Skandali me sistemin e ngarkuar për dorëzimet e bilancit, QKB nuk mban asnjë përgjegjësi: Nuk ka shtyrje afati

31/07/2019 12:28 PM 0 komente

Bizneset kanë dhe pak orë për të dorëzuar bilancet online në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), përmes E-Albania, teksa afati i fundit është ora 12 e natës.

Por, subjektet raportojnë që gjatë muajit korrik janë hasur vazhdimisht me vështirësi dhe vonesa për dorëzimin e bilanceve, teksa në bazë të ligjit të ri të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj

Bizneset janë ankuar vazhdimisht se sistemi është shumë i ngadaltë dhe faqja donte kohë të merrte dokumentet edhe gjatë qershorit e korrikut (bizneset nuk mund t’i dorëzojnë bilancet online më parë, pasi përgjithësisht pritet të përfundojë auditimi dhe të merret vendimi i ortakëve) . Për t’i ngarkuar raportet mund të të marrë edhe disa ditë kohë pasi serverat e QKB nuk e përpunojnë dot informacionin në kohë dhe ngec. Ata ankohen se nuk është normale që sistemi nuk u përgjigjet dhe ata duhet të ngarkohen me gjoba. Sanksioni administrativ në kërë rast është 15 mijë lekë.

Sistemi nuk arrin të ngarkohet

“Kam 4 ditë që nuk kam bërë asnjë punë tjetër, vetëm duke provuar gjithë kohën, sistemi nuk punon. Mbrëmë qëndrova gjithë natën, me idenë që natën nuk ka fluks dhe do jetë më mirë, e njëjtë gjë. Mbas ores 1, sistemi doli totalisht jashtë funksioni. Nuk merrte asnjë lloj kliku”, thotë për Monitor Armand Mala, kontabilist. “Nëse quhet sistem në funksionalitet të plote një sistem i cili pas cdo klikimi kërkon kohë të validoje klikimin atehere jemi ne jo normale. Nese insititucioni justifikohet pse subjektet duhet ti lënë për ditë të fundit sërish nuk është justifikim, e para ky problem nuk është veç për ditë të fundit por pothuajse gjithë kohën ka qenë me probleme, e dyta po edhe nëse e lë për ditë të fundit sistemi duhet të përgjigjet njësoj, është e drejta e subjektit ta bëjë këtë gjë deri me 31 Korrik”, shton ai.

Burime nga Qendra Kombëtare e Biznesit pranuan për Monitor se sistemi ka vonesa për shkak të ngarkesës por thanë se absolutisht nuk bëhet fjalë për të shtyrë afatin. Sipas tyre, afati vijon të mbetet ora 12 e natës së ditës së sotme dhe ndonëse mund të ketë vonesa, bilancet do të procesohen nga sistemi.

QKB njoftoi se deri dje i kanë dorëzuar bilancet 17,932 subjekte, shifër kjo që përkthehet në mbi 70% të aplikimeve , duke mbajtur si referencë aplikimet nga vitet pararendëse. Nga të dhënat e QKB-së rezulton se nga rreth 25 mijë subjekte që duhet të dorëzojnë bilancin, 30% e tyre ose mbi 7 mijë nuk kanë aplikuar ende ose nuk kanë arritur të ngarkojnë bilancet në sistem.

QKB ka thënë në një njoftim për shtyp, se sistemi është në funksionalitet të plotë, por për shkak të mbingarkesës së aplikimeve në ditët e fundit të afatit ligjor, aplikimi kërkon më shumë kohë për mbylljen me sukses të depozitimit të pasqyrave financiare.

“Ju informojmë se për të gjitha problematikat e konstatuara nga ana e subjekteve janë vënë në dispozicion adresat e e-mail-it info.qkb@qkb.gov.al dhe ankesa.qkb@qkb.gov.al për adresimin dhe zgjidhjen e incidenteve të natyrës teknike dhe funksionale të aplikacionit, gjithashtu për mënyrën e plotësimit të tabelës excel është i publikuar në faqen zyrtare të internetit të QKB manuali përkatës.

Qendra Kombëtare e Biznesit është e anagazhuar maksimalisht ndaj të gjithë subjekteve për t’i asistuar dhe mbështetur për përmbushjen në kohë të detyrimit ligjor lidhur me depozitimin e pasqyrave financiare, gjithashtu dhe stafi ndihmës i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është në kontakt me QKB dhe subjektet për çdo ankesë apo problem që lidhet me portalin e-albania”, thotë QKB në njoftimin e saj.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of