Smartglasses do t’i zënë vendin smartphone?

25/11/2019 2:30 PM 0 komente

Google, Apple, Facebook, Amazon, të gjithë po punojnë për një të ardhme me realitet të shtuar, ku smartphone-t do të mbeten një relike

 

Smartphone-t i kanë ditët e numëruara. Mbase do të ishte më saktë të flisnim për vite, por thelbi nuk ndryshon. Të gjithë gjigantët e teknologjisë po projektojnë një të ardhme, në të cilën, pajisja që revolucionoi jetën tonë do të braktiset në sirtar. Vendin e saj do ta zërë ‘next big thing’ e botës teknologjike, syzet e realitetit të shtuar, që njihen me emrin smartglasses.

Në projektet e Amazon, Google, Facebook e shumë të tjerë, në të ardhmen do të përdorim syze inteligjente, thuajse të padallueshme nga ato normale, në lentet e të cilave do të projektohen, në mënyrë dixhitale, aplikacionet që sot përdorim në smartphone. Me pak fjalë, realiteti i shtuar do t’i mbivendosë botës fizike, botën dixhitale, duke bashkuar të dy mjediset dhe duke i lejuar ato të jetojnë në të njëjtën kohë, aty ku sot kemi nevojë të ndërthurim të dy përvojat duke nxjerrë smartphone nga xhepi (ose duke u ulur para kompjuterit). Një aplikacion që na ndihmon t’i bëjmë idetë më të qarta është Google Maps.

Sot duhet të shikojmë udhëzimet në smartphone dhe më pas rrugën përpara, për të kuptuar drejtimin që duhet të ndjekim. Me syzet e realitetit të shtuar, udhëzimet do të projektohen drejtpërdrejt para dhe do të përfshihen në botën fizike. Por kjo është një e ardhme e largët – deri sa smartglasses të bëhen të suksesshme është e nevojshme që këto pajisje të jenë sa të fuqishme, aq edhe të lehta dhe jo të mëdha. E kundërta e asaj që janë tani. Më poshtë është një tablo se ku kemi mbërritur deri më sot.

 

Hololens, Microsoft

Është një ndër pajisjet më të avancuara që përfshin gjithë cilësitë që pritet nga këto syze. Sot ato po eksperimentohen nga ushtria amerikane në një version të modifikuar, i quajtur IVAS, që tregon pozicionin e ushtarëve të tjerë, hartën e territorit ku po lëvizin etj. Hololens përdoren edhe për qëllime profesionale, p.sh., nga designer dhe arkitektë, ose për të udhëzuar përdorimin e komandave apo operacioneve komplekse. Gjithsesi, jemi ende larg komercializimit në masë. Hololens kushtojnë 3500 dollarë dhe janë të rënda për t’i përdorur në përditshmëri dhe në lëvizje.

 

Spectacles, Snapchat

Rruga e ndjekur nga Snapchat është e kundërta e asaj të Hololens. Në vend të syzeve me shumë funksione, të papërshtatshme për konsumin nga masa, Snapchat synon të krijojë syze me funksione të reduktuara. Funksionet e syzeve Spectacles janë të kufizuara. Me to mund të bëni vetëm foto dhe video, që mund të modifikohen me filtra në realitetin e shtuar në aplikacionin klasik të Snapchat. Me pak fjalë, në Spectacles nuk mund të shikoni asnjë informacion.

 

Google Glass, Alphabet

Google Glass përdorin për momentin teknologjinë e realitetit të shtuar vetëm për të projektuar informacione përpara syve tanë (p.sh., njoftime dhe email-e). Megjithatë, shoqëria me seli në Mountain View po punon për të krijuar një librari me aplikacione në AR (Augmented Reality), më e evoluuar dhe e dizajnuar posaçërisht për syzet. Sikur të mos mjaftonte, Google Maps është mbase një ndër instrumentet me potencialin më të madh për të ndihmuar në përhapjen e smartglasses.

 

Facebook, Apple dhe Amazon

Këto që përmendëm më sipër janë projekte, që në një mënyrë apo tjetër, janë konkretizuar. Por protagonistët e tjerë të teknologjisë, sigurisht nuk po qëndrojnë në vendnumëro. Apple ka njoftuar që pajisja e saj duhet të dalë në 2022 dhe një rol të rëndësishëm do të luajë Siri, i cili sot po përfshihet në AirPod dhe AppleWatch dhe do të jetë protagonist edhe në smartglasses e kompanisë. Edhe Facebook është përqendruar në realitetin virtual nëpërmjet startup të blerë në vitin 2014 (Oculus). Në të ardhmen pritet të bëjë një hap para edhe në syzet e realitetit të shtuar, edhe nëpërmjet marrëveshjes me kompaninë italiane Luxottica. Projekti quhet Orion dhe duhet të konkretizohet në vitin 2023 apo 2025.

Dhe në fund Amazon, që sot shet Echo Frames – syze normale, në të cilat është përfshirë asistenti virtual Alexa dhe në të ardhmen do të pajisen sigurisht me realitet të shtuar. Në këtë pikë mund të shikojmë një film në Prime Video ndërkohë që presim metronë dhe të bëjmë shopping në Amazon pa qenë e nevojshme të nxjerrim celularin nga xhepi.

Kur do të bëhet realitet e gjithë kjo? Duhet edhe ca kohë – ekspertët theksojnë shumë vite. Produktet e para, me gjithë kufizimet e tyre, janë tashmë në treg. Në të ardhmen, smartphone-t do të zënë vend në arkivin e historisë dixhitale.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of