Shqipëria do të vendosë për herë të parë një Sistemi Informatik për Monitorimin e Trafikut të Mjeteve Lunduese (VTMIS) që cilësohet si për monitorimin e trafikut të anijeve.
Për këtë tashmë ka nisur procedura për konsulentin i cili do të ndjekë nga afër zbatimin e planit si dhe aspektet teknike lidhur me rekomandimet që rrjedhin nga studimi i fizibilitetit. Në dokumentet e bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (kjo nismë financohet nga Projekti për Lehtësimin e Transportit dhe Tregtisë në Ballkanin Perëndimor) nënvizohet se sitemi i ri është si një zgjerim i Shërbimit të Trafikut të Anijeve (VTS), në formën e një Mbikëqyrjeje të Integruar Detare, e cila përfshin burime të tjera telematike për të lejuar shërbimet aleate dhe agjencitë e tjera të interesuara në ndarjen e drejtpërdrejtë të të dhënave ose aksesin në nënsisteme të caktuara për të rritur efektiviteti i operacioneve të aktivitetit portual ose detar.
Sipas detajeve të projektit sistemi duhet të mbulojë Portin e Durrësit (Rrjeti i Portit Bërthamë), ku duhet të vendoset sistemi kryesor, plus portet e tjera ku duhet të instalohet Shërbimi i Trafikut të Anijeve, i gjithë informacioni përkatës jepet në Studimin e Përditësuar të Fizibilitetit.
Konsulenti do të duhet të shohë nga afër zgjidhjet e dhëna dhe në rast se ka nevojë për përmirësime apo korrigjime të reflektojë mbi to.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Adriatikut që ende nuk ka krijuar VTMIS, duke e bërë atë një prioritet të menjëhershëm dhe me rëndësi parësore, për të lehtësuar dhe përmirësuar trafikun detar ndërkombëtar, për të përmirësuar monitorimin e trafikut, për të rritur sigurinë detare, sigurinë dhe mbrojtjen e detit, mjedisin, të përmirësojë reagimin e autoriteteve ndaj incidenteve, aksidenteve ose situatave potencialisht të rrezikshme në det, duke përfshirë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit”, thuhet në dokument.
Operatorët e interesuar sipas njoftimit të bërë nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mund të shprehin interes duke vazhduar më pas me procedurat e tjera që njoftohen nga autoritetet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.