Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) i gjendur në një situatë të vështirë financiare për shkak të importeve të larta që kapin një faturë të kripur rreth 150 milionë euro ka kërkuar sërish shtyrjen e afatit të pagesave të faturave ndaj të tretëve . Bëhet fjalë për energjinë që OSHEE ble në tregun e parregulluar për të mbuluar humbjet në rrjetin e shpërndarjes dhe transmetimit. Në mars kompania publike e shpërndarjes kërkoi që afati për shlyerjen e faturave ndaj kompanive që i siguronin asaj këtë sasi energjie të ishte me afat 180 ditë nga 90 që e përcaktonte rregullorja për shkak të vështirësive financiare në të cilën ndodhej ajo. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) edhe pse kërkesën e parë e rrëzoi pas ndërhyrjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë la një afat tranzitor 3 mujor që të zbatohej kjo praktikë. Pasi afati përfundoi në qershor ERE sërish dëgjoi argumentet e OSHEE duke shtyrë afatin për në 30 shtator.
Së fundmi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke pasur parasysh situatën ku ndodhet ka kërkuar që ERE të mos vendosë afate 3 mujore tranzitore por të sanksionojë në rregullore që të jetë vetë OSHEE që do të caktojë afatet përmes negocimit. Pra kompania publike në kontratat individuale që lidh me kompani të caktuara të negociojë edhe afatet për shlyerjen e faturave.
Duke bërë një përmbledhje të të gjithë situatës nga fillimi i vitit deri më tani ERE ka hapur pocedurën e shqyrtimit për të bërë ndryshim në rregulloren pëkatëse dhe saktësisht në nenin 20 gërma “a” ku caktohet që do të jetë vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që do të negociojë afatet e pagesës së faurave rast pas rasti me kompanitë nga ku ble energjinë për mbulimin e humbjeve në rrjet.
Konkretisht bëhet fjalë për “Rregulloren për procedurat e blerjes se energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe të transmetimit dhe për blerjen e energjisë elektrike për të siguruar përmbushjen e detyrimeve të shërbimit publik”.
ERE ka kërkuar që OSHEE sh.a. të japë sqarime që lidhen me ndryshimet e propozuara, në lidhje me kushtet e shpalljes së ofertës për blerjen e energjisë elektrike si dhe kushtet e negocimit të afatit të pagesave, duke garantuar një proces të drejtë e të ligjshëm për të gjithë tregëtarët pjesëmarrës.
Po kështu lidhur me kërkesën e OSHEE janë njoftuar edhe palë të tjera interesi si Operatori i Sistemit të Transmetimit, Shoqata e Furnizuesve të Energjisë Elektrike dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.