Edhe pse në kushte shëndetësore shumë të rënda, duke luftuar kancerin e pankreasit, stërmundimi që duhet të bëjnë pacientët, edhe në ato spitale që konsiderohen si më të mirat në Rumani, është jashtë mase i madh.
I tillë është edhe rasti i 66-vjeçares, e cila u dërgua në një nga dhomat e emergjencës si pasojë e hemorragjisë së brendshme.
Por, sikur gjendja e saj tejet e rënduar të mos mjaftonte, ajo ra viktimë e një shkëndije zjarri, që duke rënë në kontakt me trupin e saj, i pastruar me alkool për t’u dezinfektuar përpara operacionit, i shkaktoi asaj djegie shumë të rënda. Të papërgatitur për një rast të tillë, mjekët i shuan flakët me kova uji.
Pacientja, emri i së cilës nuk është bërë publik, mori djegie të rënda në dy të pestat e lëkurës së saj. Fatkeqësisht, ajo vdiq një javë më vonë, shkruan “Bloomberg”. Incidenti në spitalin “Floreasca” të Bukureshtit mbushi kopertinat e disa prej gazetave kryesore në vend dhe të disa prej kronikave kryesore të lajmeve për ditë me radhë.
Presidenti Klaus Iohannis e cilësoi këtë rast si “katastrofik dhe të papranueshëm”, duke premtuar reforma gjithëpërfshirëse. Por sado i papranueshëm dhe alarmant të jetë një rast i tillë, ai nuk duhet të përbëjë befasi për askënd, sepse Rumania është shteti që shpenzon më pak në drejtim të kujdesit shëndetësor në krahasim me çdo shtet tjetër anëtar të BE-së, ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet e shërueshme dhe është njëkohësisht edhe një prej vendeve me shpresat më të ulëta për përmirësim të kushteve të jetesës.
Në tre dekada, qeveria ka ndërtuar vetëm një spital të ri.
Situata e shkaktuar nga mungesa e fondeve dhe një nivel i lartë korrupsioni shtrihet edhe përtej kufijve të shtetit rumun. Kujdesi mjekësor që është poshtë nivelit minimal, detyron mijëra qytetarë rumunë që t’i drejtohen për ndihmë Perëndimit.
Rreth 5 milionë rumunë e kanë braktisur vendin e tyre dhe jetojnë në vende të tjera të BE-së, duke shkaktuar kështu një qasje populiste si në rastin e Brexit-it, dhe duke i lënë perspektivat e pasigurta ekonomike përsëri në Rumani. Mungesa e investimeve në sistemin rumun të financuar nga taksapaguesit është pjesë e mangësive dhe problematikave që shtrihen në disa dekada, duke përfshirë këtu edhe spektrin politik. Një sasi e madhe parash të mbledhura, shpeshherë janë shpenzuar në mënyra krejtësisht joefikase, ndërsa në disa të tjera janë përvetësuar nga persona që kurrë nuk janë zbuluar.
Rumania renditet e dyta në BE në Indeksin vjetor të Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare, pak përpara Bullgarisë fqinje. Arsye kryesore për renditjen në këtë pozicion shihet kryesisht sektori i kujdesit të saj shëndetësor.
Njëzëri, prokurorët që u morën me këtë rast, thanë se një dhomë hiperbarike për trajtimin e djegieve ishte blerë nga menaxherët në një spital të Bukureshtit, me vlerë rreth shtatë herë më të lartë se ajo e tregut. Por kur erdhi koha për t’i përdorur pajisjet që ndodheshin në të, pasi një zjarr përfshiu një klub nate në vitin 2015, ajo doli e papërshtatshme për të trajtuar një rast të tillë.
Gjashtëdhjetë e katër njerëz vdiqën në atë zjarr, ku shumë prej të cilëve mund të ishin shpëtuar nëse do të kishin marrë kujdesin e duhur mjekësor. Disa prej atyre fatlumëve që mbijetuan u dërguan për t’u kuruar jashtë vendit. Diku tjetër, një furnizues spitalor u zbulua se kishte rrezikuar miliona jetë duke shitur dezinfektues të holluar dhe të falsifikuar, që lejonte përhapjen e baktereve. Drejtori i saj u dënua me burg, ndërsa pronari kreu vetëvrasje.
“Sistemi i kujdesit shëndetësor në Rumani është si një çantë që jo vetëm është bosh, por edhe plot me vrima”, tha Vlad Mixich, mjek dhe analist i kujdesit shëndetësor, i cili është edhe anëtar i bordit në Agjencinë Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Edhe pse nivelet e pagave për stafin e mjekëve dhe të infermiereve janë rritur herë pas here, shumë prej tyre largohen nga vendi për një punë me pagë akoma më të lartë në shtetet e pasura të Europës Perëndimore, duke shkaktuar kështu një gangrenë që po prek të gjithë industrinë e kujdesit shëndetësor në lindje të kontinentit.
Komisioni Europian zbuloi në vitin 2018 që Rumania është burimi i pothuajse gjysmës së të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor që janë larguar nga Rumania dhe janë zhvendosur në vende të tjera të BE-së, ku Italia është destinacioni i tyre kryesor.
Mbledhja e fondeve
“Mjekët nuk po largohen për shkak të nivelit të pagave që marrin në Rumani”, tha Laura Zarafin, një mjeke urgjence në spitalin “Colentina” të Bukureshtit, në një intervistë në radio. “Shumë mjekë të rinj po largohen sepse ata janë të lodhur nga sistemi, shumë prej tyre ndiejnë neveri ndaj tij. Kjo ka bërë që shumë rumunë t’u japin zgjidhje çështjeve të ndryshme sipas mënyrës së tyre”, vazhdoi ajo më tej.
Të prekura nga rasti i një adoleshenti me leuçemi, i cili nuk mundi të mblidhte në kohë 150 000 euro, të nevojshme për trajtimin jashtë vendit që do t’i shpëtonte jetën, Carmen Uscatu dhe Oana Gheorghiu, fqinje në një bllok apartamentesh në Bukuresht, filluan mbledhjen e fondeve për të ndihmuar të tjerë fëmijë. Për vite me radhë, ato ndihmuan në rinovimin e ambienteve spitalore, importuan ilaçe onkologjike dhe dhuruan libra dhe televizorë për pacientët.
Organizata e tyre bamirëse “Give Life Association” arriti të mbledhë nga 300 000 njerëz dhe 4 000 kompani, një fond me vlerë prej 26 milionë eurosh, të cilat i investoi në ndërtimin e një qendre për trajtimin e fëmijëve me kancer. Qendra u ndërtua pranë një spitali ekzistues të drejtuar nga shteti në kryeqytet.
“Ne donim të bënim diçka më shumë sesa thjesht të dhuronim paratë që kishim arritur të grumbullonim”, tha znj. Uscatu gjatë intervistës. “Ne nuk mund t’i dërgojmë të gjithë të sëmurët për t’u trajtuar jashtë vendit. Ne duhet të krijojmë kushtet brenda vendit”, vazhdoi ajo më tej. Sipas tyre, pjesa më e madhe e fajit u takon sistemeve politike, të cilat nuk kanë bërë asgjë gjatë një periudhe relativisht të gjatë, prej tre dekadash.
“Qytetarët e kanë kuptuar se ne duhet të bëjmë diçka që t’i vëmë liderët tanë në lëvizje, që ata të reagojnë sa më parë”, tha znj. Uscatu dhe znj. Gheorghiu. “Ne kemi shpresë dhe mund të rezultojë të shikojmë dritë në fund të tunelit, sepse retorika e qeverisë së re sugjeron që dëshiron të përfshihet në përmirësimin e kushteve të kujdesit shëndetësor”, vazhduan ato më tej. Autoritetet po i kërkojnë BE-së para, të cilat do t’i përdorin për ndërtimin e spitaleve rajonale. Por gjatë viteve, rritja e pagave në mënyrë të vazhdueshme ka shkaktuar një hendek të madh në buxhetin e shtetit.
Edhe kur Presidenti dhe qeveria punojnë në harmoni me njëri-tjetrin, gjë kjo shumë e rrallë për politikën rumune, është e vështirë të kuptohet se nga mund të vijnë fondet shtesë. Tani për tani, rumunët duan që përgjegjësit për vdekjen e një pacienti nga kanceri, të marrin ndëshkimin e duhur.
Emanuel Ungureanu, një ligjvënës nga një parti e re antikorrupsion, që ka qenë njëkohësisht ndër të parët që e publikoi incidentin në fjalë, ka hedhur dritë edhe mbi shumë raste të tjera, duke theksuar kështu të metat e këtij sistemi. Sipas tij, spitalet janë në prag të kolapsit, mungesës së ilaçeve dhe mjekëve që punësojnë të afërm të tyre, të cilat nuk kanë asnjë trajnim bazë në fushën e mjekësisë.
Por ishte vdekja e tmerrshme e një pacienti që vuante nga kanceri, ajo që e ka shqetësuar atë më së shumti.
“Si pacient, unë ndiej se nuk jam aspak i sigurt në këtë shtet, sepse sistemi ynë shëndetësor ka rrënjë të kalbura” ,u shpreh ai në një intervistë.