Flet Anduel Çekrezi, përfaqësues i “EuroElektra sh.p.k”
Miratimi i udhëzimit nga ministria cilësohet si një ndër zhvillimet më të rëndësishme në sektorin energjetik dhe kryesisht segmenti i fotovoltaikëve për operatorët e tregut. Anduel Çekrezi, përfaqësues i “EuroElektra sh.p.k”, nënvizon se skema që përcaktohet në këtë udhëzim funksionon pjesërisht dhe tepricat e energjisë sot kalojnë në rrjet falas, në mungesë të një çmimi. Udhëzimi në fillim solli një efekt zinxhir me një rritje të menjëhershme të interesit dhe kërkesës, por tashmë ka kaluar në fazë skepticizmi, duke lënë në pritje investitorët potencialë dhe kompanitë e këtij sektori.
Si ka qenë situata në sektorin e fotovoltaikëve në këtë kohë pandemie? E kemi fjalën si për investimet e bizneseve për vetëkonsum nën 500 kWp ashtu edhe për investime më të mëdha, për qëllime tregtimi.
Gjatë periudhës së pandemisë, në çdo sektor, situata është ngadalësuar kryesisht nga ana logjistike, procesi i furnizimit, koordinimi me punonjësit apo i mjeteve të lëvizjes. Nga ana tjetër, duhet të themi se edhe sektori fotovoltaik është përballur me ngërçin e krijuar nga kjo situatë, si pasojë e rënies disi së kërkesës për investime në sektor.
Ne kemi vazhduar punën e përditshme edhe në këtë periudhë, duke zhvilluar projekte fotovoltaike për biznese të ndryshme vendase. Një ndër bizneset më me interes në këtë periudhë për të investuar ka qenë ai i fabrikave kryesisht me fokus ushqimor, si një sektor i cili nuk e ka ndaluar aktivitetin normal gjatë pandemisë.
Aktualisht nuk kemi diçka konkrete për sa u përket investimeve të mëdha për qëllime tregtimi, por shohim një tendencë në rritje të kërkesave për tregtimin e lirë, për shkak të ndryshimeve të çmimeve, pasi pritet që çmimet e energjisë të rriten në tregun vendas.
Si ka qenë interesi për të instaluar impiante fotovoltaike nga qytetarët gjatë këtyre muajve?
Interesi ka qenë kryesisht nga bizneset, pasi janë konsumatorët kryesorë që e ndiejnë koston e energjisë në prodhimin apo shërbimin që ata japin. Ndërkohë, kërkesa nga ana e familjarëve është në nivele të ulëta, për shkak të kostove më të larta të teknologjisë, por edhe tarifa energjisë më e ulët, duke sjellë një periudhë më të gjatë të kthimit të investimit krahasuar me biznesin. Duhet të themi se dhe vetë fokusi ynë është i drejtuar nga bizneset.
Prej kohesh është miratuar udhëzimi i MIE, që supozohej se do t’i hapte rrugë ngërçit të fotovoltaikeve, por ende sot jemi në kushtet kur nuk ka një çmim të miratuar. Çfarë problemesh ka sjellë kjo?
Para se të sqaroj në thelb pyetjen tuaj, dua të them se grupi i punës i ngritur me të gjithë aktorët, punuan për nxjerrjen e këtij udhëzimi që më pas u miratua nga ministria znj. Balluku. Ai i hapi rrugën aplikimit për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, i cili deri në atë kohë ishte një “iluzion” në tregun shqiptar dhe sigurisht kjo rriti kërkesën për të investuar në impiante fotovoltaike. Duhet thënë se plotësimi pjesërisht i skemës sjell një lloj skepticizmi për investimet në këtë sektor për ata që nuk e konsiderojnë për të kursyer, që në fakt është thelbi i vetëprodhimit.
Udhëzimi Nr.3, Datë 20.06.2019, për “Miratimin e procedurës së lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për kategorinë e vetëprodhuesit të energjisë elektrike nga dielli”, për mua konsiderohet si një ndër zhvillimet më të rëndësishme në sektorin energjetik shqiptar.
Sipas këtij udhëzimi, në fund të çdo muaji bëhet bilanci i energjisë së injektuar dhe të marrë nga rrjeti, nëse pas bilancit neto rezulton se energjia e injektuar në rrjet është më e lartë se ajo e marrë brenda një muaji, atëherë kjo energji do t’i shitet OSHEE/FSHU, sipas një çmimi të përcaktuar.
Në këtë pikë, duhet të sqarojmë në detaj se për cilën tepricë pritet të ketë një çmim. Teprica, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi, është ajo sasi që vjen nga matja neto e energjisë së injektuar me energjinë e marrë nga rrjeti brenda një muaji, pra vetëm nëse diferenca është pozitive, kjo është tepricë energjie. Aktualisht, të gjithë vetëprodhuesit, nëpërmjet kësaj skeme e “shkëmbejnë” energjinë që ata hedhin në rrjetin e shpërndarjes me atë që marrin prej tij deri në vlerën 0.
Në dukje, skema sesi funksionon ky proces është pak e ndërlikuar, por për ne është mjaft e qartë dhe këtë përpiqemi t’ua shpjegojmë konsumatorëve.
Si e cilësoni pjesën e procedurave të aplikimit dhe lidhjes në rrjet nga ana e OSHEE-së, a ka funksionuar apo ka pengese?
Duhet marrë parasysh se si procedurë dhe teknologji e re përballet me shumë probleme apo pengesa të natyrave të ndryshme, si për shembull mungesa e përvojës, qoftë burokratike apo teknike. Nga ana tjetër, duhet të themi se është bërë një punë e madhe nga ana e OSHEE për t’i hapur rrugë zhvillimit të sektorit.
OSHEE ka dhënë të gjithë informacionin e duhur për procedurat e aplikimit dhe lidhjes me rrjetin, duke përcaktuar saktë dokumentacionin e nevojshëm për këto aplikime, si dhe karakteristikat teknike të matësit me dy drejtime, që është thelbi i marrëdhënies. Të gjitha këto informacione i ka vënë në dispozicion në website e saj, në të cilin të gjithë kanë aksesin për të marrë informacion.
Ne kemi arritur të lidhim impiante fotovoltaike me rrjetin dhe marrëveshje duke mundësuar vendosjen e matësit me dy drejtime që prej tetorit të vitit 2019, duke i hapur rrugë injektimit të tepricës së energjisë në rrjet. Ndërkohë në proces e sipër janë disa aplikime të tjera të impianteve fotovoltaike që do të lidhen me rrjetin, të cilat janë në fazë finale miratimi.
Nisur nga përvoja aktuale, ajo çfarë mund t’i sugjeroja drejtuesve të OSSH, në mënyrë që procesi të ecë më shpejt nga ana e tyre, është ngritja e një njësie të trajnuar për këto sisteme brenda OSSH, e cila do të merret ekskluzivisht me studimin e aplikimit deri në finalizimin e procesit me ndërrimin e matësit smart me dy drejtime, si dhe monitorimin e tyre. Për këtë çështje kam rënë dakord në parim me administratorin e OSSH, z. Petraq Lika, i cili më premtoi se do të zhvillonte diçka të tillë por mesa duket pandemia ka dhënë efektin e vet, pasi aty punojnë një numër shumë i madh njerëzish të cilët ndajnë të njëjtin ambient.
Si është interesi i bizneseve dhe qytetarëve për të instaluar një impiant fotovoltaik për vetëkonsum në përgjithësi, vit pas viti, jashtë kuadrit të pandemisë?
Interesimi i bizneseve apo qytetarëve për instalimin e impianteve fotovoltaike për vetëprodhim është duke u rritur, nëse e krahasojmë me vite më parë. Bizneset dhe qytetarët tashmë janë më të informuar mbi përfitimet që sjell investimi në implementimin e impianteve fotovoltaike, si kthimi i investimit, kostot e mirëmbajtjes të ulëta gjatë viteve të operimit, reduktimi/zerimi i faturës së energjisë elektrike nëpërmjet skemës së matjes neto, por edhe për të mirën e natyrës sonë të përbashkët.
Kthimi i investimit për biznesin shkon nga 4 deri në 6 vjet, në varësi të performancës së impiantit që instalohet, ndërsa për familjarët, nga 6 deri në 8 vjet, duke marrë parasysh tarifën e energjisë elektrike, si për familjarët dhe bizneset.
Çfarë ndodh sot me energjinë e prodhuar nga impiantet e instaluara që është tepricë dhe duhet të kalojë në rrjet, në kushtet kur nuk ka ende një çmim?
E sqarova pjesërisht dhe më sipër, me fjalë të thjeshta, sot çdokush që merr miratimin dhe nënshkruan marrëveshjen me OSSH, mund të instalojë një impiant fotovoltaik dhe në momentin që ka energji të tepërt në prodhim, e depoziton këtë energji në rrjetin e shpërndarjes. Pas një muaji, siç është dhe periudha e faturimit nga OSHEE/FSHU, matësi smart, i cili është vendosur me dy drejtime ka matur energjinë e dhënë dhe energjinë e marrë nga rrjeti.
Faturisti që vjen, shënon energjinë e dhënë dhe energjinë e marrë nga rrjeti, duke bërë bilancin neto të të dy vlerave. Nëse sasia e energjisë së dhënë është më e madhe se ajo e marrë, atëherë vetëm diferenca kalon pa shpërblim për OSHEE/FSHU. Përfitimi i konsumatorit është matja neto, të cilit i bëhet për të gjithë sasinë e energjisë që ka depozituar në rrjet brenda një muaji. Pra çdo konsumator mund të shkojë deri në zerimin e faturës së tij të energjisë elektrike, por që të përfitojë më shumë mbi këtë, nuk është ende e mundur pasi mungon pikërisht çmimi.
Theksoj se, në këtë moment, çdokush mund të përfitojë duke shkuar deri në zerim të faturës së energjisë elektrike që paguan çdo muaj.
Dua të shtoj një sqarim kryesisht për qytetarët apo bizneset të cilët, shpeshherë, e mendojnë apo konsiderojnë investimin në këto teknologji sipas skemës aktuale të matjes neto, si një biznes të ri, kur në fakt skema aktuale e vetëprodhimit është koncept i të kursyerit të një fature që biznesi apo qytetari ka si kosto, pra është një skemë që mundëson një investim për kursim, jo model të ri biznesi ku mund të blesh apo shesësh energji elektrike.
Çfarë duhet bërë për të nxitur sektorin në kushtet aktuale?
Duke qenë se kategoria e vetëprodhuesve është një kategori e re për Sektorin Energjetik Shqiptar, duhen bërë shumë gjëra për ta nxitur këtë sektor. Një ndër to është realizimi i një kuadri rregullativ ligjor i plotë. Në rastin e vetëprodhuesve, që për mendimin tim është kategoria më e rëndësishme në këtë sektor, duhet të kenë të drejtën të parët të prodhojnë energjinë për sa kohë janë po ata që e konsumojnë.
E gjitha kjo kërkon një kuadër ligjor të mirëpërcaktuar për këtë kategori konsumatorësh, të cilët njihen si vetëprodhues nga burime të rinovueshme. Këtu vëmë në fokus sidomos sektorin e prodhimit, i cili është direkt i ndikuar mbi koston e energjisë.
Në njërën anë u japim frymëmarrje të gjithë prodhuesve shqiptarë të prodhojnë një produkt me kosto shumë më të ulët, duke i dhënë mundësinë e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes si një e mirë publike e të gjithëve. Nga ana tjetër, thithim investime të kapitalit shqiptar duke hapur më shumë vende pune për të gjithë ata të rinj që shohin si zgjidhje rrugën e ikjes nga vendi.
Mund t’ju them se aktualisht, MIE ka nisur procesin e konsultimit me grupet e interesit për ndryshimet që do t’i bëhen ligjit 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” në tërësi dhe në veçanti Neni 15, që i përket skemës së matjes neto, në këtë proces ne jemi përfshirë si pala e interesit për vetëprodhuesit, të mbështetur edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Është e domosdoshme krijimi i një fryme bashkëpunuese midis operatorëve të rrjetit, investitorëve, bankave, kompanive të konsulencës dhe kompanive zbatuese të këtyre teknologjive. Aktualisht kemi mundur të krijojmë partneritetet tona dhe të jemi të përfshirë në frymën bashkëpunuese, për të sjellë efekt sa më pozitiv në realizimin e projekteve fotovoltaike. Gjithashtu kemi bërë marrëveshje bashkëpunimi me banka që financojnë deri në 100% pa kolateral dhe duke mbajtur raport frytdhënës me kompani konsulence të huaja, për krijimin e një modeli dhe standardi europian për implementimin e teknologjive fotovoltaike.
Si ka ardhur kostoja e instalimit të impianteve, flasim këtu për panelet, inverterat dhe kostot e montimit. A ka pasur ndryshime në teknologji?
Përzgjedhja e produkteve cilësore, është një ndër pikat kyçe për sa i përket investimit në teknologjitë fotovoltaike, pasi zhvillimi i këtij tregu ka sjellë rritjen e kompanive prodhuese të këtyre komponentëve.
Nga ana tjetër, përvojat ndërkombëtare në fushën e implementimit të teknologjive fotovoltaike, kanë sjellë ndryshime të mëdha në përmirësimin e produkteve, duke shtuar rendimentin dhe eficencën e prodhimit për panel në terma kohorë më afatgjatë, si dhe ka mundësuar shfrytëzimin e më pak hapësirë fizike, e nevojshme për instalimin e paneleve fotovoltaike. Ndërkohë që këto teknologji përmirësohen, raporti me çmimin është në proporcion të zhdrejtë, pasi në dekadën e fundit jemi përballur me ulje të çmimit që sot implementohen këto teknologji.
Në dekadën e fundit, elementi që po bën diferencën midis prodhuesve globalë të teknologjive fotovoltaike është shkalla e maksimizimit të eficencës prodhuese të një paneli dhe jetëgjatësia që ofrohet, si për panelet dhe komponentët e tjerë të sistemit.
Sot numërojmë përafërsisht 3MWP fuqi të implementuar në territorin shqiptar. Në këtë pikë mund t’u jap një këshillë investitorëve të cilët janë gjithmonë në kërkim të një çmimi më të lirë. Duhet të kemi parasysh që në këto lloj investimesh ka më shumë rëndësi jetëgjatësia e produktit dhe kostoja e tij në raport me prodhimin, që jep në një kohë të gjatë pasi një produkt më cilësor kushton më shumë, por të jep garanci më shumë dhe më e rëndësishmja, një prodhim energjie më të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.