“Situata po orienton bizneset nga tradicionalja tek e-commerce”

28/03/2020 10:06 PM 0 komente

Geri Piranjani, Administrator i “United Transport” (“Albanian Courier”)

 

Njësitë e tregtimit që historikisht në Shqipëri kanë parë si mundësi të vetme të tyre shitjen në dyqane, me situatën e re, të krijuar nga koronavirus, po orientohen edhe tek e-commerce. Geri Piranjani, administrator i “United Transport” (“Albanian Courier”), vlerëson se shërbimi postar, si një hallkë e rëndësishme e procesit nga biznesi te konsumatori, është lobuesi kryesor në ndryshimin e mentalitetit se pazaret bëhen vetëm në dyqane. Në kushtet aktuale, formula e re që është gjetur me supermarketet dhe farmacitë po funksionon, për të dërguar në kohë rekord te konsumatorët porositë e tyre.

 

Si i është përshtatur “Albanian Courier” situatës së krijuar në vend nga koronavirus sa i takon aktivitetit të përditshëm?

Ne në “Albanian Courier” jemi munduar të ndjekim me kujdes zhvillimet dhe ecurinë e përhapjes së COVID-19, prandaj kemi filluar prej disa javësh planifikimin dhe marrjen e masave në lidhje me këtë situatë. Planet dhe veprimet tona përqendrohen në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenien e punonjësve, qytetarëve, klientëve, shitësve dhe partnerëve tanë.

Ne kemi nisur zbatimin e hapave të parë të këtij plani, që përfshin punën e izoluar në shtëpi të punonjësve tanë, për të zvogëluar sa më shumë rrezikun e transmetimit të këtij virusi ndërmjet njerëzve në vendet e punës. Teksa kemi kaluar në këtë model të ri pune për punonjësit tanë, ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në shërbimet dhe mbështetjen e ofruar ndaj qytetareve.

Si ka qenë aktiviteti i shërbimit postar në dy javët e fundit, a ka ndonjë tendencë që vihet re?

Aktiviteti i shërbimit postar në dy javët e fundit ka qenë shumë dinamik. Pas lajmit për konstatimin e rastit të parë me COVID-19 në vendin tonë, shumë persona filluan të blejnë rezerva ushqimore për të përballuar situatën e vështirë që mund të vinte më pas, si pasojë e mbylljes së bizneseve ose, edhe më keq, e përfundimit të stokut dhe kjo solli rënie të përkohshme të dërgesave tona që vinin nga shitjet online. Por shumë shpejt, situata filloi të ndryshojë dhe u vu re se shumë rrjete supermarketesh dolën me një platformë shitjesh online për qytetarët, një risi kjo në vendin tonë.

Kjo mënyrë e të bërit pazar online është shumë e njohur dhe e përdorur në Europë, por në vend, rrjetet e supermarketeve kanë qenë skeptikë për ecurinë e kësaj mënyre dhe e kanë shtyrë gjithmonë momentin e kalimit në shitjen online. Tashmë që jemi në përfundim të javës së parë të shitjeve online të produkteve ushqimore, vërehet se tendenca është në rritje. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë qytetarët po binden se mund të bëjnë porosi nëpërmjet internetit dhe platformave të rrjeteve sociale dhe të jenë të sigurt e të qetë në shtëpinë e tyre. Porosia ju mbërrin me të njëjtat çmime, apo edhe me çmime më të lira nëse do t’i merrnin në supermarket.

Cilat janë njësitë tregtare që kanë ndryshuar formën e shitjes nga dyqani përmes dërgesave me postë në këtë kohë për shkak të koronavirusit (supermarkete ushqimesh p.sh., ose nëse ka edhe të tjera)?

Bizneset, që deri më tani ishin mësuar me shitjen tradicionale, po shohin një mundësi të mirë të orientimit të shitjeve të tyre drejt e-commerce. Vetëkarantinimi dhe kufizimi i lëvizjes e ka bërë të vështirë ose edhe të pamundur hapjen e disa prej bizneseve, duke sjellë në këtë mënyrë tkurrje të të ardhurave në ekonominë e vendit. E ndërsa taksat dhe detyrimet fiskale vazhdojnë, këto biznese po shohin dritë në fund të tunelit vetëm nëpërmjet shitjeve online.

Të parët që drejtuan shitjet e tyre online ishin supermarketet e mëdha si SPAR, ECOMARKET, CONAD dhe MAPO, kjo falë edhe punës tonë që kishim bërë paraprakisht me ta, duke i shtyrë drejt kësaj mënyre shitjesh. Gjithashtu janë të shumta edhe farmacitë që po vazhdojnë të shesin online.

Ne i këshillojmë të gjithë qytetarët që të zgjedhin dorëzimet në shtëpi, si një mundësi më e sigurt për pranimin e pakove të tyre. Pasi blerjet online janë një zgjidhje më e sigurt se blerjet tradicionale, veçanërisht gjatë kësaj periudhe. Si zakonisht, blerjet online ju mundësojnë aksesin në produkte më të larmishme dhe me çmime të arsyeshme dhe oferta të pafundme.

A po hasni probleme në këtë kohë për formën se si po operohet dhe nëse p, cilat janë ato?

Problemet në këtë periudhë janë të minimizuara, për shkak të mungesës së trafikut në qarkullimin e automjeteve dhe gatishmërisë së qytetarëve, të cilët, të mbyllur në shtëpi, marrin në dorëzim porositë që kanë bërë nëpërmjet internetit. Kemi vënë re se numri i pakove të porositura po vazhdon të rritet ndjeshëm gjatë kësaj periudhe dhe ne ju garantojmë se do të vazhdojmë t’ju shërbejmë me përkushtim dhe t’i dorëzojmë me përparësi pakot me produktet e nevojshme.

Por situata është e vështirë për të gjithë, edhe korrierët janë njerëz dhe sigurisht që kanë frikërat e tyre se mund të jenë të cenueshëm ndaj COVID-19. Në këtë situatë, korrierët tanë janë në vijën e parë të luftës ndaj COVID 19 bashkë me mjekët, infermierët, policinë, ushtrinë dhe farmacistët. Gjithsesi ne kemi marrë masa për dezinfektimin e ambienteve të punës si zyrat dhe automjetet, pajisjen me masa mbrojtëse individuale maska, doreza dhe dezinfektues për të gjithë stafin dhe sidomos u kemi kushtuar vëmendje të veçantë korrierëve tanë që janë në lëvizje gjatë gjithë ditës. Këto masa parandaluese po i marrim për të garantuar sigurinë e shoferëve, automjeteve, punonjësve, ambienteve të punës dhe pakove të porositura.

A mendoni se tendenca për dorëzim në shtëpi të disa pazareve që njerëzit janë mësuar t’i blejnë në dyqan do të mbijetojë edhe pasi të kalojë situata ku jemi?

Shumë prej qytetarëve e shohin këtë si një mundësi për të bërë pazarin më në fund në supermarketet më të mëdha në vend, me produkte të shumëllojshme dhe me çmimet më të mira, nga rehatia e shtëpisë së tyre. Ka shumë familje që për shkak të specifikave të jetesës së tyre, apo orëve të gjata të punës, e kanë të vështirë të organizohen dhe të bëjnë pazaret e tyre javore apo mujore. Pra iu ka munguar deri më tani kjo mënyrë e të bërit të pazarit online. Kjo formë e re e shitjes së produkteve ushqimore, jo vetëm do të rezistojë edhe pasi të kalojë kjo situatë, por mendojmë se do të shtrihet më gjerë në të gjithë vendin.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of