë sjellë në korrigjime të vazhdueshme të planit të biznesit, duke çuar në krijimin e një klime të paqartë për investime të reja.

Cili është niveli i taksave që ju propozoni dhe që do të ishte optimal për të mos ndikuar negativisht në buxhet nga njëra anë dhe për të mos rënduar bizneset nga ana tjetër?

Parimisht, jemi për taksimin e sheshtë, përshkallëzimin e nivelit të TVSH dhe rishikimin e tarifave mbi procedurat e ndryshme. Por një gjë shumë e rëndësishme është edhe ndryshimi rrënjësor i sistemit fiskal, i cili duhet të garantojë edhe uljen e evazionit fiskal.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of