Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, ndërsa u tha se situata me pandeminë COVID-19 është shqetësuese. Janë paralajmëruar edhe masat e reja.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vlerëson se situata me pandeminë e koronavirusit në Kosovë është shqetësuese dhe nuk përjashton që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi që zhvilloi të enjten, më 1 prill, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
Vitia dhe Kosnett, sipas një njoftimi të MSH-së, thuhet se kanë vlerësuar se për shkak të situatës shqetësuese, kërkohet respektimi i masave që janë në fuqi.
Ata kanë shtuar se pandemia ka përkeqësuar situatën në rrafshin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik dhe social.
“Në takim është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social. Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave te tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër Kosnett ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të ndihmojë edhe më tej Kosovën në luftën kundër pandemisë.
“Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-ja përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partnere e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Kosova më 29 mars nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pasi pranoi 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në programin COVAX, që ka për qëllim të furnizojë shtetet e varfra me vaksina, SHBA-ja është një ndër donatoret kryesore.
Në Kosovë, sipas Planit shtetëror të vaksinimit, fillimisht do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Gjatë 31 ditëve të muajit mars në Kosovës janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.
Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore, numri i të shëruarve gjatë marsit 2021 ka qenë 14 mijë e 564 persona.
Numri total i rasteve pozitive është 91.405 raste nga 430.860 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.884 raste të vdekjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.