Kompanitë synojnë të gjejnë me nxitim rrugë të reja, edhe pse kjo gjë mund t’i detyrojë, të bëjnë një hap pas dhe të përmirësojnë disa aspekte të produktit, duke shtyrë daljen në treg për disa muaj
Prodhuesit e smartphone-ve janë në gjueti. Janë në kërkim të një ideje, një shkëndije që mund të ndryshojë tendencën komerciale – shitjet janë në rënie. Edhe pse me ndryshime të vazhdueshme, megjithëse graduale në pjesën e përparme (prodhuesit kinezë po përpiqen të rrëmbejnë pjesë më të mëdha në treg, ashtu si Apple dhe Samsung) të vërtetën e kemi para syve – inovacioni tashmë është i vështirë… Evolucioni i smartphone-ve do të ndodhë për inerci.
Pajisjet e fundit tashmë kanë tre, katër apo më shumë kamera në pjesën e përparme, me rezolucion që ndonjëherë shkon më shumë se 100 megapixel. Dizajni ka kapërcyer vetveten – ekrane gjithnjë e më të mëdhenj, me korniza të holla (ose thuajse inekzistente), me më shumë fuqi sa rivalizojnë edhe konsolët si Nintendo Switch.
Pavarësisht kësaj, është e vështirë të dorëzohesh. Këto çojnë në eksperimentime të çmenduara. Produkte që lindin për të tërhequr vëmendjen mediatike te marka në fjalë, edhe kur kjo ide vështirë se mund të bëhet realitet. Këtë e tregoi disa ditë më parë Xiaomi, me ekranin e Mi Mix Alpha. Edhe vetë Samsung Galaxy Fold dhe Huawei Mate X, smartphone me ekrane të palosshëm, duket se po bëjnë hapa para drejt një teknologjie që nuk është ende gati – sa u përket aplikacioneve, çmimeve dhe vetë jetëgjatësisë së telefonave. Kompanitë synojnë të gjejnë me nxitim rrugë të reja. Edhe pse ky nxitim, mund t’i detyrojë, siç ndodhi me Galaxy Fold, të bëjnë një hap pas dhe të përmirësojnë disa aspekte të produktit, duke shtyrë daljen në treg për disa muaj.
Smartwatch dhe smart speaker sot nuk mjaftojnë…
Këtë e tregoi tregu i PC. Shpikja e pajisjeve 2 në 1 (laptop që shndërrohen në tablet) ripërtëriu sektorin, por nuk e përmbysi trendin negativ me përhapjen gjithnjë e më të gjerë të smartphone-ve dhe tablet-ëve si terminale 360 gradë. Sot, tregu i PC ka gjetur një ekuilibër të ri (me shifra shumë më të ulëta se njëherë e një kohë). Situata po përsëritet, kësaj here me smartphone-t. Shitjet do të vijojnë që të bien me bazë vjetore dhe, pas disa vitesh, do të krijohet një ekuilibër i ri në treg. Diçka është e qartë. Epoka e zhdukjes së smartphone-ve është e largët dhe për shumë kohë do të mbetet dritarja kryesore në botën dixhitale.
Sot nuk ka një segment në teknologji me shifra të tilla, si ai i smartphone-ve. Dërgesat e smartwatch-eve ndalen në 12 milionë njësi në tremujorin e dytë 2019 (të dhëna nga Strategy Analytics), ndërsa smart speaker në 26 milionë njësi (të dhëna nga Statista). Këto shifra janë shumë larg 341 milionë smartphone që u dërguan në botë (në rënie 3% me bazë vjetore). Shumë kompani po shohin përtej: shërbime që mund të përshtaten me hardware. Një shembull për këtë është Apple Arcade dhe Apple TV – respektivisht për videolojëra dhe seriale TV. Microsoft, për shembull, po bën të njëjtën gjë prej shumë kohësh me Office 365. Shumë prodhues smartphone-sh si Sony apo LG mbeten pas. Të tjerë si Xiaomi, po ulin çmimet – pajisje me parametra cilësore, por me çmime agresive, në përpjekje për t’u marrë një pjesë të tortës konkurrentëve.
Por të vërtetën e kemi para sysh – inovacioni te smartphone ka përfunduar. Por, gjithsesi, ka nga ata që përpiqen ta maskojnë atë.