Smart TV janë si smartphone, mbledhin një mori të dhënash mbi sjelljen tonë dhe ua transmetojnë kompanive të mëdha teknologjike si Google, Amazon, Microsoft dhe Akamai…
Për ata që lexojnë artikuj mbi teknologjinë, ky nuk është një lajm, por tashmë vjen edhe konfirmimi nga dy studime…
Kërkimi i parë është bërë nga Northeastern University (Boston) dhe nga Imperial College London, mbi 81 modele të prodhuesve kryesorë të smart TV. Studimi i dytë është kryer nga Princeton University dhe përqendrohet jo aq tek Smart TV, por tek aplikacionet që instalojmë, apo janë instaluar në fabrikë.
Në të dyja rastet del se nga televizori ynë i lidhur me internetin dalin një fluks konstant të dhënash, në lidhje me përdorimin. Transmetimi i të dhënave ndodh edhe kur televizori është i fikur dhe sasia e të dhënave të mbledhura është më e madhe kur televizori ka të integruar një asistent dixhital si Alexa apo Google Assistant.
Sa të dhëna transmetojnë Smart TV
Nga studimi i parë del se televizorët e lidhur me internet u dërgojnë të dhëna të ndryshme kompanive teknologjike – kohën e përdorimit, frekuencën e kanaleve që shikojmë, markën dhe modelin e pajisjes dhe vendin ku ndodhet. Të dhënat, në pjesën më të madhe, dërgohen në formë anonime dhe të koduar. Nga studimi del se të dhënat i marrin mbi të gjitha kompanitë që menaxhojnë sistemet cloud, mbi të cilat funksionojnë platformat publicitare.
Nga studimi i dytë del mbledhja e të dhënave të bëra nga aplikacionet e instaluara në Smart TV. Për shembull, Netflix merr disa të dhëna edhe nëse nuk jemi abonuar te shërbimet e tij.
Ndërkohë, TV që përfshijnë edhe një asistent zanor, si Amazon Alexa apo Google Assistant, u dërgojnë dy kompanive më shumë të dhëna, pasi sillen në mënyrë të ngjashme me smart speaker respektivë.
Nëse duam të përdorim TV inteligjentë, duhet patjetër që t’i tolerojmë të na përgjojnë. Por përgjimi nga ana e aplikacioneve, mund të kufizohet, madje edhe shumë. Metoda është e njëjta si edhe tek smartphone-t – mos instaloni aplikacione që në të vërtetë nuk i përdorni, çinstaloni ato që nuk i përdorni, dhe bëni kujdes me autorizimet që u jepni çdo aplikacioni.