Kuvendi i Kosovës do të vijojë sot seancën plenare. Në këtë seancë, veç vazhdimit të pikave do të ketë edhe debat parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
Në seancën e sotme do të bëhet edhe propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.
Imunizimi i popullatës në Kosovë, ka nisur në muajin mars të këtij viti dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 72 mijë qytetarë. Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ende nuk filluar shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili në Kuvendin e Kosovës është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.
Deri më tani nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, për sektorin privat janë ndarë 30 milionë euro. Nga kjo vlerë, 6 milionë e gjysmë janë ndarë për të vetëpunësuarit, 1 milion për gratë në ekonomi dhe 1.5 milionë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë dhe 8 milionë për subvencionim të tarifës për Burime të Ripërtërishme të Energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.