Skema e vaksinave Covax, vetëm një e pesta e dozave janë shpërndarë

23/04/2021 10:40 AM 0 komente

Iniciativa globale e ndarjes së vaksinave Covax deri më tani ka dorëzuar rreth një në pesë nga dozat e Oxford / AstraZeneca që ishte parashikuar se do të mbërrinin në shtete të ndryshme në muajin maj, sipas një analize të Guardian, duke ilustruar koston e ndalimeve të eksportit, grumbullimin dhe mungesat e furnizimit për një skemë që përfaqëson një litar shpëtimi për shumë njerëz në botën në zhvillim.

Organizatat që drejtojnë Covax-in kishin parashikuar që vendet do të merrnin më pak vaksina sesa pritej pasi qeveria indiane kufizoi eksportet nga prodhuesi i saj më i madh në përgjigje të një vale katastrofike të dytë në atë shtet, por të dhënat tregojnë se mungesa të jetë e madhe, duke detyruar shumë qeveri të përpiqen për të siguruar doza diku tjetër.

Vende të mëdha si Indonezia dhe Brazili deri më tani kanë marrë rreth një në 10 të dozave të Oxford / AstraZeneca që prisnin deri në maj, ndërsa Bangladeshi, Meksika, Birmania dhe Pakistani janë ndër ato shtete që nuk kanë marrë deri më tani ndonjë dozë të vaksinës përmes këtij programit. Një pjesë e vogël e vendeve si Moldavia, Tuvalu, Nauru dhe Dominica kanë marrë dozën e plotë që u është caktuar, por shumica dërrmuese e atyre që janë në skemë deri më tani kanë marrë një të tretën ose më pak nga ato që janë ndarë.

Në Afrikë, Ruanda ka marrë vetëm 32% të alokimit të saj, përqindja më e madhe në kontinent, duke lënë pas shtete përfshirë Nigerinë, Keninë, Etiopinë dhe Republikën Demokratike të Kongos, të cilat kanë marrë secila rreth 28% të dozave që presin. Në përgjithësi, që nga e mërkura e kësaj jave, programi kishte shpërndarë rreth 40.2 milionë ose 21.5% të dozave nga 187.2 milionë që planifikoi të shpërndajë gjatë ose deri në fund të majit. Analiza bazohet në të dhënat e marra nga Airfinity, një firmë analitike e shkencave të jetës, Unicef ​​dhe Gavi, dy nga organizatat që po ndihmojnë për të drejtuar Covax. Mungesa të tilla po krijojnë panik në vende të tilla si Bangladeshi, ku sipas një burim të brendshëm në industrinë e vaksinave u tha se furnizimet e dozave të Oxford / AstraZeneca do të mbaronin brenda dy javësh, pa asnjë shpresë për një furnizim të afërt.

“Ne tashmë u kemi dhënë dozat e para 5.7 milionë njerëzve dhe duhet t’u japim atyre dozën e dytë, por nuk kemi ndonjë furnizim”, tha ai, duke kërkuar që të mos përmendet me emër sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me median. “Si do t’i imunizojmë ata 5.7 milionë njerëz?”

Covax është një bashkëpunim i pashembullt global që synon të përdorë fonde nga bamirësi dhe vendet më të pasura për të blerë vaksina me shumicë dhe për t’i shpërndarë ato në mënyrë të barabartë në të gjithë botën, duke siguruar që të paktën 20% e popullsisë së secilit vend – duke u përqendruar tek punonjësit e shëndetësisë dhe më të prekshmit, do të jenë vaksinuar deri në fund të vitit.

Por skema është në mëshirën e qeverive kombëtare dhe industrisë farmaceutike, dhe të dyja këto e kanë dëmtuar atë që kur u krijua vitin e kaluar. Qeveritë e pasura u regjistruan në Covax por gjithashtu bënë marrëveshje private direkt me prodhuesit e vaksinave duke ofruar të paguajnë çmime më të larta për të siguruar hyrjen e vaksinave më shpejt në shtetet e tyre.

Prodhuesit e vaksinave të tilla si Pfizer ranë dakord të shesin një sasi relativisht të vogël dozash në Covax me një normë jo-fitimprurëse, por pjesën më të madhe të furnizimit të tyre e shpërndanë drejt vendeve me të cilat nënshkruan kontrata më fitimprurëse. Prodhuesit e tjerë si Moderna ende nuk e kanë furnizuar programin as me një dozë të vetme.

Sidoqoftë, Covax ishte në gjendje të siguronte marrëveshje për më shumë se 1.53 miliardë doza këtë vit, duke u mbështetur shumë në Institutin Serum të Indisë, një furnizues që ishte i licencuar për të prodhuar vaksinën e Oksfordit falas në këmbim të marrëveshjes për ta prodhuar atë për vendet në zhvillim.

Por Instituti i Serumit ka qenë më i ngadaltë sesa parashikohej për të rritur furnizimin, duke përmendur ndalimet e eksportit të SHBA-së për përbërësit kryesorë që i duhen për të prodhuar më shumë doza. Krahas kësaj, ringjallja e virusit në Indi ka bërë që qeveria atje të ulë në mënyrë drastike sasinë e vaksinës që po lejon të dërgohet jashtë shtetit.

Liam Sollis, shefi i politikës në Unicef MB, tha se mungesa dramatike në furnizimet e Covax deri më tani theksoi nevojën që vendet e furnizuara mirë të fillojnë të dhurojnë menjëherë disa nga dozat e tyre. “Ne duhet të sigurojmë që furnizimi aktual i dozave të prodhuara që janë në dispozicion në Mbretërinë e Bashkuar për momentin, një pjesë e atyre që janë zotuar të ndahen me Covax”, tha ai.

“Një minimum prej 5% duhet të angazhohet në këtë fazë dhe kjo duhet të jetë mbi një bazë të ndryshueshme, por kjo përqindje duhet të rritet gjatë vitit, duke qenë se edhe vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar do të rritet, dhe i njëjti angazhim duhet të bëhet edhe nga vendet e G7 dhe të gjitha vendet me furnizim të konsiderueshëm për momentin”.

Disa vende nuk kanë marrë dozat e Oxford / AstraZeneca që u janë caktuar sepse mund të mos kenë qenë të nevojshme për ta. Katari, për shembull, i cili ka blerë furnizim të bollshëm privatisht, ose Kanadaja, e cila u kritikua për tërheqjen e furnizimit Covax kur tashmë kishte rezervuar privatisht dozat më të mëdha për person të çdo vendi në botë.

Afrika e Jugut, gjithashtu, ka ndaluar përdorimin e formulimit Oxford / AstraZeneca pasi kjo vaksinë kishte vetëm 10% efikasitet në parandalimin e infeksioneve të lehta ose të moderuara nga varianti i ri që tani mbizotëron në vend.

Një zëdhënës i Unicef ​​tha për Reuters të Mërkurën se kishte gjetur furnizime alternative të vaksinës së Oksfordit jashtë Indisë dhe se priste të merrte 65 milionë doza më shumë deri në fund të majit. Instituti Serum i Indisë thotë se planifikon të rrisë prodhimin e vaksinave në 100 milionë doza në muaj deri në fund të majit por është e paqartë se sa nga ky furnizim do të lejohet të shkojë në Covax./The Guardian

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of