Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është përballur gjatë këtij viti me vështirësi të dukshme sa i takon sigurimit të energjisë elektrike për konsumin në vend.
Vetëm në harkun e një muaji që nis nga java e parë e nëntorit e deri në javën e parë të dhjetorit të dhënat publike tregojnë se OSHEE-së i është dashur të zhvillojë pesë ankande në tregun e lirë për të blerë një sasi jo të vogël energjie.
Në total rezulton që janë blerë rreth 230 mijë MWH energji në këtë treg ndërkohë që vlera e paguar për këtë sasi energjie është rreth 19.3 milionë euro. Sasitë më të mëdha të energjisë janë blerë gjatë mesit të nëntorit ku procedurat që kanë përfshirë nga dy lote arrinin në total në vlerë mbi 5 milionë euro.
Ky vit ka qenë një vit i vështirë për financat e OSHEE-së ku së pari i është dashur të përballojë blerjet në tregun e parregulluar që kanë shkuar dhjetëra milionë euro dhe së dyti të ketë më shumë vështirësi në arkëtime për shkak të pandemisë, diçka që është pranuar edhe më herët nga OSHEE.
Viti 2020 nuk duket të jetë një vit aspak favorizues sa i takon situatës hidrike, diçka e trashëguar nga viti 2019 që ishte gjithashtu një vit problematik sa i takon prodhimit të energjisë. Duke pasur një varësi totale ndaj hidros Shqipëria nuk është hera e parë që përballet me situata që rëndojnë gjendjen financiare të kompanive të energjisë duke bërë që gërshëra të kapë në rastet më të shpeshta investimet.
Të dhënat e fundit të INSTAT për bilancin e energjisë në tremujorin e tretë të vitit tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.280 GWh nga 1.186 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 8 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,4 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,8 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2020, arriti vlerën 666 GWh nga 772 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 13,8 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 139 GWh nga 105 GWh duke shënuar një rritje me 32,7 %./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.