Komisioni parlamentar britanik për Kulturën, Median e Dixhitalizimin ka kërkuar që Mark Zuckerberg të dëshmojë për rastin e skandalit të abuzimit të të dhënave të përdoruesve në rrjetin social nga ana e shoqërisë Cambridge Analytica. Nuk është e qartë nëse drejtuesi i Facebook do të shkojë të flasë me autoritetet e Londrës.
Por jo vetëm. Federal Trade Commision (Komisioni Federal i Qeverisë), agjencia e qeverisë amerikane për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorit, ka hapur një çështje mbi Facebook, për shkelje të mundshme të kushteve për mbrojtjen e të dhënave personale në lidhje me skandalin Cambridge Analytica – siç bën të ditur Bloomberg. Hetimi synon të qartësojë nëse rrjeti social e ka lejuar Cambridge Analytica të marrë disa të dhëna të përdoruesve, duke shkelur politikat e tij.
Në vitin 2011, Facebook mori konsensusin e përdoruesve për ndryshimin e disa parametrave sa i përket privatësisë. Sipas akuzës, Facebook mund të ketë mashtruar përdoruesit, duke i detyruar të ndajnë më shumë informacione personale se sa do të donin. Që në atë kohë, Federal Trade Commision i kishte kujtuar Facebook se kishte ndryshuar disa parametra pa i lajmëruar përdoruesit e tij. Nëse këto shkelje do të vërtetoheshin, Federal Trade Commission mund ta gjobisë kompaninë me mijëra dollarë në ditë.
Humbjet e Zuckerberg
Zuckerberg, i cili zotëron 16% të aksioneve të Facebook, ka humbur personalisht 5,5 miliardë dollarë në Bursë, duke zbritur në kuotën e 69 miliardë dollarëve, sipas monitorimit të Forbes mbi njerëzit më të pasur të planetit.
Shkelje të tjera
51 milionë profile të votuesve amerikanë – sipas një hetimi të The Guardian dhe New York Times – janë “bastisur” nga shoqëria Cambridge Analytica kur ishte në shërbim të fushatës së Donald Trump për Shtëpinë e Bardhë – dhe të dhënat janë përdorur për të ndikuar te votimet. E njëjta logjikë mund të jetë përdorur për të ndikuar në votën mbi Brexit.
Sipas New York Times, Alex Stamos, kreu i sigurisë së të dhënave, do të largohet nga Facebook. Shkak i dorëheqjes thuhet se janë mosmarrëveshjet me kompaninë sa i përket mënyrës se si rrjeti social ka menaxhuar shpërndarjen e lajmeve dhe fake news.
Por Stamos, i është përgjigjur menjëherë lajmit të publikuar në New York Times: “Pavarësisht zërave, jam plotësisht i angazhuar në punën time në Facebook. Është e vërtetë se roli im ka ndryshuar”. Sipas Reuters, që i referohet burimeve të Facebook, dorëheqja e Stamos mund të ndodhë në muajin gusht.
Qëndrimi i Bashkimit Europian
Bashkimi Europian, nëpërmjet komisioneres për Drejtësinë, Vera Jourova, tha se “për BE, përdorimi i keq për qëllime politike i të dhënave personale të përdoruesve të Facebook, nëse vërtetohet, është i papranueshëm dhe i tmerrshëm”. Jourova sapo ka mbërritur në SHBA ku do të takohet me drejtuesit e shoqërisë dhe përfaqësues të qeverisë së SHBA-së, në veçanti me sekretarët Wilbur Ross e Jeff Sessions ku do të diskutojë për marrëveshjen BE-SHBA për mbrojtjen e privatësisë dhe rregullat e reja mbi internetin dhe cloud.
Mbrojtja e Shoqërisë
“Nuk jam një spiun dhe jam gati të flasë me autoritetet e FBI-së dhe përpara Kongresit Amerikan – thotë Aleksandr Kogan për CNN – i cili nëpërmjet aplikacionit ‘Thisisyourdigitallife’ ka mbledhur informacione te më shumë se 50 milionë amerikanë, duke provokuar skandalin që ka përfshirë Facebook. Ato informacione janë përdorur nga Cambridge Analytica, shoqëria e të dhënave që thuhet se ka ndihmuar Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016, por thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në votimin mbi Brexit.
Ndërkohë, parlamentari anglez, Damian Collins, nga Partia Konservatore i ka kërkuar Zuckerberg të dëshmojë në një komision hetimor të Dhomës së Ulët në Parlamentin e Britanisë së Madhe.