Në të vërtetë nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çmimit të produkteve dhe Shkallës Specifike të Përthithjes
Në vitin 2019, më shumë se tre miliardë persona zotërojnë të paktën një smartphone. Pajisjet elektronike gjenerojnë një fushë elektromagnetike dhe duke parë përdorimin e madh të tyre çdo ditë, Infodata është thelluar në temën e Shkallës Specifike të Përthithjes, e njohur me akronimin SAR (nga anglishtja Specific Absorption Rate).
Çfarë është SAR? Kjo masë, më konkretisht, shpreh përqindjen e energjisë elektromagnetike që përthith trupi ynë pas një ekspozimi me një fushë magnetike me radiofrekuencë (me frekuencë brenda intervalit 100 KHz dhe 10 GHz). Duke qenë se vlerat e matura lidhen ngushtësisht me gjeometrinë dhe strukturën e pjesës së trupit të ekspozuar ndaj valëve, testet kryhen duke respektuar të njëjtat kushte të përdorimit të burimit në fjalë. Në rastin e telefonave celularë, pajisjet vendosen pranë veshit që është (ose ishte, në varësi të përdorimit) pjesa tipike për kushtet reale të përdorimit të përgjithshëm, duke identifikuar kokën si pjesë e përfshirë të trupit.
Rregullat në Europë – Çdo pajisje elektronike (jo vetëm smartphone), nuk mund ta kapërcejnë vlerën maksimale SAR ose ndryshe 2 Watt për kilogram. Në dy situata të ndryshme: kur mbahet pranë trupit (për shembull në xhep) apo pranë veshit për të bërë një telefonatë. Rregullat ndryshojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E nisim me lajmet e mira – Ndër smartphone-t për të cilët është i disponueshëm çmimi dhe vlera e SAR, janë të pakta rastet që i afrohen kufirit 2 W/Kg nga Bashkimi Europian. Nga një këndvështrim i përgjithshëm, duke mos u përqendruar te ndonjë model apo markë e veçantë, vlerat mesatare në tre vite të analizuara, variojnë nga 0,67 W/Kg në vitin 2017 në 0,70 W/Kg në vitin aktual, me një rritje të lehtë por duke mos shkaktuar shqetësim për të ardhmen.
Smartphone-t kinezë kanë vlerat më të larta. Nëse analizojmë markat për periudhën trevjeçare, bazuar në vlerën mesatare të SAR dhe çmimit në treg, mund të shohim se ekzistojnë tre grupe të mëdha kryesore. Pjesa më e madhe karakterizohet nga ngjyra e gjelbër, për shkak të Shkallës Specifike të Përthithjes më të ulët se 1 W/Kg me çmim mesatar jo më shumë se 500 dollarë dhe përfshin tetë marka, ndër to edhe kolosi korean Samsung.
Në anën e tjetër, është çifti i formuar nga Oppo dhe OnePlus, vlera mesatare e të cilëve është më e lartë se 1,25 W/Kg, me një çmim gjithnjë rreth 500 dollarë. Plotësisht të vetmuar, në kuotën 1,01 W/Kg, gjejmë Apple, i cili kushton më shumë se 1 mijë dollarë. Nga kjo kuptojmë se në të vërtetë nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çmimit të produkteve dhe Shkallës Specifike të Përthithjes duke qenë se, edhe nëse shpenzojmë shifra jo të larta, rreth 500 dollarë, ndikimi i fushës magnetike ndryshon në varësi të prodhuesve.
Rasti i Apple është interesant, duke qenë se ndër nëntë modelet e marrë në analizë, vetëm njëri dallon qartë nga të tjerët, iPhone 8. Modeli i iPhone 8 i kompanisë me seli në Cupertino është i vetmi ndër vëllezërit e tij që kalon kufirin ‘psikologjik’ 1 W/Kg duke arritur në 1,32 W/Kg, ndërsa modelet e tjera ndalen në kufirin 0,99 W/Kg. Sipas trendit të përgjithshëm, vlera mesatare varion nga 1,08 W/Kg në 2017 deri në 0,96 W/Kg në vitin 2019.
Samsung dhe LG janë ndër telefonat me vlerën më të ulët. Samsung bën pjesë ndër kompanitë që ka nxjerrë numrin më të madh të modeleve të ndryshme në tre vitet e fundit (31 të përfshirë në analizë). Përveç kësaj, kompania zë vendin e parë edhe për vlerën mesatare më të ulët të SAR 0,40 W/Kg (me një çmim mesatar 551 dollarë), duke u shkëputur nga çifti LG dhe Nokia, që ndalen në kuotën 0,46 W/Kg. Dhe pikërisht Samsung së bashku me markën më pak të njohur Wiko, përfshihen në top 5 të smartphone-ve me ndikimin më të ulët në lidhje me energjinë elektromagnetike të përthithur.
Rasti Wiko Në listën e smartphone-ve më të mirë, në vend të parë është Lenny 4 i prodhuar nga kompania e përmendur më sipër Wiko, që falë vetëm 0,15 W/Kg i zë vendin e parë Note 8 të Samsung (0,17), ndjekur nga UPULSE gjithnjë nga Wiko (0,18) dhe çifti Samsung Note 10+ e Redmi Note 8 i Xiaomi (të dy ndalen në 0,19 W/Kg). Është interesante që dy smartphone-t më të mirë për nivelin SAR janë prodhuar nga kompania Wiko. Vendin e parë të smartphone-ve për nivelin më të lartë SAR e zë VIEW Prime, që është modeli me ndikimin më të madh për përthithjen e energjisë me vlerë 1,89 W/Kg. Top 5 me SAR më negativ përbëhet nga MI A1 i Xiaomi (1,75), OnePlus 5T i OnePlus (1,68), Jerry 3 i Wiko dhe Zenfone 6 i Asus (1,57).
Burimi: Il Sole 24 Ore