Banka Botërore vlerëson se skemat e garancisë, të aplikuara nga qeveria në kushtet e COVID-19 duhet të vazhdojnë edhe më tej dhe të kthehen në diçka të përhershme, ndërsa ajo që mbetet për t’u zgjidhur është struktura që do t’i menaxhojë ato. Banka vlerëson se mund të ngrihet një strukturë e re nga e para, ose mund të ndërtohet diçka mbi struktura ekzistuese.
“Në kontekstin e Shqipërisë, vendimi më i mirë do të ishte që të bëhej një vlerësim i kujdesshëm ose duke ndërtuar mbi një strukturë ekzistuese ose duke krijuar një strukturë të re, përfshirë një marrëveshje tranzitore për dy programet e COVID-19. Pavarësisht se cila skemë zgjidhet është e rëndësishme që të parashikohet një marrëveshje transparente për qeverisjen e korporatës menaxhimi rigoroz dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm, si dhe personel kompetent teknik.
Një përmbledhje funksionale e institucionale mbi mundësitë e konfigurimit është duke u realizuar aktualisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbështetur nga Banka Botërore. Një numër agjencish po vlerësohen duke peshuar avantazhet dhe disavantazhet e secilës mundësi në kontekstin e kostos dhe kohës, duke shmangur copëtimin e mëtejshëm të zhvillimeve aktuale të kuadrit financiar.
Do të jetë e rëndësishme për të shmangur një situatë ku disa programe garancie të drejtuara nga shteti ose të mbështetura nga shteti, të konkurrojnë me njëri-tjetrin, duke sugjeruar mbulim të ndryshëm të rreziqeve dhe të çmimit. Në kontekstin shqiptar, rekomandohet të identifikohet një skemë spirancë për konsolidimin e skemave ekzistuese dhe të reja, të prezantuara së fundmi nën marrëveshje të pavarura dhe profesionale të qeverisjes” thuhet në raport.
Qeveria nisi në fillim të prillit aplikimin e dy linjave të garancisë që do t’i mundësonin biznesit huamarrje pranë bankave për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga koronavirusi. Në linjën e parë të garancisë, biznesit i mundësohej që të merrte hua për të paguar pagat e punonjësve ndërkohë që në linjën e dytë mund të merrte hua për likuiditet dhe nevojat e tij për investime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.