Situata hidrike rrit prodhimin e energjisë, FTL gjashtë ankande për HEC-et e vogla

17/02/2021 11:00 AM 0 komente

Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e kompanisë publike OSHEE Group, ka zhvilluar vetëm në shkurt gjashtë ankande për shitje të energjisë. Edhe pse tradicionalisht shpërndarja ka bërë vetëm blerjen e energjisë nga gjeneruesi dhe kalimin e tyre tek konsumatori final, vendosja e modelit të ri të tregut ka bërë që roli i saj të ndryshojë.

Prej disa vitesh, OSHEE blen energjinë e prodhuesve me përparësi që kanë të instaluar impiante me kapacitet deri në 15MW dhe situata e mirë hidrike e këtij viti duket se ka sjellë edhe një prodhim të lartë energjie. Të dhënat e fundit të Furnizuesit të Tregut të Lirë tregojnë se vetëm në shkurt, kur edhe nisi të funksiononte platforma online e shitjes, janë zhvilluar gjashtë ankande.

Në të paktën katër prej tyre FTL ia ka dalë të shesë mbi 20 mijë MWH energji me të ardhura rreth 400 mijë euro, ndërkohë që për një procedurë të fundit, ende mbetet që të dalin rezultatet finale. Edhe pse një shumë modeste në totalin e qarkullimit që ka OSHEE Group për operacionet e saj, sërish kalimi nga importet tek shitja në këtë vit duket se do të kenë efekt disi më pozitiv në financat e saj.

Një vit më parë, kompania importoi rreth 130 milionë euro energji për shkak të thatësirave, ndërkohë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare u fokusua më shumë në procedura shitblerjeje për të optimizuar portofolin e saj ekonomik.

Furnizuesi i Tregut të Lirë është licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në aktivitetin e tregtimit dhe furnizimit me energji elektrike, përkatësisht me vendimet Nr. 198, datë 03.09.2018 “Mbi licencimin e shoqërisë “Furnizuesi i Tregut të Lirë” sh.a., (FTL sh.a.) në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike” dhe nr.199, datë 03.09.2018 “Mbi licencimin e shoqërisë ‘Furnizuesi i Tregut të Lirë’ sh.a, (FTL sh.a) në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike”.

Ky i fundit, sipas ligjit, ka detyrimin e blerjes së energjisë nga prodhuesit me përparësi, sipas një çmimi të fiksuar që ka në referencë bursën hungareze. Pikërisht këtë sasi energjie duket se po shet OSHEE në treg të lirë. Paralelisht kompania publike e shpërndarjes ble nga Korporata Elektronenergjetike Shqiptare sasi të mjaftueshme energjie për të mbuluar kërkesën e konsumatorit fundor në tregun e rregulluar, me një çmim prej 1.45 lekë/kwh. Sa u takon humbjeve, OSHEE është e detyruar që t’i blejë ato në tregun e parregulluar. /N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of