Kompania amerikane Samba TV instalon software për të monitoruar gjithçka që shfaqet në ekranet tanë, për qëllime publiciteti
Jemi vazhdimisht të lidhur. Por a ndihemi vazhdimisht të “vëzhguar?”. Një studim i fundit nga disa kërkues të Universitetit të Bostonit ka rrëzuar mitin, sipas të cilit smartphone “na përgjojnë” bisedat nëpërmjet mikrofonave. Megjithatë, studiuesit konstatuan se disa aplikacione marrin informacione nga ekrani i pajisjeve duke bërë screenshot të asaj që jemi duke bërë.
Nëse telefoni është gjithnjë me ne, nuk është i vetmi instrument në dispozicion të kompanive për të monitoruar zakonet tona dhe për t’i shfrytëzuar për qëllime publiciteti (ky është objektivi kryesor i mbledhjes së të dhënave). “New York Times” analizon se si televizorët inteligjentë janë bërë një burim i madh, mbi të gjitha në një treg si ai amerikan, ku në vitin 2017, televizorët smart ishin të pranishëm në 45% të salloneve, tregojnë të dhënat e Ihs Market.
Samba TV është një kompani me 250 punonjës me seli në San Francisko, software-t e së cilës, në vitin 2016, operonin në më shumë se 90% të televizorëve inteligjentë në SHBA. Nëse aktivizohen (nga përdoruesi) gjurmojnë çdo gjë që shfaqet në ekran sekondë pas sekonde. Lexojnë pikselët dhe identifikojnë nëse shfaqet një përmbajtje kinematografike, një program televiziv apo një reklamë. Madje edhe një videogame. Janë kaq të sofistikuar sa mund të kuptojnë madje edhe bindjet politike të përdoruesve.
Megjithatë, Samba TV siguron se respekton të gjitha politikat e privatësisë të vendosura nga Federal Trade Commission. Në fakt, ajo nuk ua shet palëve të treta të dhënat e mbledhura, por kompanitë publicitare paguajnë shoqërinë që t’i kanalizojë reklamat në një mënyrë të përqendruar. Kjo nuk është e vetmja. Rivalë të Samba TV janë kompani si Vizio apo startup si Alphonso. Në këmbim të dhënies së informacioneve të vlefshme, përdoruesi mund të mbështetet në këshilla të sakta se çfarë të shohë në televizor dhe rreth “ofertave speciale”.
Edhe pse është i nevojshëm miratimi, nga ana e përdoruesit, për të filluar monitorimin e zakoneve të tij, duket se jo të gjithë – përkundrazi, shumë pak – lexojnë me vëmendje ato çka po u japin miratim. Sipas një sondazhi të Ace Metrix, 61% e atyre që kanë pranuar shërbimet e ofruara nga Vizio nuk janë të sigurt që televizori i tyre inteligjent nuk mbledh të dhëna. Ndërsa 21% nuk e mban mend nëse i ka dhënë pëlqimin për funksionimin e software. Në fund, 3% e ka çaktivizuar.
Shitjet e TV në botë janë rritur me 7,9% në tremujorin e parë të 2018-s. Këto të dhëna vijnë nga IHS Markit, në analizën e saj të tregut “TV Sets Market Tracker”. Në tre muajt e parë të vitit 2018, janë shitur 50.6 milionë televizorë. Televizorët me ekran LCD kanë regjistruar një rritje me 7,5% (totali 50.1 milionë), ndërsa shitjet e televizorëve me ekran OLED janë rritur me 115,8% (totali 470.000 njësi).
Trendi pozitiv vjen pas një tkurrje prej 3,6% në 2017-n krahasuar me një vit më parë. Ndër të tjera IHS Markit ka analizuar kostot mesatare të TV duke e lidhur me çmimin e shitjes dhe dimensionet në inç. Analiza merr në konsideratë tetë zona gjeografike dhe të dhënat globale. Amerika Latine ka regjistruar mesataren më të lartë në mesin e tregjeve në zhvillim, për shkak të rritjes së fortë të shitjeve +40% në tremujorin e parë 2018, me një rritje të ndjeshme të TV me ekran duke filluar nga 50 inç.
Europa Perëndimore është rajoni me çmimin mesatar të shitjes më të lartë. Flitet për 712 dollarë krahasuar me 446 dollarë në Kinë, e cila renditet e fundit në këtë studim të veçantë. Sipas IHS Markit, tregu kinez është shumë konkurrues në çmime, pavarësisht një mesatare më të lartë sa i përket dimensione (47,3″).