Skemat private të detyrueshme mund të jenë zgjidhje afatgjatë e problemit të pensioneve

09/04/2021 10:04 PM 0 komente

Intervistë me Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese Albsig Invest

 

Albsig është fondi më i ri i pensioneve private në vend, që e nisi aktivitetin në shkurt të vitit të kaluar. Drejtori i përgjithshëm i shoqërisë administruese të këtij fondi, Elton Korbi, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se, pavarësisht shifrave në rritje pozitive të vitit të parë, pandemia solli ndikim negativ edhe në këtë treg.

Sipas tij, pasiguria që shkaktoi kriza është reflektuar në kontribute më të ulëta të derdhura në fond. Z. Korbi mendon se për zgjidhjen afatgjatë të problemit të pensioneve në Shqipëri është e domosdoshme vënia në zbatim e skemave të pensionit privat të detyrueshme, si një kolonë mbështetëse e skemës shtetërore.

 

Si do ta vlerësonit ecurinë e fondit tuaj të pensioneve në vitin 2020?

Fondi i Pensionit Vullnetar Albsig e nisi aktivitetin në shkurt 2020, vetëm një muaj para fillimit të pandemisë Covid-19, e cila vijon ende. Pandemia ka dhënë ndikim shumë të madh në ecurinë e rritjes së Fondit krahasuar me parashikimet e bëra nga Shoqëria Administruese. Pavarësisht pandemisë, Shoqëria Administruese, gjatë këtij viti, arriti të nënshkruajë me sukses kontrata të pensionit vullnetar, kryesisht të skemave profesionale, por edhe kontrata individuale, që ishin parashikuar për t’u nënshkruar në fillimin e fondit, në përputhje me strategjinë e hartuar.

Më konkretisht, gjatë këtij viti, u arrit të anëtarësohen në Fond, skema profesionale dhe fokusi i skemës individuale u përqendrua tek individët që kontribuojnë në shuma të konsiderueshme. Deri në fund të vitit 2020, u përfshinë një numër prej 1,854 anëtarësh, nga të cilët 1,698 anëtarë janë në skema profesionale dhe 156 anëtarë, në skema individuale. Vlera neto e aseteve në fund të vitit 2020 arriti një vlerë prej rreth 46 milionë lekësh.

 

Sa u ndikua tregu i pensioneve private nga efektet e pandemisë dhe të krizës ekonomike të lidhur me të? Në cilët indikatorë, ndikimi ishte më i ndjeshëm?

Ndikimi kryesor i pandemisë në tregun e pensioneve vullnetare ka qenë stepja apo shtyrja e planeve të tyre, nga kompanitë apo individët, për t’u anëtarësuar në këtë moment në pension privat vullnetar, për shkak të pasigurive ekonomike aktuale dhe potenciale, të nxitura nga pandemia.

Gjatë takimeve të zhvilluara me klientë potencialë dallohet qartë pasiguria e tyre e shprehur në vështirësinë, për të vendosur për të kursyer në një fond pensioni për vete apo për punonjësit e kompanisë, ndërsa në disa raste, preferojnë kontributin minimal në fondin e pensionit vullnetar.

Në këtë kuptim, pandemia ka ndikuar jo vetëm në numrin e kontribuuesve krahasuar me numrin e pritshëm nga shoqëria administruese, por ka dhënë ndikim edhe në masën e kontributit që derdhet në fond. Megjithatë, në vlerësimet tona, mbetemi optimistë që një pjesë e madhe e klientëve të kontaktuar në vitin 2020 do të finalizojnë lidhjen e kontratës për anëtarësimin në Fondin e Pensionit Vullnetar Albsig. Padyshim që lidhet edhe me faktorët makroekonomikë, ndikuar nga pandemia, por edhe nga madhësia dhe shpejtësia e masave të marra nga institucionet shtetërore për daljen nga situata ekonomike dhe pandemike.

 

Cila ishte tendenca e kthimit nga investimi për vitin 2020? Si ndikoi kriza në këtë tregues?

Siç e theksuam dhe më lart, Fondi i Pensionit Vullnetar Albsig e nisi veprimtarinë në shkurt 2020 dhe pikërisht në atë kohë, normat e interesit, për titujt e shtetit shqiptar, në të cilat investon Fondi, ishin në minimumin historik. Fondi investon në instrumente financiare afatgjatë, kryesisht obligacione 10-vjeçare. Në këtë mënyrë, nëse normat e obligacioneve 10-vjeçare në vitin 2015 kanë qenë rreth 9% në vit, ato arritën në nivelin e 5.2% në vitin 2020. Në këtë mënyrë, kthimi nga investimi i Fondit të Pensionit Vullnetar Albsig për vitin 2020 arriti në rreth 2%.

Pavarësisht rritjes së deficitit dhe borxhit të brendshëm, si rezultat edhe i pandemisë që nisi në fund të vitit 2019, e cila vazhdon ende, është vënë re rritje ciklike normale e normave në tremujorin e tretë dhe të katërt. Me ndryshime ciklike nënkuptojmë rritje dhe ulje që normat e interesit për titujt e shtetit shqiptar ndodhin dhe në kohë normale. Për fundin e vitit 2020, normat qëndrojnë ende në nivelet e tyre më të ulëta historike.

 

Cilat janë vlerësimet tuaja lidhur me projektligjin “Për Fondet e Pensionit Vullnetar” që u hodh për konsultim vitin e kaluar?

Ndryshimet e propozuara në ligjin aktual “Për Fondet e Pensionit Vullnetar” sjellin përmirësime në disa aspekte si: organizimin e Shoqërive Administruese; qartësimin e disa përkufizimeve ekzistuese dhe përfshirjen e përkufizimeve të reja, duke i përafruar me standardet më të mira; rritjen e pragut që e bën të zbritshëm kontributin individual për efekt të llogaritjes së tatimit, etj. Në vlerësimin tonë, këto ndryshime do të jepnin ndikim afatshkurtër deri afatmesëm në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të fondeve të pensionit privat. Megjithatë, mendojmë se ka ardhur koha të fillohet të mendohet për zgjidhje afatgjatë për problemin e pensioneve.

 

Besoni se stimujt aktualë që ofron ligji për nxitjen e investimeve në një pension privat janë të mjaftueshëm? Si mund të përmirësohen më tej këta stimuj?

Në vlerësimet tona, ligji aktual nuk jep stimuj të mjaftueshëm për të nxitur kompanitë apo individët të anëtarësohen në skemat e pensionit privat. Prandaj mendojmë që në situatën aktuale është shumë i nevojshëm vlerësimi sa më parë i situatës së skemës shtetërore të pensioneve dhe gjetja e stimujve ligjorë dhe fiskalë për mbështetjen e skemës shtetërore nga skemat e tjera private vullnetare apo private të detyrueshme.

Thënë ndryshe, nga pikëpamja ligjore dhe ekonomike, është e nevojshme vlerësimi i mundësive për vënien në zbatim të skemave të pensionit privat të detyrueshme, të cilat në periudhën afatgjatë do të jenë një mbështetje shumë e mirë e skemës shtetërore të pensioneve.

Vlen të theksohet se një reformë e tillë kërkon studim të thelluar mbi qëndrueshmërinë e të gjitha skemave të pensionit shtetëror apo privat, por nga ana tjetër, mbetet nevojë emergjente duke parë deficitin që krijon skema e pensioneve shtetërore, si dhe zhvillimin e pakët dhe të ngadaltë të skemave të pensionit privat vullnetar. Përjashtimi nga tatimi i pensioneve private vullnetare në momentin e tërheqjes së fondeve do t’u jepte siguri shtesë anëtarëve.

Rreziku i ndryshimit të normës së tatueshme të pensioneve në momentin e tërheqjes është faktor shumë i rëndësishëm që individët vlerësojnë në momentin e anëtarësimit. Në kushtet aktuale të ambientit ekonomik shqiptar janë vërejtur vështirësi në bërjen si të zbritshme, për efekt llogaritje të tatimit mbi të ardhurat personale, të kontributeve vullnetare të anëtarëve.

Regjimi aktual i tatimeve për skemat e pensionit vullnetar llogaritet duke mbajtur tatimin mbi totalin e kontributit dhe interesave të marra në momentin e tërheqjes, pra përjashton kontributet dhe interesat e marra në periudhën e akumulimit dhe taton kontributet dhe interesat në momentin e tërheqjes (PPT – Përjashto, përjashto, mbaj tatimin në fund; EET – exempt, exempt, tax). Nga modelet e hasura në vendet e tjera europiane dhe më gjerë gjykojmë që modele më të mira dhe më stimuluese se ai aktual do të ishin:

  1. Modeli 1, ku kontributet do të tatoheshin në momentin e kontributit, e ardhura nuk do të tatohej gjatë viteve të akumulimit dhe nuk do tatohej shuma e tërhequr në formë pensioni (TPP – Mbaj tatimin në fillim, përjashto, përjashto; TEE – tax, exempt exempt). Në këtë mënyrë do të shmangej problematika aktuale e hasur për përfitimin tatimor nga kontributet në fondet e pensionit vullnetar.
  2. Modeli 2, ku kontributet nuk do të tatoheshin në momentin e kontributit, e ardhura nuk do të tatohej gjatë viteve të akumulimit dhe në fund do tatohej vetëm e ardhura e marrë nga investimi i kontributeve (PPTI – Përjashto, përjashto, mbaj tatimin në fund vetëm për interesat; EETI – exempt, exempt, tax on interest). Megjithatë, aplikimi i këtij modeli nuk do të mund të shmangte problematikën e hasur edhe sot mbi përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve në momentin e derdhjes.

 

Mendoni se instrumentet e kufizuara të investimit janë faktor frenues për rritjen e këtij tregu? Shihni instrumente të reja investimi të përshtatshme ku fondet private të pensioneve në Shqipëri mund të investojnë?

Fondet e pensionit vullnetar, të licencuara në Shqipëri, të cilat aktualisht investojnë vetëm në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar, janë një fillim shumë i mirë dhe i përshtatshëm për ambientin aktual. Ato përbëjnë fondet bazë me rrezikun më të ulët dhe kthimin më të mirë që mund të formohet me instrumentet financiare të ofruara aktualisht në treg. Fakti që normat e interesit për titujt e shtetit shqiptar kanë qenë të larta, në krahasim me alternativa të ngjashme në monedha të tjera, ka bërë që këto fonde të jenë një alternativë shumë e mirë për individë që kërkojnë të kursejnë për pension privat vullnetar.

Një pjesë e madhe e individëve në Shqipëri janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimit të rrezikut kundrejt ndryshimit të kthimit. Thënë ndryshe, nuk janë të gatshëm që të pranojnë që, për një rrezik më të lartë, mund të pritet një normë kthimi më e lartë. Këta individë preferojnë sigurinë e investimit në radhë të parë dhe më pas sigurimin e një kthimi të kënaqshëm.

Pavarësisht arsyeve të mësipërme, krijimi i instrumenteve financiare të reja do të rriste diversifikimin e portofolave, si dhe do të krijonte portofola më të përshtatshme për të kursyer për pension. Individë që janë në moshë të re apo janë më tolerantë ndaj marrjes së rreziqeve, mund të jenë të interesuar të investojnë në instrumente financiare, me një rrezik më të lartë kundrejt një kthimi më të lartë.

Me zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri si, licencimi i bursës së titujve tregtarë dhe regjistrarit për këta tituj, pritet fillimi i ofrimit të tyre në bursë, ku fondet e pensionit vullnetar mund të investojnë, gjithmonë duke qenë në përputhje me politikën e investimit që ka fondi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of