Një skemë e shmangies ndaj taksave u përhap gjerësisht vitin e fundit, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe diferencat në tatimin ndaj individëve dhe ndaj bizneseve të vogla. Individë me paga të larta dolën nga skema e pagës së kompanive dhe u regjistruan si persona fizikë (biznes i vogël) dhe filluan të faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%.
Tatimet u vunë në dijeni të një skeme të tillë dhe fi lluan të ndjekin rastet, ndërsa në paketën e fundit fiskale po merren masa konkrete për të luftuar këtë fenomen. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla. Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari, ky kufi do rritet në 150,001 lekë). Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%.
Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohet si i madh dhe paguajnë 15% tatim fi timi. Nga 1 janari kufi ri mbi të cilin bizneset kategorizohen si i madh do të rritet në 14 milionë lekë. Pikërisht këto shtigje ligjore i nxitën individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.