Intervistë me Artur Ribaj, konsulent financiar dhe ish-drejtor i Mbikëqyrjes në AMF
Artur Ribaj, konsulent financiar dhe ish-drejtues në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se, përderisa edhe pas tërmetit të fundvitit 2019, shqiptarët nuk kanë bërë sigurimin e pronave, atëherë është e domosdoshme një skemë sigurimi e detyrueshme vetëm për tërmetet, me qëllim që çmimi i sigurimit të jetë i përballueshëm për një risk potencial.
Sipas tij, institucionet vendimmarrëse nuk duhet të kënaqin interesat klienteliste, duke përfshirë në skemën e detyrueshme edhe përmbytjet apo faktorë të tjerë që do të rrisnin barrën financiare për konsumatorët.
Çështja e sigurimit, në rast tërmetesh, është një nga rekomandimet e lëna që prej marsit të 2014-s nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në raportin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) për Shqipërinë. Kanë kaluar 6 vite dhe ky rekomandim ende është i paadresuar.
Në shtator dhe nëntor 2019, ndodhën tërmetet të cilat, përveç jetëve të humbura, dhanë pasoja të rënda në buxhetin e shtetit dhe ekonominë e Shqipërisë. FSAP rekomandoi që Shqipëria të implementonte një program të shëndoshë kombëtar për sigurimin nga tërmetet, duke mësuar edhe nga të mirat dhe gabimet e vendeve të tjera në Europë që kanë aplikuar sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet.
Shteti shqiptar gjithmonë në fillim tregon devotshmëri për t’i marrë seriozisht rekomandimet e lëna nga organizmat ndërkombëtarë. Angazhohet përmes projektesh, për të financuar pagesat e ekspertëve për të bërë analiza dhe draft-ligje, por kur draft-ligjet fillojnë të diskutohen me përfaqësuesit e institucioneve në vend, nis të aplikohet “modeli i shtesave pa leje” për të kënaqur pretendentë lokalë dritëshkurtër. Kjo ndodhi fatkeqësisht edhe me draft-ligjin për katastrofat në Shqipëri, i cili më mirë që nuk është miratuar në kushtet si është prezantuar në përfundim, pasi do të krijonte një tjetër barrë, si ajo e sigurimit të detyrueshëm MTPL.
Ritheksoj se, rekomandimi FSAP ka qenë në mënyrë të qartë vetëm për mbulimin e detyrueshëm të tërmetit dhe jo shtesat që iu bënë rrugës lidhur me përmbytjet, etj., të cilat mbingarkuan primin e riskut që duhej paguar nga shqiptarët për këtë produkt sigurimi të detyrueshëm dhe nuk ishte i logjikshëm për një pjesë të madhe të konsumatorëve, sidomos kur u njohën me kushtet e pafavorshme që duhet të plotësoheshin për të marrë dëmshpërblim në rast të ndodhjes së ngjarjes së sigurimit, sipas draft-ligjit. Në vend që programi të kthehej në nxitës të mbulimit me sigurimin nga tërmetet, projekti u rrëzua i tëri, duke i ekspozuar ndaj këtij risku, të gjithë shqiptarët që kanë mungesë të edukimit financiar.
Në opinionin tuaj, cili do të ishte modeli më i përshtatshëm për një skemë të tillë në rastin e Shqipërisë?
Ka disa modele të sigurimit të detyrueshëm për tërmetet, të aplikuar në disa vende të botës, kryesisht në vende në zhvillim, por asnjë të mirëfilltë në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, modeli më i mirë është ai që tregon se funksionon në një treg të caktuar.
Në Shqipëri, prej shumë vitesh, sigurimi nga tërmetet ofrohet si sigurim vullnetar nga kompanitë e sigurimit në vend me prime shumë të arsyeshme. Ndërkohë që Shqipëria njihet si një vend i kërcënuar ndaj rrezikut të tërmeteve, mbulimi me sigurim vullnetar është pothuajse inekzistent, ku sipas të dhënave rezulton që vetëm 1-2 shtëpi në 100 prej tyre kanë aktualisht mbulim me sigurim nga tërmetet, dhe këto kryesisht për efekt të sigurimit të kolateralit të kredive.
Çfarë ndodhi me banesat e pasiguruara në rastin e ndodhjes së ngjarjes së tërmetit në shtator dhe nëntor 2019? Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë që ata kërkuan ndihmë nga qeveria dhe janë ende pa banesa. Ndërsa, të siguruarit vullnetarisht u dëmshpërblyen për dëmet e ndodhura, duke evidentuar që sigurimi vullnetar funksionoi mirë.
Mesazhi në afatshkurtër që përcjell për shqiptarët është të jenë të kujdesshëm të kuptojnë se në nivelin që është borxhi publik i shtetit shqiptar, i goditur edhe nga COVID-19, shtrohet nevoja imperative e sigurimit vullnetar të banesave dhe godinave të bizneseve nga tërmetet. Mossigurimi është falimentim për familjet dhe bizneset e tyre.
Mesazhi në afatshkurtër që përcjell për MFE, si propozuese e projektligjit, është rishikimi tërësor me specialistë të pavarur të draftit. Ligji duhet të përfshijë vetëm sigurimin nga tërmetet, sipas rekomandimit të FSAP. Kështu, primi i sigurimit bëhet shumë më i përballueshëm financiarisht, si dhe bën sens si produkt sigurimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, të cilët jetojnë në pallate apo zona që nuk ka probabilitet të ndodhjes së përmbytjes. Gjithashtu, organizimi dhe administrimi i skemës së sigurimit të propozuar në draft-ligj, duhet të rishikohet.
Mendoni se kjo skemë mund t’i besohet tregut të sigurimeve, nëpërmjet një forme eventuale sigurimi të detyrueshëm, apo duhet ngritur një skemë e veçantë, e menaxhuar nga një ent publik dhe e financuar përmes një takse të posaçme?
Personalisht, jam pro sistemit vullnetar të sigurimit. Por, të ndodhur në këto rrethana, Shqipëria duhet të aplikojë sistemin e detyruar të sigurimit të ofruar nga kompanitë private të sigurimit, bazuar në një ligj të hartuar jashtë influencave të tyre.
Përfshirja e enteve shtetërore në tregtimin e produkteve financiare ka avantazhe dhe disavantazhe, por ende në Shqipëri konstatohet se mungon mirëqeverisja në institucionet publike dhe, si rrjedhim, paratë që do të grumbulloheshin do të përfundonin në drejtim të paditur dhe askush nuk do të mbante përgjegjësi. Megjithatë, për hartuesit e draft-ligjit ju sjell në vëmendje disa elemente për t’u marrë në konsideratë:
- Të përcaktohet metodologjia për vlerësimin e primit të riskut për çdo banesë dhe jo kuota fikse, të cilat shuajnë kuptimin e primit të riskut. Metodologjia aktuale që aplikohet në sigurimin vullnetar duhet të mbahet në konsideratë, pasi ka gjeneruar prime konkurruese dhe me ndodhjen e tërmeteve të fundvitit 2019, tregoi që mbulimi dëme/prime funksionoi mirë;
- Produkti i sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti të ofrohet (jo thjesht të shpërndahet) vetëm nga kompanitë e sigurimit që plotësojnë treguesit ligjorë dhe që nuk kanë asnjë masë ndëshkuese në fuqi;
- Shuma e sigurimit të detyrueshëm të jetë bazuar në koston e ndërtimit në varësi të çdo pasurie;
- Të ketë komision maksimalisht njëshifror për shitjen e produkteve të sigurimit të detyruar (aktualisht për produkte sigurimi aplikohen komisione dyshifrore, në disa raste edhe deri në 50%);
- Të përfshihen edhe banesa, të cilat nuk janë të hipotekuara, por janë të regjistruara, legalizuara dhe të certifikuara teknikisht nga siguruesi;
- Përjashtimet nga sigurimi të bazohen në oreksin për risk të çdo kompanie sigurimi dhe marrëveshjeve më risiguruesit bazuar në përvojat ndërkombëtare;
- Të siguruarit mund të marrin sigurim vullnetar për tërmetet për shuma më të mëdha sigurimi, nëse ata dëshirojnë për të mbuluar kostot e plota të zëvendësimit të pronave të tyre si dhe pajisje, etj.;
- Cedimi në risigurim vetëm te kompani të njohura ndërkombëtare të nivelit AAA. Duhet të risigurojnë rreziqet që bien përtej mbajtjes maksimale të tyre neto, me qëllim garantimin e aftësive paguese të pretendimeve dhe qëndrueshmërisë financiare të tyre;
- Të konsiderohet subvencion i primit të sigurimit për familjet në nevojë të ndihmës sociale;
- Të mbahen në konsideratë gjithë eksperiencat e mësuara nga fondi i kompensimit të MTPL dhe funksionimi BSHS;
Është gjithmonë e rëndësishme që AMF të kryejë mbikëqyrje profesionale dhe të pavarur të kompanive të sigurimit në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi. Nuk është objekt i punës së AMF të rrisë tregun e sigurimeve, por të mbikëqyrë kompanitë e sigurimit dhe të siguroj zbatimin e detyrimeve prej tyre, pasi ato vetë kanë objektiv zgjerimin e tregut dhe veprimtarinë e biznesit të tyre.
Ndërsa AMF duhet të ketë gjithmonë parasysh se nuk financohet nga kompanitë që mbikëqyr, por nga konsumatorët, përmes çmimit që ata paguajnë, ku një përqindje e tij shkon që AMF të kryejë profesionalisht dhe me pavarësi detyrat e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.