Shtimi i rasteve të reja në Itali ka rikthyer të njëjtën situatë që u krijua në muajin mars.
Nga ora 11:00 e mbrëmjes të së enjtes deri në orën 05:00 të mëngjesit ka hyrë në fuqi masa që ndalon qarkullimin e njerëzve në territorin e Lombardisë, bazuar në urdhrin e qeverisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Masa do të jetë në fuqi të paktën deri më 13 nëntor, ndërsa kushdo që shkel këtë masë mund të gjobitet deri në 3 mijë euro. Masat në Lombardi u vendosën pasi sistemet shëndetësore panë një rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim dhe terapi intensive.
Në rrugët e Milanos, tramvajet shihen të qarkullojnë më rrallë, ndërsa shumë pak njerëz shikohen në lëvizje. Kryetarët e bashkive në provincat e Lombardisë kanë kërkuar gjithashtu edhe mbylljen e qendrave tregtare gjatë fundjavës.
Lexo edhe këtë: Shtimi i rasteve, Italia njofton kufizime të mëtejshme të koronavirusit
Franca zgjeron shtetrrethimin në 54 territore
Edhe Franca ka shtrirë shtetrrethimin në 38 departamente të tjera administrative, si dhe në territorin jashtë Polinezisë.
Duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, 54 territore në Francë do të jenë në izolim. Masa, që hyn në fuqi mbrëmjen e së premtes, do të jetë aktive në gjashtë javët e ardhshme, ku preken 46 milionë njerëz.
Kryeministri francez Jean Castex, gjatë njoftimit të masave, deklaroi se “vala e dytë është tani në proces”, ndërsa vendi regjistroi një tjetër rekord në 24 orët e fundit, 41,622 raste të reja.
“Javët e ardhshme do të jenë të vështira dhe numri i vdekjeve do të vazhdojë të rritet. Nëse nuk arrijmë të ndalojmë pandeminë, do të përballemi me një situatë të rëndë dhe do të duhet të shqyrtojmë masa shumë më të ashpra.” tha ai.
Greqia ndalon lëvizjet me makinë
Me rritjen e rasteve të reja, edhe shteti fqinj, Greqia, ka ashpërsuar masat.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar se do të ndalohen lëvizjet me makinë nga ora 00:30 deri në 05:00 të mëngjesit në zonat e cilësuara si “të kuqe” apo “të verdha”, në raport me numrin e të infektuarve, duke filluar nga e shtuna.
Maskat do të jenë të detyrueshme në ambientet e e brendshme dhe të jashtme. “Virusi është kudo, ndaj maskat do të bëhen të detyrueshme kudo”, tha ai.
Edhe vendet e tjera europiane po luftojnë me rritje të nivelit të infeksioneve. Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe janë të gjitha pikat e nxehta.
Gjermania e Britania, rekord të infektuarish, Spanja e Franca tejkalojnë 1 milion raste me Covid-19