Në Shqipëri nuk shënohet asnjë rast i përfunduar falimenti, por vetëm procese që stërzgjaten në dyert e gjykatave. Për këtë situatë, një pjesë e “fajit” i faturohet moszbatimit të ligjit, por edhe mentalitetit. Ministria e Drejtësisë brenda vitit do të realizojë mendime në kuadrin legjislativ ekzistues, ndërsa Banka Botërore po asiston për të pasur një “skanim” të plotë të situatës
Nga E. Bedalli
Në Shqipëri, ligji për falimentimin i është nënshtruar ndryshimeve të herëpashershme, sikundër do të ndodhë edhe në fund të këtij viti kur do t’i prezantohen Kuvendit disa mendime. Në asnjë rast, ligji nuk ka gjetur zbatim, edhe pse është hartuar sipas standardeve. Deri më sot nuk evidentohet asnjë rast i përfunduar, ndërsa janë 45 të tilla në proces gjykimi, një shifër e ulët kjo nisur edhe nga shkalla e lartë e informalitetit që karakterizon ekonominë shqiptare. Reforma për zgjidhjen e paaftësisë paguese po realizohet nga Ministria e Drejtësisë, në partneritet edhe me qeverinë e Zvicrës, ndërsa programi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore) për “Zgjidhjen e borxhit”, do të ndihmojë në përmirësimin e çështjeve që lidhen me sistemin e paaftësisë paguese në Shqipëri.
Ky program do të zbatohet deri në vitin 2016 në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kjo do të synojë në dhënien e ndihmës ndaj shtetit shqiptar për ta bërë sistemin e zgjidhjes së paaftësisë paguese më efikas. Në takimin e zhvilluar në Tiranë me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, por edhe me biznesin, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, nënvizoi mangësitë në ligj për procesin e falimentit dhe se ky fakt po çon në zvarritjen e mëtejshme të procedurave. Sipas ministrit Naço, pjesë e reformës do të jetë ristrukturimi i Agjencisë së Falimentimit, adresimi i një pakete të re, shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurave nëpërmjet afateve të reja ligjore, rritja e shumës së detyrimit që do të përfitojnë kreditorët, por edhe kosto më të ulëta për shpenzimet procedurale. “Ka ardhur koha që të ndërmarrim masa për ta shndërruar Shqipërinë në një strehë të sigurt për biznesin. Rregullimi ligjor i marrëdhënieve kreditor-debitor nuk ka vetëm karakter ekonomik, por edhe social, pasi krijon mundësi reale për zgjidhjen e borxheve ndaj kategorive të tilla si familjet me probleme sociale, studentët, buxhetorë, biznes i vogël, etj. Në këtë kontekst, nëpërmjet Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit, shumë shpejt, Ministria e Drejtësisë do të adresojë te grupet e interesit paketën ligjore për fushën e falimentit. Kuadri i ri ligjor do të ketë në fokusin e tij çështjet që lidhen me paaftësinë paguese të subjekteve debitore, si dhe praktikat e ristrukturimit të borxhit, të cilat do të shmangin eliminimin e biznesit dhe do të rimodelojnë strukturën financiare dhe organizative të subjekteve debitore. Një riorganizim i mirë mund të sjellë: më shumë të ardhura për biznesin; strukturë më të konsoliduar, biznesin më të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, tha ministri Naço.
Sipas z. Mahesh Uttamchandani, menaxheri global i programit të IFC për Zgjidhjen e Borxhit, “rezultati i pritshëm i programit është transformimi i sistemit të zgjidhjes së borxhit në Shqipëri në një sistem eficient, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe praktikat e paaftësisë paguese, të cilat do të sigurojnë baza më të forta për parandalimin e kredive të këqija dhe për zgjidhjen e tyre, do të sjellin fitime më të mëdha për kreditorët dhe mbrojtje për kompanitë me mundësi zhvillimi ekonomik”.
Ndërsa ambasadori zviceran në Shqipëri, H.E. Christoph Graf, u shpreh se në fund të programit parashikohet që mjedisi i biznesit të jetë më i përmirësuar, sektori financiar më i fortë, kuadri ligjor e rregullator për adresimin e paaftësisë paguese i zbatueshëm dhe sektori ekonomik më dinamik.
Ekspertët thonë se pavarësisht nga niveli i lartë i kredive të këqija (23.5% në fund të 2013-s), ligji shqiptar i falimentit është zbatuar shumë pak që nga viti 2002. Pothuajse të gjithë bien dakord që procedurat e falimentit të parashikuara me ligj janë shumë komplekse dhe të vështira. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2014”, në Shqipëri, për zbatimin e një kontrate nevojiten 525 ditë, 39 procedura ose përgjithësisht 2 vjet për të deklaruar gjendjen e falimentit.
Ata thonë se në vend ka pak profesionistë të kualifikuar që të vënë në zbatim legjislacionin, si dhe mungon ndërgjegjësimi në komunitetin e biznesit dhe te disa nga aktorët kryesorë, si për shembull avokatë e gjyqtarë. Për pasojë, në vend që të kërkohet ristrukturim i borxhit dhe i biznesit, kompanitë thjesht nuk paguajnë borxhet që kanë dhe mbyllin veprimet, pa përdorur asnjë instrument ligjor. Si rrjedhim, kreditorët luftojnë të rikuperojnë financimet e tyre. Mekanizmi i vetëm i rikuperimit bëhet nëpërmjet veprimeve ligjore individuale, të cilat pengohen nga një sistem gjyqësor me një fuqi zbatuese shumë të dobët dhe nga rregulla të vjetruara të procedurës civile.
Programi i IFC për Zgjidhjen e Borxhit do të zbatohet në tre vitet e ardhshme. Ai përfshin reformën ligjore dhe rregullatore dhe sigurimin e shërbimeve për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në lidhje me zgjidhjen e borxhit në Shqipëri.
Ekspertët thonë se në Shqipëri, një nga shkaqet kryesore që biznesi rrezikon të falimentojë ka të bëjë me likuiditetin e pakët që ata kanë, por edhe me paaftësinë për të shlyer borxhet e marra. Sipas të dhënave në tremujorin e dytë të 2014-s, përqindja e huave të këqija në portofolat e bankave në Shqipëri ishte rreth 24% ose 69 miliardë lekë (670 milionë $). Me një rritje progresive nga 6.7% në 2008, përqindja e kredive të këqija në Shqipëri është një nga më të lartat në rajon. Kjo ka ndikuar negativisht në fitimet e bankave, kapitalizimet, si dhe në aftësinë dhe gatishmërinë e tyre për të dhënë hua të tjera në Shqipëri.
Sipas z. Uttamchandani, një tjetër problem që ndeshet në Shqipëri ka të bëjë edhe me mentalitetin, pasi biznesi e mendon si një formë që e çon drejt “vdekjes”, kur në fakt mund të jetë një mundësi për t’u hedhur sërish në treg (në një mënyrë tjetër) aksionet, si dhe për të t’u riorganizuar. Ai thotë se është e nevojshme që të gjitha institucionet të bashkëpunojnë dhe të punojnë për ridizenjimin e ligjit të ri. “Është e nevojshme që të krijohet një sistem mbrojtës nga qeveria. Me mbështetjen e programit të Bankës Botërore do të sigurohet që kur biznesi të shkojë në proces falimenti, asetet e tij të rifuten në ekonomi, në mënyrë që bëhet sërish efektiv”, tha z. Uttamchandani.
Ndërsa akademikët dhe juristët shprehen se është shumë e rëndësishme që të realizohet procesi i negociatave mes biznesit dhe kreditueseve përpara sesa çështja të çohet për referim në gjykatë. Kjo e fundit përbën edhe një nga ngërçet më të mëdha të procesit të falimentimit. Në Shqipëri nuk ka një gjykatë të dedikuar. Sipas të dhënave janë 11 gjyqtarë në Shkallën e Parë që janë të specializuar për këtë fushë, por problemi më i madh mbetet mbingarkesa e tyre me çështje të natyrave të tjera.
Ky projekt i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë dhe mbështetur nga sekretariati shtetëror për çështjet ekonomike në Zvicër fokusohet në zgjerimin dhe zhvillimin e një kuadri rregullator, në drejtim të raporteve, procedurave, standardeve dhe kodeve për sistemin e zgjidhjes së borxhit, ose siç njihet ndryshe në gjuhën ligjore “Sistemi i Falimentimit”.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen si një përgjigje ndaj rekomandimeve të dhëna nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare, lidhur me reformën në regjimin e falimentit.
Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, ekspertët e huaj do të japin asistencën e vazhdueshme në drejtim të: përmirësimit dhe zbatueshmërisë së ligjeve dhe përgjegjësive në fushën e Sistemit të Falimentit. Ajo parashtron, ndër të tjera, edhe rritjen e besimit mes huadhënësve dhe përmirësimin e mundësive për kredi për biznese; lehtësimin në lidhje me ristrukturimin e bizneseve me asete të qëndrueshme, por me paaftësi paguese; reduktimin ose kufizimin e riskut për marrjen e kredive, shtimin e shpërndarjes së detyrimeve te kreditorët, por edhe forcimin e cilësisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit dhe administratorëve të saj.
Çfarë synohet
Në pjesën e legjislacionit deri më tani, është bërë progres, por duke pasur parasysh mënyrat e aplikimit, specifikat, kompleksitetin e kompanive dhe aktorët e procesit, vihet re që ka vend për përmirësim. Në vendet e përparuara, aty ku është aplikuar më tepër ky ligj, falimenti shihet si një fillim i ri për bizneset dhe individin.
Ai është një proces në të cilin konsumatorët dhe bizneset mund të eliminojnë ose të paguajnë disa ose të gjitha borxhet e tyre nën mbrojtjen e gjykatës. Për pjesën më të madhe, falimenti mund të ndahet në dy lloje: likuidimi dhe riorganizimi.
Pavarësisht se edhe në këto vende, falimenti është shprehur në dy lloje, brenda vetes ka një gamë të gjerë mënyrash për aplikime dhe ato janë:
Likuidim themelor për individë dhe biznese: I njohur edhe si falimentim i drejtë, por është forma më e thjeshtë dhe më e shpejtë e falimentimit në dispozicion;
Falimentim i njësive vendore: Si komuna e bashki, si një mekanizëm për zgjidhjen e borxheve;
Rehabilitim ose riorganizim: I përdorur kryesisht nga debitorët e biznesit, korporatave, por ndonjëherë nga individë me borxhe të konsiderueshme. Kjo është një formë e riorganizimit financiar të korporatave, të cilat, në mënyrë tipike, lejojnë kompanitë që të vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa ato ndjekin planet e shlyerjes së borxhit;
Rehabilitim për fermerët dhe peshkatarët: Rehabilitimi me një plan pagese për individët me një burim të rregullt të të ardhurave, i cili iu mundëson këtyre individëve të zhvillojnë një plan për të shlyer të gjitha ose një pjesë të borxheve të tyre;
Rastet e tjera ndërkombëtare: Afrimin e një mekanizmi për trajtimin e debitorëve të huaj në proces falimenti dhe pastrimin nga borxhet.
Mangësitë në ligjin ekzistues
Nga një vlerësim i legjislacionit aktual mbi falimentin, krahasuar me ligje të tjera të brendshme dhe me legjislacionet e huaja, që trajtojnë këtë fushë, ekspertët konsiderojnë se pozitat e debitorit në një procedurë falimenti, janë në një gjendje diskriminuese, kjo për shkak se fryma, që ligji ekzistues përcjell, është e orientuar drejt zbatimit të procedurave të likuidimit, duke mos i lënë hapësirën e duhur biznesit për të shfrytëzuar mundësinë tjetër të njohur nga ligji, atë të riorganizimit, që si qëllim kryesor ka ruajtjen e aktivitetit.
Kjo ndodh pasi dispozitat e ligjit ekzistues fokusohen më tepër në sqarimin e dispozitave që parashikojnë likuidimin e një biznesi, duke lënë të paqartë procesin e riorganizimit të një biznesi.
Në këto kushte, ata thonë se është e nevojshme të hartohen dispozita të qarta ligjore, që të plotësojnë këtë mundësi që vetë ligji jep, duke ruajtur njëkohësisht balancën midis të drejtave dhe detyrimeve, që kanë të gjithë aktorët në një çështje.
Ata thonë se ligji aktual nuk plotëson kërkesat që diktohen nga kushtet e reja në të cilat gjendet biznesi sot.
Mënyra e hartimit dhe e renditjes së dispozitave ligjore, apo krerëve të tij, nuk ndjek vijën procedurale, që ka secili nga rastet e falimentit likuidimi, riorganizimi apo ristrukturimi i borxhit. Kjo ka sjellë që në zbatimin në praktikë të evidentohen vështirësi të theksuara për të kuptuar dhe për të interpretuar ligjin aktual dhe nga subjekte të specializuara në fushën financiare.
Ligji aktual nuk përcakton saktë se për çfarë mund të aplikohet në fazën fillestare të nisjes së procedurave të falimentit. Pra, nuk përcakton mundësi alternative nëse një procedurë aplikimi mund të jetë për ndjekjen -e procedurës së likuidimit, të riorganizimit apo për ristrukturim borxhi me të ardhura të rregullta.
Legjislacioni aktual nuk i sanksionon saktë detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit të falimentit, apo detyrat e mbikëqyrjes në një procedurë falimenti. Duke mos u specifikuar qartë detyrat e administratorit, ekziston rreziku: i shpërbërjes së masës së falimentit, dështimit të të gjithë procesit; i shmangies nga përgjegjësia ligjore.
Ai sanksionon në mënyrë të përgjithshme se çfarë është masa e falimentit, por nuk përcakton konkretisht sendet dhe pasuritë që përfshihen dhe deri ku shtrihet masa e falimentit.
Ekspertët thonë se nga zbatimi në praktikë është konstatuar mosrealizimi i një procedure, për shkak të keqinterpretimeve nga gjykata të ndryshme në forma të ndryshme, se çfarë do të quajmë masë apo pasuri e debitorit, e cila i nënshtrohet një procedure falimenti.
Ligji aktual paraqet gjithashtu mangësi në përcaktimin e qartë të të drejtave dhe detyrimeve, që kanë palët: në një proces likuidimi, riorganizimi, apo ristrukturimi borxhi.
Nga evidentimi në zbatimin e procedurave në praktikë është konstatuar zbatim i gabuar i detyrave që ka secili në procedurë.
Në të nuk parashikohet asgjë, në lidhje me mashtrimet në procesin e falimentit, ndërkohë që legjislacionet e vendeve të zhvilluara, i kanë të përcaktuara: llojet e mashtrimeve në faliment, si dhe masën dhe mënyrat e vendosjes së sanksioneve penale, apo administrative që vendosen në rast të konstatimit të tyre.