Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia është takuar me kryetarët e komunave për të folur rreth masave të reja në Kosovë. Është marrë vendim që masat e reja të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator dhe do të vlejnë deri më 26 shtator.
Për masat e reja anti-COVID është diskutuar në një mbledhje mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetarëve të komunave të Kosovës.
Sipas propozim vendimeve të reja, mësimi parauniversitar do të shtyhet për në 26 shtator, në pikat kufitare duhet të paraqitet certifikata e vaksinimit ose testet, qendrat kulturore do të pezullojnë aktivitetet, e të tjera.
Po ashtu, duke ditur që një nga masat e vendosura më herët është edhe ora policore, ajo do të vazhdohet deri më 26 shtator.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi pas një mbledhjeje të Qeverisë dhe me miratim nga kabineti qeveritar.
Nëse miratohen, këto do të jenë në fuqi nga 13 shtatori deri më 26 shtator.
– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.
– Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra.
– Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.
– Gastronomia vazhdon si edhe masat e deritashme.
– Në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.
– Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator.
AKK-ja njoftoi se masat tjera vazhdojnë të jenë siç kanë qenë dy javët e fundit.
Nga data 27 shtator do të kemi masa të reja në varësi nga analizat dhe situatën që mund ta kemi në atë kohë në bashkëpunim me IKSHP dhe institucionet tjera shëndetësore në nivel vendi.
Në këtë takim, kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit tjerë komunalë të pranishëm në këtë takim online me Ministrin e Shëndetësisë paraqiten edhe sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks në çështjet e vaksinimit dhe furnizimit me barna shëndetësore.
Sipas masave të cilat janë në fuqi deri më 13 shtator 2021, shërbimet e gastronomisë përfshirë restorantet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri lejohen të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:30 në hapësirat e jashtme ndërsa nuk lejohet të punohet brenda hapësirave të lokalit.
Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 685 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Shifra bazohet në 9.415 mostra të testuara. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.
Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.