Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta në botë, duke shtuar jo vetëm bilancin e viktimave dhe të prekurve, por duke i dhënë edhe një goditje të fortë ekonomisë globale, sidomos në disa sektorë, siç janë turizmi, transporti ajror e industritë prodhuese.
Pavarësisht masave të marra nga shtetet e prekura, virusi është duke kaluar kufijtë nga shteti në shtet. Një sërë institucionesh të rëndësishme ndërkombëtare kanë marrë hapa konkretë, siç është lëvrimi monetar për të mbështetur ekonomitë e vendeve të prekura nga virusi.
Lexo edhe këtë: Lufta ndaj koronavirusit, premtimi i FMN prej 50 miliardë dollarësh
Lexo edhe këtë: Rezerva Federale ul normat e interesit
Situata në Itali
Në Itali, vendi më i prekur në Europë, deri më tani rezultojnë mbi 3 mijë të infektuar, ndërsa kanë humbur jetën 148 persona. Qeveria Italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila ka paralizuar vendin në shumë drejtime. Maratona e Romës është anuluar për këtë vit, ku parashikohej të merrnin pjesë mbi 10 mijë njerëz.
7,5 miliardë euro, është fondi që qeveria italiane ka vënë në dispozicion për të ndihmuar familjet e bizneseve të prekur për të përballuar këtë goditje. Gjithashtu po punohet edhe me institutet bankare për të ndihmuar me kredi bizneset në vështirësi. Ekzekutivi italian vendosi një ditë më parë të shtyj zhvillimin e referendumit popullor mbi shkurtimin e numrit të parlamentarëve të parashikuar më 29 mars.
Francë, edhe një deputet rezulton pozitivisht nga virusi
Numri i të prekurve është rritur edhe në Francë. Presidenca e Asamblesë Kombëtare njoftoi se një deputet 68 vjeçar ishte testuar pozitiv nga koronavirusi dhe dyshohet se ka infektuar edhe tre deputetë të tjerë. Përhapja e koronavirusit në Francë, ka bërë që të shtyhet edhe seanca e ardhshme plenare në Parlamentin Europian.
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli vendosi për shtyrjen e seancës plenare për javën e ardhshme, që ishte menduar të mbahej në Francë. Gjithashtu ajo do të zhvillohet në Bruksel pasi shkak është bërë përhapja e koronavirusit.
“Duke parë shkallën e përhapjes së COVID-19, unë vendosa shtyrjen e seancës parlamentare në Strassbourg ndërkohë që do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel për shkak të koronavirusit”, – u shpreh Sassoli. Deri më tani numërohen 7 viktima në Francë ndërkohë që numri i të prekurve është 423, ku gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 138 pacientë të tjerë të prekur.
Greqi, rritet numri
Krejt papritur edhe në Greqi numri i të prekurve është rritur shumë në 24 orët e fundit. Qeveria greke nga frika e përhapjes së kronavirusit, vendosi të enjten mbylljen e shkollave për 48 orë, si dhe teatrot dhe ngjarjet publike. Numri i të prekurve me kronavirus ka shkuar në 31, pjesa më e madhe e tyre lidhen me kthimin e udhëtimit nga Izraeli dhe Egjipti. Pasojat në ekonominë greke priten të jenë shumë më të mëdha se sa ishin parashikuar në fillim, ka deklaruar ministri i Financave Christos Staikouras.
Në Belgjikë deri tani janë regjistruar 50 raste por asnjë viktimë. Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve është rritur në 12, ku Teksasi ka regjistruar rastet e para.
Kompanitë udhëtimeve, ‘viktimat e para’
Kompanitë e udhëtimeve janë të parat që kanë ndjerë ndikimin nga përhapja e koronavirusit. Shumica e kompanive të fluturimit raportojnë që prenotimet e fluturimit kanë rënë me 25 për qind, por duhet që anulimi i fluturimeve ka efekt zinxhir në rrjetin e hotelerive dhe turizmit të vendeve.
Një ditë më parë kompania ajrore Flybe njoftojë përfundimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve. Duke mos pasur siguri të përhapjes së koronavirusit, nuk dihet ende se në çfarë shkalle do të ndikojë në ekonomi, edhe pse efektet janë të dukshme që tani.