Nga tërmeti shkatërrues i fuqisë 6,2 të shkallës së Rihterit që goditi pjesën qendrore të Italisë , numri i viktimave pritet të jetë akoma më i madh. Asnjë shtëpi nuk eshte e banueshme në Amatrice e zona të tjera. Ekipet e shpëtimit në terren janë në kërkim të të lënduarve.
Sizmiologu shqiptar, Llambro Dumi deklaron se edhe vendi ynë rrezikon të goditet nga tërmete të madhësisë që goditi në orët e para të mëngjesit të sotëm Italinë Qendrore, duke shkaktuar dhjetëra të vdekur e qindra të lënduar.
Në një komunikim telefonik në “News24”, sizmiologu Dumi theksoi se e vetmja masë parandaluese që mund të marrim për raste të tilla, është të ndërtojmë mirë.
“Jemi të rrezikuar nga tërmete të kësaj madhësie, në Shqipëri ka patur tërmete edhe 6.8 ballë. Duhet të përgatitemi, kam parasysh godinat tona. Duhet të ndërtojmë mirë. Shkenca sot nuk është ën gjendje ti paralajmërojë, aq më tepër ti parandalojë”- deklaroi Dumi.
Lidhur me tërmetin në Itali, sizmiologu shqiptar tha: “Zona që u godit nga tërmeti në Itali është shumë pranë Aquilas- që u godit nga një tërmet i fortë në 2009-ën.
Eshtë një zonë që fillon nga Reggio Emilia në veri, deri poshtë në Kalabri e njohur për tërmete. Në këtë zonë ka shumë ndërtime historike, monumente kulture. Pjesa me e madhe e rrënojave është nga ndërtime historike”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.